OAK: Kompanitë minerare në prag të falimentimit për mos harmonizim të ligjeve

Kosova

OAK: Kompanitë minerare në prag të falimentimit për mos harmonizim të ligjeve

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 14:22
Foto nga konferenca

Gjendja momentale e sektorit minerar mbetet e rëndë dhe është duke ndikuar negativisht edhe në zhvillimin e vendit tonë. Shumë pronarë po detyrohen t’i mbyllin bizneset e tyre si pasojë e kufizimeve të mëdha dhe burokracive të panevojshme.

Kështu është thënë sot në tryezën e organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) në të cilën morën pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe bizneset e sektorit të minierave dhe mineraleve, ku janë identifikuar problemet në këtë fushë lidhur me mos harmonizimin e ligjeve, të cilat po e pengojnë të bërit biznes në Kosovë.

Kryetari i Bordit të OAK-ut, Skënder Krasniqi, tha se OAK-u është duke u angazhuar maksimalisht në identifikimin e problemeve me të cilat bizneset e sektorëve të ndryshme po përballen dhe vazhdimisht po punon në ndërmjetësimin për zgjidhjen e tyre.

Krasniqi ka thënë se paragrafi 1.1 i Nenit 30 të Ligjit për Miniera dhe Minerale thuhet se “toka e marrë  ka kohëzgjatje maksimale prej 20 viteve’, ndërsa Udhëzimi administrativ numër 10 /2010 për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit administrativ numër 41/2006 të datës 27. 12.2006, neni 4 paragrafi 13.7, thotë: “Pas marrjes së vendimit, nënshkruhet kontrata nga kryeshefi ekzekutiv i APK dhe qiramarrësit për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm me qira të pyjeve dhe tokave pyjore shtetërore deri në 5 vite”.     

Në këtë rast kreu i OAK-ut ka thënë se ekziston mungesë e harmonizimit ndërmjet Ligjit dhe Udhëzimit Administrativ dhe duke pas parasysh hierarkinë në përparësinë e normave ligjore, licenca e kufizuar në vetëm 5 vjet e pengon të bërit biznes në Kosovë.

Krasniqi: Ligjet dhe udhëzimet administrative në këtë sektor bien ndesh me njëra-tjetrën    

“Ligjet dhe udhëzimet administrative në këtë sektor bien ndesh me njëra-tjetrën. Shikuar në aspektin hierarkik ligjet janë më lart se sa udhëzimet administrative, mirëpo e kundërta po ndodh te sektori i minierave dhe mineraleve, sepse udhëzimet administrative të bëra nga Agjencia Pyjore e Kosovës gëzojnë primatin ndaj ligjeve. Anomalitë e tilla përveç që nuk duhet të ndodhin, por dëmtojnë edhe bizneset ekzistuese dhe kufizimi që po rrjedhin prej këtyre udhëzimeve administrative janë të papranueshme për çdo biznes dhe investitor të mundshëm në vendin tonë”, ka thënë Krasniqi.

Ai tha se Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon që urgjentisht të shfuqizohet ky udhëzim administrativ dhe të hiqen kufizimet në 5 hektarë dhe koha për 5 vjet.

Po ashtu, u vu në pah edhe taksa e lartë prej 20 centë për metër katrorë për ndërtim të objekteve të përkohshmen për vit, e cila sipas Krasniqi duhet të hiqet.

Ai ka thënë se fatkeqësisht Republika e Kosovës po vazhdon ende të udhëhiqet me ligje të UNMIK-ut.

Kreu i OAK ka kërkuar nga Qeveria që të zgjidhen kërkesat e këtij komuniteti, sepse mund të përballen edhe me protesta nga bizneset.

Krasniqi: Nëse nuk ndërmerr masa Qeveria, OAK dhe bizneset do të organizojnë protesta

“Në rast të mos veprimit nga ana e juaj, zotëri zëvendës ministër dhe Qeveria në përgjithësi, Oda e Afarizmit së bashku me biznese do të ndërmerr masa të ndryshme drastike siç janë protestë para qeverisë së Kosovës, ndërprerje e punës së bizneseve, që nënkupton largim nga puna e punëtorëve. Si dhe për dijeni, në këtë vit janë shuar mbi 20 mijë vende të punës, ndërkohë që mbi 30 mijë persona janë bërë të aftë për punë. Nga 1 milion e 200 mijë persona të aftë për punë në Kosovë, janë punuar vetëm 340 mijë. Kjo i bie që gati 900 mijë vetë janë të papunë, ose afër 70 për qind  është papunësia. Qeveria e Kosovës duhet të kthehet të mendojë për zhvillim dhe vetëm për zhvillim të vendit”, tha kreu i OAK-ut.

Krasniqi ka përmendur disa udhëzime administrative të bëra para 13 viteve dhe kanë mjaftuar 10 minuta punë me u marrë këto vendime dhe aq mjafton, sipas tij, për t’u hequr, në mënyrë që mos të ketë  pengesa në të ardhmen.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Vesel Krasniqi ka thënë se kërkesat dhe vërejtjet e OAK-ut dhe nga bizneset e kësaj fushe janë të arsyeshme, të cilat qeveria duhet të marrë masa.

Mirëpo, për çmimin e tarifave, ai tha se pajtohet për uljen e çmimit, por jo edhe për heqjen e tarifës pasi kjo do të shkaktojë kaos. 

Krasniqi: Kërkesat e juaja do t’i marrim parasysh

“Kërkesat e juaja, në përgjithësi, konsideroj që janë  të arsyeshme dhe të cilat ne si qeveritarë duhet t’i marrim parasysh, me shumë seriozitet dhe t’i ndryshojmë ato akte nënligjore apo edhe vetë ligjet. Nga përvoja ime njëvjeçare në Ministri të Bujqësisë, kemi punuar në këtë drejtim. Janë ngritur shumë çështje, të cilat sigurisht se do të marrin përgjigje pozitive. Ne në Ministri të Bujqësisë, një prej problemeve kryesore, problem i bartur edhe nga qeveritë e kaluara, është ndërrimi i Ligjit për Pyjet”, tha zëvendësministri Krasniqi. 

Ndërsa Binak Kalludra nga “Benita” ka theksuar se kanë shumë probleme me sipërfaqen e Agjencionit të Pyjeve të Kosovës, të cilën  e marrin për shfrytëzim. Ai kërkoi nga institucionet përkatëse të ndërmarrin masa, pasi po rrezikohen të mbesin pa punë 500 punëtorë të kësaj kompanie.

Kalludra: Jemi në gjendje të rëndë

“Problemin konkret e kemi te sipërfaqja e pylltarisë që e marrim në shfrytëzim. E kemi të kufizuar për pesë hektarë, e kemi edhe për pesë vite. Ju lutemi merrni vendim diçka se gjendja është keq, kur them keq, po nisem prej vetes. 250 punëtorë i kam aktivë edhe 250 të tjerë janë në partneritet sezonal. Ku t’i dërgojë unë këta njerëz?”, tha Kalludra. 

Gani Rugova, pronar i kompanisë “Ma.con” nga Istogu, ka mirëpritur iniciativën e OAK-ut për trajtimin e problemeve në fushën minerare, që sipas tij, ka mjaft probleme në këtë sektor.

Ai ka thënë se Agjencia e Pyjeve po e penalizon punën e tij dhe kolegëve të tjerë për taksat e larta dhe procedurat burokratike në këtë fushë.

Rugova: Jemi të ngarkuar me tarifa të larta

“Tarifat, unë nuk e di çfarë logjike ka, një tokë bujqësore më e mira në Kosovë me ujë në të shkon 200 euro. E një tokë djerrinë që as dhitë s’mund të kullosin në të, shkon dy mijë euro, edhe thirren se: “Po e stimulojmë biznesin”. Çfarë stimulimi është ky”, ka thënë Rugova.

Jenuz Bulica nga Sharrcem pati vërejte sidomos ndaj Agjencisë së Pyjeve për procedurat e pa favorshme që aplikohen ndaj tyre.

Edhe Hysni Zogaj nga OAK kërkoi urgjentisht ndryshimin e ligjit dhe udhëzimit admirativ. Ndërsa, Hamdi Malishaj prej Bordit të OAK-ut, ka thënë se zhvillimin ekonomik e bën biznesi, ndërsa rregullin e bën Qeveria, të cilat po i bën barrë për bizneset.

Sipas OAK-ut një nen tjetër që është duke dëmtuar rëndë këtë sektor është edhe qiraja tepër e madhe për sipërfaqe. 

Në këtë formë është dëmtuar rëndë ky sektor duke zvogëluar çdo ditë me rënien e punësimit dhe mbylljen e gurëthyesve, ndërsa investimi në sektorin e minierave nga investitorët vendas dhe të huaj as që mund të paramendohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat