Sfidat në identifikimin e të pagjeturve

Kosova

Sfidat në identifikimin e të pagjeturve

Më: 23 gusht 2017 Në ora: 13:47
Ilustrim

Familjarë e të zhdukurve në Kosovë edhe njëherë kanë kërkuar nga autoritete kompetente të angazhohen më tepër për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, e sidomos në identifikimin e mbetjeve mortore.

Me këtë rast, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është zotuar se do të angazhohet që çështja e personave të pagjetur të mbyllet “shpejt dhe drejt ky kapitull për të gjithë ne”.

Ai ka thënë se është e papranueshme që për gati dy dekada, nuk është zbardhur fati i të gjitha viktimave.

President Thaçi shtoi se si protagonist i zhvillimeve politike në vend, por edhe në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, mbetet i angazhuar që çështja e të pagjeturve të trajtohet dhe të mbyllet me urgjencë.

Në konferencën e organizuar nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, më temën “Sfidat në identifikim” presidenti Thaçi ka thënë se “bashkëpunimi që keni në mes vete, tejkalimi i ndasive përgjatë vijave etnike, kuptimi se kemi dëshira të njëjta, janë shembull për të gjithë ne”.

“Duke parë shembullin tuaj, jam bindur për nevojën për të iniciuar themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe për Pajtim në Kosovë”, ka thënë Thaçi .

Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Personave të Pagjetur, njëherësh kryetar i Qendrës Burime për Personat e Zhdukur, ka thënë se është kërkuar “ndryshimi i strategjisë së punës për personat e pagjetur, por kjo ende nuk ka ndodhur”.

Kurse Milorad Trifunoviq, nënkryetar i kësaj qendre, njëherësh përfaqësues i Shoqatës se të zhdukurve serbë në Kosovë, duke folur për sfidat e identifikimit të mbetjeve mortore, ka thënë se “në vitin 1999- 2000, shumica e personave janë varrosur në formën klasike, pa analiza të AND-së”.

Për këtë ai ka ftuar të gjithë familjarët e të zhdukurve apo të varrosurve që të pranojnë edhe një herë të bëjnë analiza, në mënyrë që të vërtetohet se në varreza gjenden familjarët e tyre.

Edhe presidenti Thaçi ka thënë se është i njoftuar edhe me sfidën e identifikimit të mbetjeve mortore.

Presidenti Thaçi është shprehur se “këtë dhimbje e ndajmë të gjithë, sikur që ndajmë edhe përkushtimin që të identifikohen të gjitha viktimat, të gjitha mbetjet e gjetura, porse kjo çështje kërkon maturi, durim dhe dhembshuri nga të gjithë ne”.

Sipas shënimeve zyrtare edhe rreth 1600 persona konsiderohen të zhdukur që prej përfundimit të luftës në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat