Kosova dhe Britania bashkë edhe me një projekt për sundimin e ligjit - Bota Sot
Kosova dhe Britania bashkë edhe me një projekt për sundimin e ligjit

Kosova

Kosova dhe Britania bashkë edhe me një projekt për sundimin e ligjit

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 12:55
Abelard Tahiri dhe Ruairi O’Connell

Ministria e Drejtësisë dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë kanë nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi për mbështetjen e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit.

Ministri Abelard Tahiri tha se presin që në fund të vitit 2020 Kosova të ketë një sistem të drejtësisë që nuk ballafaqohet me sfidat dhe problemet  aktuale. Ndërsa Ruairi O’Connell përsëriti gatishmërinë e Britanisë për t’i ofruar mbështetje shtetit të Kosovës.

Ministria e Drejtësisë dhe Ambasada Britanike në Kosovë po vazhdojnë me fazën e dytë të bashkëpunimit, me një projekt të mbështetur nga britanikët.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, u tha se rishikimi funksional është ndarë në shtatë shtylla, dhe se shtylla e parë është funksionimi i gjyqësorit, ku Ambasada Britanike ka shpreh gatishmërinë të përkrah tutje Kosovën në këtë proces.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se rishikimi funksional do të jetë një komponentë  jashtëzakonisht e rëndësishme.

Tahiri: Në vitin 2020 të kemi një sistem të drejtësisë pa problemet aktuale

“Qëllimi i kësaj është që më së largu në qershorin  e vitit të ardhshëm ta nxjerrim strategjinë nga rishikimi funksional e cila nga korriku e tutje do të fillojë implementimin . Edhe kjo strategji synon fuqizimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, synon fuqizimin e gjyqësorit, pavarësinë të mëtutjeshme të gjyqësorit, ngritjen e kapaciteteve dhe padyshim që lidhet ngusht edhe me agjendën që e lansuam dje që është ‘Drejtësia 2020’ ku për qëllim kemi që në fund të vitit 2020 të arrijmë, ta kemi një sistem të drejtësisë i cili nuk ballafaqohet me sfidat dhe problemet që është duke u ballafaquar tani”, tha Tahiri.

Këtu, sipas tij, po synohet të arrihet fuqizimi i agjencive të pavarura të zbatimit të ligjit, në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndërsa ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell tha se shteti që ai përfaqëson do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në këtë proces.

Sipas O’Connell krimi i organizuar mund të luftohet nga njerëzit që kanë trimëri.

O’Connell: Krimi i organizuar mund të luftohet me trimërinë e njerëzve në Kosovë

“Fokusi duhet të mbetët tek prioritet tashmë të identifikuara në proceset e ministrisë. Qytetarët kanë nevojë për një zbatim pa hezitim të fuqishëm, po ashtu ne kemi nevojë për të njëjtën gjë, sidomos në fushën që është përmendur më herët, çdo gjë që cenon integritetin e sistemit cenon edhe rezultatet. Kjo është përgjegjësia e Kosovës por besoj fuqimisht që edhe pse ka probleme, ka dobësi, që njerëzit brenda sistemit kanë një rast që nuk do të përsëritet, të bëhen heronj të Kosovës. Është e qartë për mua që këto dukuri, si krimi i organizuar, mund të luftohen vetëm me trimërinë e njerëzve, shteteve ku ndodhet. E di, sepse kam parë trimërinë e kosovarëve, duhet të gjejnë prokuroret e gjyqtarët atë trimëri që është treguar gjatë luftës, që të bëhen heronj tëri”, tha O’Conell.

Ai tha se Britania do të jetë çdo herë mik i Kosovës por që kanë nevojë për një Kosovë të zhvilluar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...