Tahiri në Departamentin e Shtetit flet për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm - Bota Sot
Tahiri në Departamentin e Shtetit flet për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm

Kosova

Tahiri në Departamentin e Shtetit flet për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm

Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 13:31
Abelard Tahiri dhe Jorgan Andrews

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, është pritur në Departamentin e Shtetit ku ka zhvilluar një takim me zëvendësndihmës sekretarin e shtetit, Jorgan Andrews, njëherit përgjegjës në Zyrën Kundër Narkotikëve dhe Çështjeve për Fuqizimin e Ligjit.

Gjatë takimit me zëvendësndihmës sekretarin e shtetit, Andrews, ministri Tahiri ka folur për angazhimin e institucioneve të rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikimin e narkotikëve, si dhe ka shpalosur rezultatet e arritura në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, rezultate që kanë kontribuar në rritjen e sigurisë dhe në forcimin e pozitës së Republikës së Kosovës në rrafshin e partneritetit rajonal dhe global në luftën kundër krimit të organizuar.

Tahiri ka vlerësuar se Republika e Kosovës çdo ditë po konsolidon pozitën e vet në rang lideri rajonal dhe më gjerë në luftën kundër narkotikëve, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Sipas një komunikate të MD-së, gjatë takimit, ministri Tahiri ka shpalosur objektivat dhe masat e parapara në Agjendën “Drejtësia 2020” në të cilën janë paraparë masa për modernizimin e Shërbimit Korrektues dhe zhvillimin e programeve për rehabilitimin dhe risocializimin e personave të dënuar, me ç ‘rast ka kërkuar zgjerimin e mbështetjes nga Zyra Kundër Narkotikëve dhe Çështjeve për Fuqizimin e Ligjit.

Ministri Tahiri ka falënderuar Andrews për mbështetjen e Departamentit të Shtetit me theks të veçantë përmes programeve të OPDAT-it dhe ICITAP-it të cilat janë të angazhuara në programin legjislativ dhe në fuqizimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Po ashtu, Tahiri ka zhvilluar një takim me Drejtoreshën e Zyrës për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Jugore në kuadër të Departamentit të Shtetit, Susan Falatko me të cilën kanë biseduar për zhvillimet politike në Republikën e Kosovës, si dhe për reformat institucionale në sektorin e sundimit të ligjit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...