Ismaili për sekretarin e ri Bardiqi: Reformave në shëndetësi po i shtohet një krah i fortë

Kosova

Ismaili për sekretarin e ri Bardiqi: Reformave në shëndetësi po i shtohet një krah i fortë

Më: 31 gusht 2018 Në ora: 19:23
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka uruar Naim Bardiqin

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka uruar Naim Bardiqin për pozitën e re si sekretar i përgjithshëm në MSH, duke thënë se reformave në shëndetësi iu shtua edhe një krah i fortë.

Lexojeni postimin e plotë të Ismailit në facebook më poshtë:

Angazhimeve tona për reforma në shëndetësi, po i shtohet edhe një krah i fortë, me emërimin e Naim Bardiqit Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë se Shëndetësisë.

Që nga ditët e para kur kam marrë detyrën, më ka lënë përshtypje angazhimi dhe dedikimi i Naimit, që atë kohë ishte Drejtor i Departamentit për Planifikim Strategjik.

Vendimin për ta propozuar Naimin për këtë pozitë e kam marrë me bindjen e plotë për profesionalizmin, etikën e lartë të punës, por edhe dëshirën e tij të flaktë për t'i ndihmuar qytetarët e Kosovës.

Përpos kualifikimeve profesionale, si një onkolog i shkëlqyer që ka filluar studimet në Gjermani, Naimi ka kualitete edhe më të veçanta që e bëjnë kandidat të denjë për një pozitë të rëndësishme në Ministrinë e Shëndetësisë.

Naimi gjithë jetën e tij ka qenë i përkushtuar për t’i shërbyer vendit, edhe atëherë kur ka qenë më së vështiri, gjatë luftës në Kosovë, dhe ishte ndër të parët që u kthye nga Gjermania për të shërbyer si ushtar dhe mjek në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

E, pas luftës ai vazhdoi me angazhimin e tij si humanist, me ç'rast dërgoi për trajtim falas me qindra pacientë në Gjermani e Austri.

Për ta vazhduar reformimin e sektorit të shëndetësisë në Kosovë, përpos profesionalizmit të lartë, pozita e sekretarit kërkon edhe një vullnet të çeliktë për të bërë ndryshime rrënjësore në këtë sektor.

Mua si ministër i ri më duhet ndihma e një personi të përgjegjshëm e profesional, që nuk trembet nga sfidat dhe përgjegjësia, por përkundrazi fuqizohet nga to. Profesionalizmi i tij dhe humanizmi i dëshmuar ndër vite e dëshmojnë që Ministria Shëndetësisë ka një sekretar të duhur për t'i shtyrë përpara reformat.

Suksese Naim!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat