​Kushtetuesja konstaton moszbatimin e vendimeve për Manastirin e Deçanit

Kosova

​Kushtetuesja konstaton moszbatimin e vendimeve për Manastirin e Deçanit

Më: 24 shtator 2021 Në ora: 16:17
Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se ka moszbatim të vendimeve të Gjykatës lidhur me çështjen e Manastirit të Deçanit dhe atë të Kuvendit Komunal të Prizrenit.

Kushtetuta e Kosovës përcakton se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin si dhe për të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Gjykata përmes mekanizmave të saj dhe në mënyrë periodike vlerëson zbatimin e aktgjykimeve të saj, dhe në rast të moszbatimit të një vendimi mund të lëshojë Aktvendim për mos përmbarim.

Kushtetuesja me këtë rast ka vendosur të njoftohet Prokurori i Shtetit përkitazi me dy Aktvendimet për Mospërmbarim.

“Gjykata rikthekson se, zbatimi i vendimeve të saj është detyrim për të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës bazuar në nenin 116 të Kushtetutës. Për më tepër, zbatimi i vendimeve përfundimtare është parim themelor i sundimit të ligjit, si vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, siç është përcaktuar me nenet 3 [Barazia para Ligjit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës”.

Ky është vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 22 shtator 2021, Gjykata vendosi të nxjerrë Aktvendime për Mospërmbarim të aktgjykimeve të saj: KI 56/09, Aktgjykim i 22 shtatorit 2010, me parashtrues: Fadil Hoxha dhe 59 të tjerë; dhe KI 132/15, Aktgjykim i 19 majit 2016, me parashtrues: Manastiri i Deçanit.

Bazuar në nenin 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Bazuar në këtë nen të Kushtetutës dhe në rregullin 66 (Zbatimi i Vendimeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese, Gjykata përmes mekanizmave të saj dhe në mënyrë periodike vlerëson zbatimin e aktgjykimeve të saj, dhe në rast të moszbatimit të një vendimi mund të lëshojë Aktvendim për Mospërmbarim në të cilin theksohet që vendimi përkatës nuk është zbatuar, i cili publikohet në Gazetën Zyrtare dhe për të cilin informohet Prokurori i Shtetit.

Bazuar në procedurën e ndjekur nga Gjykata lidhur me monitorimin e zbatimit të vendimeve të saj, Gjykata ka konstatuar se dy Aktgjykimet përkatëse nuk janë zbatuar dhe për pasojë ka njoftuar Prokurorin e Shtetit.

I. Në rastin e Aktgjykimit të Gjykatës KI 56/09, parashtruesit e kërkesës kishin kontestuar Vendimin e Kuvendit Komunal të Prizrenit [01/011-3257] të 30 prillit 2009, për ndryshimin e Planit Urban për lagjen Jaglenica (tani Dardania), duke pretenduar shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me nenet: 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes], 52 [Përgjegjësia për Mjedisin Jetësor] dhe 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës. Pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata kishte konstatuar që Vendimi i kontestuar ishte nxjerrë në kundërshtim me garancitë e reflektuara në paragrafin 2 të nenit 52 të Kushtetutës, duke kërkuar nga Kuvendi Komunal i Prizrenit që brenda gjashtë (6) muajsh t'i dorëzojë Gjykatës informata për masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit KI 56/09.

II. Në rastin e Aktgjykimit të Gjykatës KI 132/15, parashtruesi i kërkesës kishte kontestuar dy vendime të Kolegjit të Ankesave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, përkatësisht Vendimet [nr. AC-I-13-0008] dhe [AC-I-13-0009] të 12 qershorit 2015, duke pretenduar shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me nenet: 24 [Barazia Para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës dhe me nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata kishte konstatuar që dy Vendimet e kontestuara të 12 qershorit 2015 të Kolegjit të Ankesave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, janë të pavlefshme, ndërsa që dy Vendimet e Kolegjit të Specializuar për Pronësinë të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të 27 dhjetorit 2012, përkatësisht [nr. SCC-08-0026] dhe [nr. SCC-08-0227], janë përfundimtare, të detyrueshme dhe, si të tilla, janë res judicata.

Në pajtim me paragrafin (8) të rregullit 66 të Rregullores së punës, Gjykata ka përcjellë në vazhdimësi zbatimin e këtyre dy Aktgjykimeve nëpërmjet mekanizmave të saj dhe nëpërmjet letërkëmbimeve me palët e përfshira në rastet përkatëse, e të cilat janë të reflektuara në Aktvendimet e publikuara për Mospërmbarim. Pas vlerësimit të informatave të përditësuara lidhur me zbatimin e Aktgjykimeve KI56/09 dhe KI132/15, Gjykata njëzëri (i) konstatoi se të njëjtat nuk janë zbatuar sepse autoritetet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për zbatimin e plotë të tyre, siç kërkohet me nenin 116 të Kushtetutës; dhe (ii) vendosi të njoftohet Prokurori i Shtetit përkitazi me dy Aktvendimet për Mospërmbarim.

Gjykata riktheson se, zbatimi i vendimeve të saj është detyrim për të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës bazuar në nenin 116 të Kushtetutës. Për më tepër, zbatimi i vendimeve përfundimtare është parim themelor i sundimit të ligjit, si vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, siç është përcaktuar me nenet 3 [Barazia para Ligjit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat