Zvicra për dy dekada Kosovës i ka dhënë 30 milionë CHF për ujë e kanalizim

Kosova

Zvicra për dy dekada Kosovës i ka dhënë 30 milionë CHF për ujë e kanalizim

Më: 2 mars 2022 Në ora: 13:49
Ilustrim

Qeveria e Zvicrës përgjatë dy dekadave të fundit ka investuar rreth 30 milionë franga zvicerane në sektorin e ujit të pijes dhe kanalizimit në Kosovë. Shumë banorë nga rajone të ndryshme të vendit e kanë “shuar etjen” falë këtyre investimeve milionëshe

Para dy dekadave as nje e treta  e banorëve të zonave rurale në Kosovë nuk kishin qasje në ujë të pijshëm e as në kanalizim. Ky problem me të cilin përballeshin banorët u identifikua shpejt nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, e cila mori masa të menjëhershme për ta zgjidhur. Përgjatë njëzet vjetëve u instaluan me qindra mijëra metra gypa të ujësjellësit  gjithandej Kosovës, falë investimeve prej rreth 30 milionë frangave zvicerane, duke e arritur synimin që mbi 90 për qind e qytetarëve të kenë qasje në ujin e pijshëm nga Kompanit Regjionale tëujësjellësve te licensuar dhe duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë furnizimit me ujë nga puset, ujë ky që nuk i plotësonte as kriteret minimale për konsum.

Uji parandalon zbrazjen e fshatrave në Skenderaj

Aq sa ishin nuk janë më. Numri i popullsisë në dy fshatrat e Skenderajt, Likoc e Plluzhinë, është zvogëluar. Banorët e këtushëm po ikin ditë për ditë. Njëra nga arsyet që po i detyron të largohen është mungesa e furnizimit me ujë. Ata akoma s`janë bërë pjesë e sistemit të Ujësjellësit.

“Shumica e fshatit e kanë lëshuar fshatin se s`ka ujë”, thotë Shaqir Veseli, përfaqësues i banorëve në Likoc. Fjalët ia konfirmon edhe Arsim Isufi. E njëjtë është situata edhe në katundin e tij thotë ai.  “Si në Likoc, edhe te na në Pllozhinë, po ikin në qytet. S`po ka ujë”, u shpreh Jusufi që flet në emër të krejt bashkëfshatarëve pllozhinas.

“Qaren” e kanë gjetur deri diku vet, ama jo bash gjithçka po varet prej tyre. Pusetat i kanë hapur, e sasia që akumulohet në to është në “duart” e Zotit, varet nga reshjet atmosferike. Në mungesë të tyre ato shtjerrin. “Jemi furnizu me puse. Kohët e fundit që nuk patë reshje atmosferike veç kanë shterr. I kemi fillu shpimet deri në 80 metra, po nuk po ka reshje. E kena përdor për pije, nevoja shtëpiake”, thotë Veseli i Likocit, rreth të 60-ave. “Jemi furnizuar përmes puseve që i kemi hapur vetë edhe pse niveli nuk ka qenë i kënaqshëm me ata ujë”, ia pret Jusufi i Pllozhinës.

Me bure e traktorë për ca litra ujë

Për këto halle të tyre njohuri kanë edhe në Ujësjellësin e Skenderajt. Menaxheri i kësaj kompanie, Ilaz Halili bile rrëfen për disa përjetime me të cilat ai dhe punonjësit e tjerë janë ndeshur shpesh gjatë punës së tyre. “Këta nuk kanë pasur ujë. Vinin në ujësjellës për me marrë ujë me bure, me traktora”, thekson ai.

Në “razi” muhabetin Veseli e Isufi nuk e kanë te një çështje. I pari insiston se uji në fshatin e tij në Likoc është i pastër, kurse i dyti mendon që në të tijin, atë të Pllozhinës  jo. Të dy kur folin për këtë përmendin disa analiza.  “Nuk ka qenë i papastër. I kena ba analiza”, deklaron Veseli i Likocit.  “Ka dalë i papërdorshëm, po e kena përdorë. Nuk e kemi gjendjen e mirë financiare që me ble përditë”, tregon Isufi për veti dhe 1200 banorët e tjerë të Pllozhinës.

Megaprojekt i teknologjisë së fundit

Është dikush që do t`ua heqë të gjitha këto derte. Qeveria Zvicerane po “derdh një mal” me para në një projekt që do t`u mundësojë atyre kyçjen në Ujësjellës. Punët për këtë, sipas inxhinierit të kompanisë fituese të tenderit, Egzon Behluli, deri tash po shkojnë në rregull. “Sistemi i furnizimit me ujë është nga stacioni i pompave që gjendet në Llaushë. Përbëhet nga 4 pompa të teknologjisë së fundit. Ka katër rezervarë të cilët në bazë të llogaritjeve do ta mbulojnë furnizimin me ujë. Është edhe sistemi i klorizimit”, tha ai.

Projekti nuk është paraparë të realizohet vetëm në Likoc e Plluzhinë. Ai do të shtrihet edhe përgjatë 9 fshatrave të tjera, Rrezallën, Morinën, Ticën, Abrinë e Poshtme, Murgën, Makmerrmalin, Kreshecin, Llaushën dhe Aqarevën.Punimet në këto 11 vise kanë filluar në qershor të 2020-s dhe pritet të finalizohen kah mesi i vitit 2021. Ato kapin vlerën e 1 milionë e 375 mijë eurove.

As në ëndërr

Me shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në këto anë Halili, menaxher i Ujësjellësit në Skenderaj, pohon se kanë mbetur veç edhe një përqindje e vogël e vendbanimeve rurale që janë jashtë rrjetit të tyre. ”Diku 70 % e fshatrave janë lidhur në sistemin tonë. Po flas për rrjet. Sa i përket kyçjeve individuale ka ndihmuar komuna nga bugjeti vetanak

”Ky shton se ishin goxha pesimist se do të ndreqej ky problem. “As në ëndërr nuk kena mujt me pa që do të kryhet ky projekt. Po, falë investimit të Qeveris së Zvicrës dhe Kosovës, u arrit”, përfundon fjalët e tij.

Nga të zeza të ujëra të bardha

Edhe disa klinas të tjerë e patën një preokupim. Sido që të jetë ata e kaluan atë. Problemi i ujërave të zeza u është eliminuar banorëve të Volljakës. Kjo për faktin se fshati i tyre tashmë është bërë me një impiant që merret pikërisht me trajtimin e këtyre ujërave. Para se të ndodhte kjo, ata hoqën goxha shumë. Të bëmat i tregoi përfaqësuesi i fshatit, Shani Berisha. “Jena kanë me ujëra të zeza shumë keq. Ato dilshin nëpër rrugica e toka bujqsore. Kundërmonte erë. Fëmijët u zhytnin në to. Toka u kanë e papunueshme kah kanë kalu ato anej. Kuzhinës i vinte era brenda”, u shpreh ai.

Berisha shfaqet i lumtur për realizimin e këtij projekti 185 mijë eurosh. Me të siç thotë ai u është lehtësuar derti 180 shtëpive. Nga afër punimet, të cilat janë thuajse të përfunduara, po i mbikëqyrë inxhinieri Visar Mehmeti. Ky flet për rëndësinë e tyre: “Jemi duke e trajtuar impiantin për trajtim të ujërave të zeza. Gjithë fshati ka kundërmu nga kanalizimi. Pritet të lëshohet në funksion brenda 10 diteësh. Me rregullimin e tij ujërat do të trajtohen dhe 95% e tyre do të dalin të pastra. Ato nuk përdoren për sanitari. Megjithatë ato ujëra nuk i bëjnë dëm as natyrës, as gjelbërimit e as asgjëje”, tregoi ai.

Klinës i shtohen edhe disa fshatra në rrjetin e Ujësjellësit

Situata më e mirë nuk është as në Klinë. Problemi me ujë të pijes edhe këtu është i pranishëm. Është aq i shfaqur sa një cisterne me ujë të Ujësjellësit i është dashur gjatë gjithë vitit të qëndrojë në terren për t`i furnizuar banorët në nevojë. Situata të tilla janë parë në 11 fshatra të kësaj komune:  Perqevë, Caravik, Çabiq, Zabergjë, Ujëmirë, Doberdol, Rixhevë, Stapanicë, Gllarevë, Gjurgjevik i Madh dhe Stupë. Shkak për këtë është moslidhja e tyre në gypin e Ujësjellësit.

Këtë e konfirmoi inxhinieri i Hidro-Drinit, Burim Berisha. “Banorët janë furnizuar me puse. Nëse nuk kanë pasur ujë në to, i kemi furnizuar me cisterna. Kemi bartur gati gjithë vitin me një cisternë 3 a 4 mijë litra. Ka pasur shumë raste të tilla. Edhe në vikend kemi punësuar që t’ju sigurojmë ujë qytetarëve”, tregon ai.

Stop vuajtjeve, kësaj gjendje të mjerueshme po i afrohet fundi. Gypat kanë arritur e ata do të shtrihen, me ç`rast 10 mijë banorë sa janë në 11 zonat e përmendura, s`do ta kenë më problem furnizimin me ujë të pijes. Sebep si në shumë komuna të tjera edhe këtu u bë donacioni i CDI-së. Realizimi sapo ka nisur derisa pritet të mbarojë ne mesin e viti 2022.

1 milionë e 484 mijë është etiketa e krejt këtij investimi. Imtësitë e projektit gjigant.

Garanci se gjithçka do të shkojë mirë jep Veton Hamza, inxhinier në kompaninë që ka fituar tenderin. Ai tregoi më në hollësi për megaprojektin, i cili sipas tij mundëson furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm.

“Janë dy stacione të pompimit dhe tre rezervarë. Do të ketë 24 orë ujë të pijes. Komentet janë shumë pozitive nga ana e qytetarëve. Ata kanë qenë që një kohë pa ujë të pijes. Projekti i ka të gjitha. Tre rezervarë do të punojnë dhe do të ketë tri stacione të pompimit”.

Zvicra na “shuan etjen”

Para dy dekadave as njëe terta e banorëve të zonave rurale në Kosovë nuk kishin qasje në ujë të pijshëm e as në kanalizim. Ky problem me të cilin përballeshin banorët u identifikua shpejt nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, e cila mori masa të menjëhershme për ta zgjidhur. Përgjatë njëzet vjetëve u instaluan me dhjetëra mijëra gypa gjithandej Kosovës, falë investimeve prej rreth 30 milionë frangave zvicerane, duke e arritur synimin që mbi 90 për qind e qytetarëve të kenë qasje në ujin e pijshëm nga ujësjellësit e licensuar dhe duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë furnizimit me ujë nga puset, ujë ky që nuk i plotësonte as kriteret minimale për konsum. Ky investim i Qeverisë së Zvicrëssë bashku me Qeverinë e Kosovës është realizuar falë një bashkëpunimi  të shkëlqyeshëm me komunitetet, nivelit lokal dhe atij qendror. Alan Brown, udhëheqës i programit RWSSP  nga Dorsch dhe CDI, që është partner implementues i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, ka theksuar në një intervistë se bazuar në synimet e zhvillimit të qëndrueshëm, të cilat Kosova i ka miratuar, kërkohet qasje universale në furnizimin me ujë dhe në rrjetin e kanalizimit deri në vitin 2030, dhe kjo siç ka thënë ai mund të arrihet nëse vendosen dhe zbatohen plane të mira strategjike. Gjatë kësaj interviste ai ka treguar se si e ka gjetur Kosovën në vitin 2001, kur kishte nisur punën këtu dhe me cilat sfida janë përballur përgjatë dy dekadave në sektorin e ndërtimit të sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimeve. 

Ju jeni të angazhuar për më shumë se një dekadë e gjysmë në Kosovë, veçanërisht në sektorin e ndërtimit të sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimeve. Si e gjetët Kosovën në atë kohë, në fushën ku u angazhuat fillimisht dhe në çfarë situate është sot?

Brown:  Kur arrita për herë të parë në Kosovë në vitin 2001, sistemi i kanalizimit dhe ujësjellësit ishte në gjendje të rëndë, me disa dëmtime nga lufta, por kryesisht për shkak të investimeve të pakta në këtë sektor. Në veçanti shërbimet e ujësjellësit në zonat rurale ishin jo të kënaqshme, me më pak se një të tretat   popullsisë rurale që kishin qasje në furnizimin me ujë të pijshëm. Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë e identifikoi këtë problem dhe filloi mbështetjen e tyre në pjesën e Kosovës Juglindore. Donatorë të tjerë ofruan mbështetje në fusha të tjera. Me këtë rast është shënuar një rritje e madhe e qasjes së kosovarëve në furnizimin me ujë të pijshëm, pas instalimit të dhjetëra mijëra kilometa të gypave gjithandej Kosovës. Mbi 90% e popullatës në Kosovë tashmë ka qasje në ujin që furnizohet nga ujësjellësit në vendet e tyre.

Zvicra është një nga donatorët më të mëdhenj në sektorin e ujësjellësit dhe kanalizimeve. Sa është shuma e përgjithshme e investimeve të realizuara nga shteti zviceran, përmes CDI-së, përgjatë dy dekadave të fundit në Kosovë?

Brown: Qeveria zvicerane ka investuar afërsisht 30 milion franga zvicerane gjatë 20 viteve të fundit për përmirësimin e furnizimit me ujë, që është kombinuar me financimin nga komunitetet, Komunat dhe Qeveria e Kosovës, duke siguruar kështu bashkëpunim të shkëlqyeshëm midis donatorëve dhe përfituesve të programit.

 Në cilat pjesë të Kosovës Zvicra ka realizuar më shumë investime në këtë sektor dhe si ishte bërë përzgjedhja e rajoneve për investime?

Brown: Fillimisht financimi zviceran ishte fokusuar në rajonin e Kosovës Juglindore, por kur donatorët tjerë janë tërhequr nga ky sektor, zviceranët rritën mbështetjen e tyre nëpërmjet projekteve në të gjithë vendin. Nuk është reale të shohësh fushat që përfitojnë më shumë, apo më pak se të tjerat. Investimet e Zvicrës dhe Qeverisë së Kosovës kanë qenë në shënjestër të nevojave të komuniteteve individuale, bazuar në rritjen e popullatës që furnizohet dhe veçanërisht në nevojat e shëndetit publik. Kjo ka çuar në rritjen e numrit të konsumatorëve që kanë qasje në ujin e furnizuar nga operatorët e licencuar, me ç’rast aktualisht mbi 90 % e popullsisë së Kosovës mund të kenë qasje në furnizimin me ujë nga ndërmarrjet Rajonale të Ujit.

Në përgjithësi, sa kishin nevojë zonat rurale dhe urbane të Kosovës për investime në sektorin e furnizimin me ujë?

Brown: Zona të ndryshme kishin kërkesa të ndryshme për furnizim me ujë të pijshëm, por sigurisht që komunitetet në zonat rurale ishin në një situatë të vështirë, me shumë sfida me të cilat përballeshin duke përfshirë disponueshmërinë e burimeve të ujit, distancat që duheshin mbuluar për të arritur komunitetet dhe terrenin e vështirë. Edhe zonat urbane ishin gjithashtu në gjendje të vështirë dhe kishin nevoja urgjente, pasi që shumë banorë u zhvendosën në qytete si pasojë e punësimit.

Cilat kanë qenë sfidat tuaja kryesore gjatë implementimit të projekteve në Kosovë?

Brown: Kosova është dashur ta zërë hapin me pjesën tjetër të Evropës, së pari duke u siguruar që uji mund të sigurohet për qytetarët e vendit, i cili ishte një objektiv i hershëm i komunitetit të donatorëve. Por më pas ka pasur nevojë për t’i përmbushur sfidat gjithnjë në rritje, duke përfshirë ndryshimin e klimës (më shumë përmbytje dhe më shumë thatësira), përmirësimin e teknologjisë, zhvillimin shkencor të sektorit të ujit, rritjen e nevojave për efiçiencën e energjisë, rritjen e nevojës për mbrojtjen e burimeve ujore dhe shumë më tepër. Këto çështje duhet të përgatiteshin nga Qeveria e Kosovës dhe nga sektori.

Çfarë sfidash po hasni si donatorë pas implementimit të këtyre projekteve?

Brown: Dorsch/CDI nuk është donator. Ne jemi partneri implementues i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim dhe i Qeverisë së Kosovës. Pra, për mendimin tim personal sfida që duhet adresuar është të sigurojmë që sektori i ujit të menaxhojë dhe zhvillojë aktivitete normale operacionale, për të përmirësuar furnizimet me ujë, për të rritur mbledhjen dhe trajtimin e ujërave të ndotura dhe për të përmirësuar efikasitetin. Kjo do t’u mundësonte donatorëve që të mbështesin zhvillimin në fushat që ekspertiza nuk është e disponueshme në Kosovë, siç janë: Qëndrueshmëria e klimës, mbrojtja dhe zhvillimi i burimeve ujore. Për t’i përmbushur këto sfida, duke siguruar qëndrueshmërinë e investimeve të bëra tashmë, zviceranët së fundmi ka lansuar një program të ri afatgjatë që përqendrohet në menaxhimin e burimeve ujore në Kosovë. Zvicra do të vazhdojë mbështetjen e saj në këtë fushë në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe palët e tjera të interesit. Projekte të tjera tashmë janë në proces.

Sa kohë dhe sa investime nevojiten që secili vendbanim në Kosovë të lidhet me rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit?

Brown: Kjo është një pyetje shumë e madhe. Mbulimi i furnizimit me ujë (qasja në furnizime) aktualisht është në 90%+ dhe me bashkëpunimin e vazhdueshëm të Kompanive Regjionale të Ujësjellësit (KRU), Qeverisë dhe Komunave, 10% e mbetur mund të sigurohet brenda disa vitesh. Po punohet shumë për të siguruar trajtimin e ujërave të ndotura në disa qytete. Por, do të duhet të bëhet më shumë. Qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, të cilat Kosova i ka miratuar, kërkojnë qasje universale në furnizimin me ujë dhe në rrjetin e kanalizimit deri në vitin 2030, dhe kjo mund të arrihet nga Kosova nëse vendosen dhe zbatohen plane të mira strategjike.

Përveç investimeve nga Qeveria e Zvicrës, a kanë kontribuar edhe Komunat dhe Qeveria e Kosovës në realizimin e projekteve?

Brown: Ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm midis komuniteteve, Komunave dhe Qeverisë qendrore gjatë gjithë programit. Për shembull, në fazën aktuale të Programit, Qeveria e Kosovës ka siguruar 10 milion euro për të mbështetur zhvillimin e sektorit. Ndërsa në fazat fillestare të Programit, komunitetet u angazhuan, duke ofruar mbështetje financiare dhe fizike për të bërë të mundur përfundimin e projekteve. Ndërsa shkalla e projekteve u rrit, Komunat ofruan mbështetje financiare dhe së fundmi Qeveria qendrore ka vënë në dispozicion financime në shkallë të gjerë.

Qeveria e Kosovës ka shpenzuar shuma të mëdha të buxhetit për infrastrukturën rrugore, por jo për infrastrukturën ujore. A duhet të ndryshojë kjo logjikë e investimeve në Kosovë?

Brown: Qeveritë duhet të bëjnë zgjedhje të vështira, bazuar në nevojat e qytetarëve, përfshirë zhvillimin ekonomik dhe shëndetin publik. Qeveria e Kosovës ka siguruar fonde të konsiderueshme për sektorin e ujit, përmes bashkëfinancimit të saj në Programin Rural për Mbështetjen e Ujit dhe Kanalizimeve, dhe ne u jemi mirënjohës për këtë bashkëpunim të shkëlqyeshëm. 

Sipas përvojës suaj, si qëndron Kosova në raport me vendet e rajonit për sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm dhe rrjetit të kanalizimit?

Brown: Kosova ka pasur mbështetje të fortë në sektorin e ujit nga disa donatorë dypalësh gjatë 20 viteve të fundit dhe kjo ka siguruar një sistem të fortë dhe elastik të furnizimit me ujë. Të jesh më mirë ose më keq se vendet e tjera nuk është objektivi. Për këtë vend, ne duhet të jemi më mirë këtë vit sesa që ishim vitin e kaluar, dhe madje të jemi edhe më mirë vitin e ardhshëm. Struktura e qeverisjes së sektorit njeh sfidat me të cilat do të përballet vendi në vitet e ardhshme dhe besoj se me vullnet të fortë politik për të adresuar këto sfida, furnizimi me ujë dhe shërbimet e kanalizimit do të vazhdojnë të përmirësohen.

Disa fshatra të regjionit të Mitrovicës s’kishin ujë të pijshëm, miliona euro investuan zviceranët

Banorë të disa zonave rurale në Komunat e Skënderajt, Vushtrrisë dhe Mitrovicës për një kohë të gjatë nuk furnizoheshin fare me ujë të pijshëm. Por, me ndihmën financiare të donatorëve ndërkombëtar, në veçanti Qeverisë së Zvicrës nëpërmjet DORSCH dhe CDI-së, është ndërtuar dhe zgjeruar rrjeti i ujësjellësit në këtë regjion të Kosovës. Kështu ka theksuar në një intervistë Xhevat Smajli, koordinator i projekteve në kompaninë rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”. Smajli ka bërë të ditur se me ndihmën e Qeverisë  zvicerane nga partneri implemetues “DORSCH” dhe “CDI” është bërë rehabilitimi i sistemeve rurale të ujësjellësit në Kompaninë Regjionale të Ujësjellësit “Mitrovica”, për fshatrat e Mitrovicës dhe Vushtrrisë, përkatësisht fshatrat Koshtovë, Lipë, Bajska, Frashër, Pantinë dhe Smrekonicë. Ky projekt, sipas tij, ka kushtuar mbi 186 mijë euro dhe është implementuar gjatë viteve 2017/18.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat