​17 vullnetarë të rinj të Korpusit të Paqes betohen për shërbim në Kosovë

Kosova

​17 vullnetarë të rinj të Korpusit të Paqes betohen për shërbim në Kosovë

Më: 23 nëntor 2022 Në ora: 14:28
Pamje nga vendi i ngjarjes

Është bërë betimi i shërbimit për 17 vullnetarë të rinj të Korpusit të Paqes në Kosovë. Vullnetarët kanë përfunduar me sukses programin e trajnimit dhe zyrtarisht fillojnë shërbimin e tyre vullnetar për dy vjet në institucionet e Kosovës.

Në këtë ceremoni presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka folur për lidhjen mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çka ka thënë se vendet ndajnë vlera të përbashkëta.

Osmani: Sot dërgojmë mesazhin e lidhjes së fortë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës

“Ne jemi takuar sot, që edhe një herë dërgojmë mesazhin e një lidhjeje të fortë, mesazhin e unitetit dhe bashkimit, pasi jemi të vendosur bashkërisht të mbrojmë, promovojmë dhe avancojmë vlerat që ndajmë, dhe bashkërisht besojmë. Ku lidhja e veçantë mes dy vendeve dhe popujve tanë nuk janë thjesht një aksident apo rastësi, vendet tona dhe njerëzit tanë janë të lidhur së bashku nga një vizion i përbashkët, një ambicie e përbashkët, një dëshirë e palëkundur për të vepruar dhe për të përformuar më mirë, por kryesisht ne jemi të bashkuar nga vlerat e përbashkëta”, ka thënë presidentja Osmani.

Ajo ka thënë se Kosova e vlerëson punën e bërë nga Korpusi i Paqes.

Osmani: Është kohë jashtëzakonisht e ngarkuar për zyrat tona

“Nga lajmet e këtyre ditëve ndoshta mund ta keni kuptuar se kjo është një kohë jashtëzakonisht e ngarkuar për zyrat tona, për institucionet tona, megjithatë kur flitet për Korpusin e Paqes dhe vullnetarët ne jemi gjithmonë të gatshëm të gjejmë kohë për t'u bashkuar me ju në mënyrë që ne të mund të shprehim vlerësimin tonë më të madh për gjithçka që ju bëni”, ka thënë Osmani.

Zëvendësshefja e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alyson Grunder, tha se puna e vullnetarëve në Kosovë do të jetë shkëmbimi përvojave në mes të komuniteteve.

Grunde: Qëllimi i Korpusit të Paqes është avancimi i miqësisë dhe paqes në botë

“Qëllimi kryesor i Korpusit të Paqes është avancimi i miqësisë dhe paqes botërore. Ju përfaqësoni 15 shtete në Amerikë dhe mbi 40 institucione të arsimit të lartë, ju sillni me vete një diversitet, përkatësi etnike, shoqërore dhe kulturore, dhe jam e sigurt se do ta ndani me Kosovën, por edhe Amerikën do ta ndani me Kosovën. Faleminderit që u regjistruat për të shërbyer, dua që secili prej jush individualisht dhe kolektivisht të transformojë idetë inovatore për të cilat mund t'ju dëgjoj duke folur me homologët tuaj, dhe po, e di që nuk ju pëlqen kjo fjalë, baza e fortë e qëndrueshmërisë që ju tashmë keni krijuar do t'ju shërbejë mirë gjatë kohës që jeni në Kosovë. Jam e bindur se secili prej jush do japë një kontribut të rëndësishëm në shkollat dhe organizatat ku jeni caktuar”, ka thënë ajo.

Carolyne Siganda, drejtoreshë e Korpusit të Paqes në Kosovë tha se vullnetarët janë njohur me kulturën shqiptare dhe atë serbe dhe të njëjtit tani pas trajnimit mund të shkruajnë dhe komunikojnë në të dy gjuhët.

Siganda: Vullnetarët kanë zhvilluar shumë aftësi, përfshirë mësimin e gjuhës shqipe dhe serbe

“Jeta në Korpusin e Paqes nuk do të jetë e lehtë, nuk do të ketë paga, dhe shtesat do të jenë në nivelin e mjaftueshëm vetëm për ruajtjen e shëndetit dhe plotësimin e nevojave elementare. Burrat dhe gratë do të punojnë dhe jetojnë së bashku me qytetarët e vendit në të cilin priten, duke bërë të njëjtën punë, duke ngrënë të njëjtin ushqim dhe duke folur të njëjtën gjuhë. Unë e di nga ajo që kam dëgjuar për përparimin që të gjithë keni bërë gjatë 11 javëve intensive të një trajnimi para shërbimit që keni zhvilluar shumë aftësi, duke përfshirë aftësitë gjuhësore të përfshira në gjuhën shqipe dhe serbe, dhe keni kaluar kohë me komunitetet në Dragash dhe Prizren duke u zhytur në kulturën e tyre. Kam besim se secili nga ju do të punoni së bashku me homologët tuaj në atë që Presidenti Kenedy e pati vizion mbi 60 vjet më parë”, ka thënë ajo.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka bërë të ditur se 11 nga 17 vullnetarët do të shërbejnë në shkollat e Kosovës.

Ai ka thënë se mësimdhënësit do të kenë mundësi të njihen me përvojat e tyre ndërsa nxënësit të përfitojnë në mësimin gjuhës angleze.

Pupovci: Misioni i Korpusit të Paqes në Kosovë është vlerë e shtuar në shoqërinë tona

“Që në fillim të misionit të tyre e deri tani vullnetarët e korpusit të paqes u kanë demonstruar njerëzve në të gjithë botën përkufizimin e vërtetë të vlerave amerikane. Si Ministri e Arsimit jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e bashkëpunimit me Korpusin e Paqes, bashkëpunimi i cili patjetër do të vazhdojë, për shkak se misioni i Korpusit të Paqes për ofrimin e mbështetjes në ngritjen e kapaciteteve edukative dhe ofrimit të vlerave të mirëfillta për nxënësit në shkollat tona është më të vërtetë vlerë e shtuar në shoqërinë tonë”, ka thënë ai.

E një nga vullnetarët, Jordan Degelia ka thënë se ndjehet i nderuar të shërbejë në Kosovë derisa gjatë ceremonisë dëshmoi përvetësimin e gjuhës shqipe.

Degelia: Kënaqësi dhe nderë të shpërbejmë në vendlindjen e Dua Lipës dhe Rita Orës

“Sot erdhi dita e madhe për ne gjithashtu dy vitet e ardhshme do të jenë vitet më të mira ‘kismet’. Shumica nga ne këtu këtë ditë e kanë pritur gjatë, unë aplikova gati tri vite më parë, unë e di qe pritja ishte e gjatë, aq gjatë kemi pritur sa nuk na besohej që do te vijë kjo ditë por ja ku jemi këtu para jush, për fat të mirë Korpusi i Paqes është këtu dhe te bashkuar me popullin jemi të gatshëm t’i shërbejmë Kosovës... Është kënaqësi dhe nder i madh për mua dhe të gjithë vullnetarët të punojmë në Kosovë, në vendlindjen e Dua Lipës dhe Rita Orës. Mirëpritja që na është ofruar këtu është e pakrahasueshme”, ka thënë ai.

11 nga vullnetarët do të japin mësim në shkolla fillore dhe të mesme në Kosovë ndërsa gjashtë prej tyre do të punojnë në komuna përmes programit të zhvillimit organizativ të komuniteteve.

Kjo është ceremonia e shtatë me radhë e betimit të vullnetarëve të Korpusit të Paqes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat