Forumi për platformën evropiane të sportit, Kosova pret përfaqësues nga 33 shtete

Kosova

Forumi për platformën evropiane të sportit, Kosova pret përfaqësues nga 33 shtete

Më: 29 shtator 2023 Në ora: 14:10
Foto nga vendi i ngjarjes

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) organizoi Forumin për Sportin në kuadër të Javës Evropiane të Sportit, EWOS 2023.

Temë diskutimi e këtij Forumi të Sportit ishin Java Evropiane e Sportit në Kosovë dhe Lojërat Mesdhetare "Prishtina 2030", raporton KosovaPress.

Fillimisht, fjalën e morri presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, i cili foli për fitimin e të drejtës së organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, ndërsa zbuloi se KOK-u ka fituar projektin e organizimit të Forumit Ndërkombëtarë për platformën evropiane të sportit.

"Siç e dini tashmë Komiteti Olimpik i Kosovës falë mbështetjes së madhe të marrë nga Qeveria e Kosovës dhe bashkëpunimin me Komunën e Prishtinës, komunat e tjera bashkëpjesëmarrëse, Shqipërinë dhe federatat tona sportive, kemi fituar të drejtën e organizimit të njërës prej ngjarjeve më të mëdha sportive në botë, ngjarjes shumësportëshe që bashkon 26 shtete nga tri kontinentet, pra Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030...Krahas kësaj ngjarje kemi fituar projektin e organizimit të Forumit Ndërkombëtar për platformën evropiane të sportit 2024, që nënkupton se në vendin tonë do të vijnë përfaqësues të 33 shteteve, anëtarë të organizatës ENGSO, organizatë kjo e cila vepron si ombrellë e 33 komiteteve olimpike kombëtare dhe konfederatave kombëtare të sporteve përgjegjëse për sportin bazë”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, koordinatori nacional në BeActive dhe i Javës Evropiane të sportit, Ibër Alaj, tha se kjo javë është krijuar që t’i jap njerëzve në të gjithë botën një jetë aktive.

“Java Evropiane e Sportit promovon pjesëmarrjen në sport dhe në aktivitete fizike që synon të rrisë ndërgjegjësimin për përfitime të shumta të dyjave. Java Evropiane është për të gjithë pavarësisht moshës së formimit, apo nivelit të fitnesit apo edhe nxit individ...Pra, Java Evropiane është krijuar që njerëzve në të gjithë botën apo në trampolinën e saj t'i jep një jetë aktive, duke mbrojtur integritetin dhe vlerat e sportit që është një prej parimeve të lëvizjes olimpike që ne çdo herë duhet të synojmë”, tha Alaj.

Ndërkaq, rëndësinë e Javës Evropiane të Sportit e shpjegoi edhe sekretari i KOK-ut, Besim Aliti.

"Arsyeja pse kjo javë është shumë e rëndësishme është që është në përputhje, në korelacion pozitiv me qëllimet zhvillimore të Kombeve të Bashkuara, është një kampanjë e cila është drejtë për drejtë e promovuar dhe organizuar nga Komisioni Evropian, e mbështetur edhe financiarisht, dhe si e tillë për qëllim e ka aktivitetin si pjesë e jetës dhe si e tillë parandalon faktorë të ndryshëm të cilët janë prezent në pjesën shëndetësore të shoqërisë”, tha Aliti.

Gjatë këtij forumi u bë edhe prezantimi i videos promovuese Java Evropiane e Sportit 2022/23.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat