Naftëtarët: Rusia ka nisur investimet në sektorin e naftës në Kosovë

Kosova

Naftëtarët: Rusia ka nisur investimet në sektorin e naftës në Kosovë

Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 14:55
Naftëtarët e Kosovës sot ngritën disa shqetësime për veprimtarinë e tyre

Naftëtarët e Kosovës sot ngritën disa shqetësime për veprimtarinë e tyre, ndër to edhe kostoja e lartë e taksës për kyçje në rrugë dhe i çmimi i lartë prej 450 euro për mirëmbajtje të arkave fiskale.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve Fadil Berjani gjatë një takimi me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, kërkoi uljen ose heqjen e taksës për kyçje në rrugë që është prej dy deri katër euro për metër katrorë.

Ai tha se asnjëherë nuk e kanë kundërshtuar kontrollin e cilësisë së naftës, por kërkoi që kostoja të jetë përgjegjësi e Qeverisë jo e naftëtarëve, ndërsa ngriti edhe një shqetësim tjetër, që sipas tij, në këtë sektor ka filluar të investojë edhe Rusia.

Berjani: Në sektorin e naftës kanë filluar të hynë edhe investitorë nga Rusia

“Një kriter duhet të ndodhë sa më parë, kriteri për largësinë e pikave të karburantit. Unë sa e di, nuk e di sa keni informata ju si Qeveri, ne kemi këtu në Kosovë edhe investitorë rus. Çka ju merr mendja, nëse hyn një investitor nga Rusia, i ndërton tash edhe 100 pika të tjera të karburantit. Kriteri duhet të vendoset sa më parë, eteri për largësi, në rrugë lokale të jetë 10 km, në rrugë magjistrale 15 km, në autostradë 25 km, që është standard i BE-së”, tha Berjani.

Ndërsa, Agim Behluli naftëtar nga “Iliria”, pati vërejtje për çmimin e lartë për mirëmbajtën e arkave fiskale, që sipas tij, në rajon nuk kushton më shumë se 80 deri 100 euro.

Behluli: 450 euro për mirëmbajtje je të arkave është shumë e lartë

“Tash ka dal një problem i ri, desha me t’u drejtua ty Fadil, se kur jeni marrë vesh rreth arkave fiskale, ne i kemi paguar ato arkat fiskale, ta dimë a i kemi marrë me qira, a janë arkat fiskale tonat? Tash ka dalë një problem, ai (furnizuesi) po i kërkon 450 euro në emër të mirëmbajtjes. Nuk është normale 450 euro, në qoftë se në regjion janë prej 80 euro, maksimumi në Kroaci është 100 euro mirëmbajta, ndërsa te ne 450 euro. Po më duket pak e madhe... Rreth kyçje, unë jam për ta paguar, por jo 4 euro pasi është shumë, nuk është tokë me oriz ajo. Edhe këta njerëz që po e bëjnë pastrimin e këtyre rrugëve, kërkoni bile të na e heqin edhe neve borën. Ata veç po na e bien borën. Mbasi po na i marrin paratë, mirë kishte qenë për të na ndihmuar edhe këtu”, ka thënë Behluli.     

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ka thënë se do të gjendet një modalitet për zgjidhjen e kërkesave të naftëtarëve. Ai shtoi se taksa prej katër euro për metër katrorë do të zvogëlohet, por jo të hiqet e gjitha.

Kadriu: Taksën do ta zvogëlojmë, por nuk do ta heqim krejt

“Edhe kjo katër euro e keni ngritë zërin me u ulë, po e ulim, por nuk mundesh me hequr. Është sikur me ardhur unë në pompën tënden dhe me të thënë lëshomi t’i mua 100 metra katrorë pa para. Jo, jo. Taksa rrugore, të cilën shfrytëzon tokën e Ministrisë së Infrastrukturës le të ju prekë në setër juve”, ka theksuar Kadriu.

Ndërsa për zëvendësministrin e Financave, Hyzer Gashi, kjo taksë për buxhetin e shtetit nuk ka implikime të larta dhe si e tillë duhet zgjidhur.

Gashi: Problemet e naftëtarëve janë që mbi 5 vjet

“Qeveria ka për obligim që të komunikoi me juve pa mashtrime, pa marrë shumë kohë. Problemet janë e juaja janë mbi pesë vjet që unë i kam parë këtu, të njëjtat janë, por asnjë s’u zgjidhë. Ne jemi dëshmitarë, nga një herë problemet duken shumë të vogla për Qeverinë, por për biznesin janë shumë të mëdha”, tha Gashi.

Zëvendësministri i MTI-së, Bekim Jupa, ka thënë se ligji për naftën mbetet ende jo funksional, i cili premtoi se ky ligj sa më parë do të jetë në shërbim të naftëtarëve, ndërsa kërkoi nga naftëtarët që kërkesat e tyre t’i drejtojnë në MTI për shqyrtim.

Jupa: Ligji për naftën është jo funksional që prej vitit 2009

“Janë duke u marrë mostrat për cilësinë e naftës dhe nga të gjitha mostrat që janë duke u marrë cilësia e naftës është në nivel, në bazë të  standardeve dhe udhëzimeve administrative që janë të aplikueshme në Republikën e Kosovës. Udhëzimi Administrativ për licencimin e pompave është duke u rishikuar në bazë të kërkesave që kanë, nga ajo për me qenë më të lehta për procedurat e licencimit. Është edhe Ligji për naftën, por ky ligj është prej 2009-ës që nuk është funksional. Zoti Shala, bashkërisht edhe me kabinetin jemi zotuar që këtë ligj do ta shtyjmë përpara”, ka thënë Jupa.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës OEK, Berat Rukiqi tha se Ligji për naftën duhet të reflektojë në dobi të naftëtarëve dhe të zgjidhen disa nga problemet që ekzistojnë në këtë sektor, ndërsa iu premtoi naftëtarëve se janë në përpjekje për të zgjidhur çështjen e taksës në “Rrugën e Kombit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat