Nderohet jeta dhe vepra e Dëshmorit të Kombit, Bilall Shala

Kosova

Nderohet jeta dhe vepra e Dëshmorit të Kombit, Bilall Shala

Më: 29 gusht 2018 Në ora: 12:52
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga drejtorë të drejtorive komunale

Gjatë ditës së sotme, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga drejtorë të drejtorive komunale, kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Gafurr Bytyçi, veteranëve të luftës së UÇK-së dhe dhjetëra qytetarë bën homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në përkujtim të Dëshmorit të Kombit, Bilall Shala, në përvjetorin e rënies së tij.

Me këtë rast, i pari i Ferizajt, Agim Aliu, tha se familjet që i dhanë Kosovës, dëshmorët e lirisë janë fanarët tonë në udhën e drejtë të përparimit.

Edhe Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Gafurr Bytyçi çmoi lartë veprën e dëshmorit Bilall Shala për lirinë e Kosovës.

“Sot jemi tubuar të përkujtojmë 20 vjetorin e rënies së Dëshmorit të Kombit, Bilall Shala. Bilall Shala, shembull markant i shqiptarisë dhe i kombit në përgjithësi edhe i luftës gjithsesi. Ishte pjesëmarrës në luftë, në brigadën 121, por vjen me detyrë të caktuar në Ferizaj dhe këtu hetohet nga okupatori, spiunët dhe arrestohet dhe në arrest, serbët gjakatar e vrasin Bilallin, e masakrojnë por nga goja e Bilallit nuk nxorën asnjë fjalë. Bilalli ishte shembull i sakrificës deri në vdekje për t’i shërbyer atdheut. Ne sot bëmë homazhe, falënderoj të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen në këto homazhe” tha kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Gafurr Bytyçi.

“Sot ndihemi krenarë megjithëse kemi edhe dhembje për vëllain tonë, dëshmorin Bilall Shala por mbi të gjitha prapë se prapë dominon krenaria. Përveç dhembjes dhe krenarisë, vëllai ynë ka dhënë maksimumin për lirinë e Kosovës” tha Zenel Shala, vëllai i Dëshmorit të Kombit, Bilall Shala.

Me vendosjen e kurorave të luleve dhe përkuljen para lapidarit të Dëshmorëve të Kombit në Varrezat e Dëshmorëve të kombit të UÇK-së në Ferizaj, përfunduar homazhet në nderim të jetës dhe veprës së Dëshmorit të Kombit, Bilall Shala. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat