ORCA vlerëson se ndërhyrjet në Agjencinë e Akreditimit vazhdojnë të jetë shqetësuese

Kosova

ORCA vlerëson se ndërhyrjet në Agjencinë e Akreditimit vazhdojnë të jetë shqetësuese

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 16:38
ORCA

Gjatë vitit 2020, tri universitete publike në Kosovë janë riakredituar. Ndërkohë që katër kolegje private, kanë dështuar në procesin e riakreditimit institucional, për tri prej të cilave kjo ishte hera e dytë radhazi dhe sipas Udhëzimit Administrativ për Akreditim, Kolegjit Iliria, FAMA dhe Kolegjit Tempulli u duhet tërhequr licenca nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, është thënë në raportin e publikuar nga organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).

Sipas “Raportit të monitorimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë 2” të publikuar nga kjo organizatë, 11 kolegje nuk kanë akreditim institucional dhe nuk mund të regjistrojnë studentë. Tetë prej tyre që janë vlerësuar gjatë vitit që shkoi, nuk arritën të plotësojnë standardet e nevojshme.

Në raport përveç të dhënave të akreditimit për 2020, janë publikuar edhe ndërhyrjet, kërcënimet dhe sfidat me të cilat është përballur Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

“19 programe studimore në kolegje private nuk kanë kuotë që kufizon numrin e studentëve, e që nënkupton se nuk kanë një numër maksimal të regjistrimit të studentëve. Përveç kallëzimeve penale ndaj kolegjeve private për tejkalim të numrit të studentëve, për të cilat jemi informuar edhe nga mediat”, thuhet në komunikatën e ORCA-s.

Në raport është përfshirë edhe një peticion nga gati 300 studentë të Kolegjit Heimerer në lidhje me mosnjohjen e diplomave të tyre.

“Gjatë vitit 2020 është dorëzuar edhe një peticion në Ministri të Arsimit nga ana e 293 studentëve të Kolegjit Heimerer, të cilët kërkonin zgjidhje pasi që kishin verifikuar se nuk janë pjesë e sistemit të menaxhimit të informatave për arsimin e lartë (SMIAL), e që nënkupton se këtyre studentëve të rekrutuar nga kolegji nuk do t’iu njihet diploma”, është cekur në raport.

Sa i përket ndërhyrjeve në pavarësinë e AKA-së, është cekur rasti i drejtorit të Agjencisë së Akreditimit, i cili është detyruar të denoncojë në organet e rendit pronarin e Kolegjit ISPE, pas presionit dhe kërcënimeve që pranonte nga ai për t’ia akredituar dy programe studimi.

“Bazuar në situatën me të cilën po përballej drejtori i agjencisë, Policia e Kosovës i kishte ofruar mbrojtje të afërt dhe kishte vendosur masa të sigurisë për familjen e tij”.

Ndërhyrje të tjera vijnë nga ministri i Arsimit, me vendimin për rritje të numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë në Universitet të Prishtinës, thuhet në raport. Më pas vazhdon mbi çështjen e emërimit të një anëtari në KSHC nga radhët e AAK-së, i cili asnjëherë nuk është ratifikuar në Kuvend siç kërkohet me Ligjin për Arsimin e Lartë. Si dhe krijimi i një grupi punues, përmes të cilit synohej marrja e një vendimi të përbashkët i cili në mënyrë retroaktive do t’iu jepte akreditim programeve që kishin regjistruar studentë kur nuk kishin akreditim.

“Agjencia dhe bordi i saj e kanë të nevojshëm rekrutimin e stafit të agjencisë, pasurimin e bordit me anëtarët e nevojshëm vendorë dhe ndërkombëtarë në mënyrë që KShC të funksionalizohet për proceset në vazhdim, krijimin e ligjit të veçantë i cili do t’i siguronte pavarësi të plotë Agjencisë meqenëse deri tani MASh ka ndikuar tërthorazi përmes Udhëzimeve Administrative që ndikojnë drejtpërdrejtë në punën e AKA-së, si dhe angazhimi i vazhdueshëm për rianëtarësimin e agjencisë në Regjistrin Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR) dhe Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA)”, thuhet në raport.

Ndërkaq, në universitete publike, kanë akreditim gjithsej 124 programe Bachelor, 91 programe Master, 14 programe të doktoratës dhe 5 programe doktor shkence. Ndërsa në kolegje private janë gjithsej 87 programe Bachelor dhe 40 programe Master.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat