Mërgata Fest & Sport “freskon” mbrëmjet në Lipjan

Kosova

Mërgata Fest & Sport “freskon” mbrëmjet në Lipjan

Më: 28 korrik 2023 Në ora: 20:24
Foto nga vendi i ngjarjes

Në Lipjan ka vazhduar sonte Mërgata Fest & Sport, organizuar për nderë të Ditëve të Mërgatës.

Qytetarë të shumtë ishin pjesë e aktiviteteve të ndryshme sportive që nisën pasdite në sheshin “Adem Jashari” në Lipjan. Bashkatdhetarët, por edhe qytetarë të tjerë, patën rastin të provojnë shkathtësitë në badminton, street ball 2vs2, ping-pong, sport për persona me aftësi të kufizuara, shigjetari, shah e “flippera”.

Madje “fatin” në shigjetari e provoi edhe kryetari i Komunës, Imri Ahmeti. Sa ishte i saktë mund ta shihni në video.

Nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport do të organizojë për tri net me radhë një sërë aktivitetesh në sporte, ndërsa nga ora 20:00 mbahen koncerte me muzikë.

Kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, në një prononcim për eo tregoi se është viti i dytë me radhë që organizojnë Ditët e Diasporës, dhe ky aktivitet do të jetë tradicional.

Siç po e shihni ka aktivitete sportive dhe në orët e mbrëmjes ka aktivitete të muzikës dhe shënohet për nderë të mërgatës sonë që këto ditë qëndron në Kosovë. Besoj se po vjen duke u masivizuar akoma më shumë dhe sigurisht që vitet e ardhshme do të shtohen aktivitetet dhe do të shtohet edhe numri i pjesëmarrësve në koncerte”, u shpreh ai.

Përgjatë sheshit “Adem Jashari” në shtëpiza druri janë vendosur biznese të vogla, të cilët patën mundësi të shisnin pije të ftohta.

Njëri ndër ta ishte edhe Arlind Demiri, i cili theksoi për Ekonomia Online se aktivitete të tilla janë të mirëseardhura.

“Ka qenë zgjedhje e qëlluar. Është për tri ditë dhe është bërë për mërgimtarët që jetojnë jashtë Kosovës. Qarkullimi ka qenë i madh, po presim që edhe sonte dhe nesër të jetë njëjtë ose më shumë. Qarkullimi ka qenë i mirë, e falënderojmë Komunën, gjithçka ka qenë shumë mirë”, u shpreh Demiri.

Ndërsa nga ora 20:00, po në sheshin “Adem Jashari” do të mbahet koncerti me Sabri Fejzullahun dhe këngëtarë të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat