Kontributi i të gjitha komuniteteve, i rëndësishëm për ligjet e FSK-së

Kosova

Kontributi i të gjitha komuniteteve, i rëndësishëm për ligjet e FSK-së

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 16:25
Komisionin parlamentar për Punë të Brendshme

Pas miratimit të pakos së ligjeve për FSK-në në Kuvend, Komisionin parlamentar për Punë të Brendshme është në fazën e amendamentimit të këtyre ligjeve.

Kjo u bë e ditur në dëgjim publik rreth Pakos së Projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës, organizuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në bashkëpunim me Komisionin parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Adelina Hasani nga KDI tha se është bërë më shumë se një muaj që në Kuvendin e Kosovës ka shkuar pakoja e tri projektligjeve për FSK-në, e cila ka kaluar në shqyrtim të parë dhe se organizimi i këtij dëgjimi publik bëhet me qëllim që trajtimi dhe diskutimi i pakos së tri projektligjeve të jetë sa më gjithëpërfshirës. 

Haxhi Shala, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nisma Socialdemokrate, njëherësh kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, tha se pas miratimit të pakos së ligjeve në Kuvend komisioni që ai drejton është në fazën e amendamentimit të këtyre ligjeve.

“FSK-ja është institucion kushtetues dhe kjo pako ligjore vetëm sa e avancon rolin e FSK-së. Duke e ditur rëndësinë e këtyre ligjeve për ne është shumë e rëndësi të marrim mendimet e qytetarëve dhe të gjithë akterëve të rëndësishëm në këtë proces” , ka thënë Shala duke shtuar se në momentin e miratimit të këtyre ligjeve, Kosova do të bëhet me ushtri, pavarësisht që emri nuk do t’i ndërrohet. 

Zëvendëskryetari i këtij komisioni, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, tha se FSK-ja nuk i përket vetëm një etnie, por është e të gjithë qytetarëve dhe në mbrojtje të tyre, ndërsa anëtari tjetër nga radhët e PDK-së, Fatmir Xhelili, e quajti të rëndësishme që FSK të avancojë rolin pasi ka punuar shumë në përgatitjen për transformim në ushtri.

Pjesëmarrësit në këtë dëgjim publik nga organizatat e shoqërisë civile si dhe përfaqësuesit nga të gjitha grupet e komuniteteve të cilët jetojnë në komunën e Prizrenit drejtuan pyetje dhe dhanë komente për ligjet para anëtarëve të Komisionit parlamentar.

Po ashtu deputetët iu përgjigjën interesimit të pjesëmarrësve lidhur me çështjet që ngritën karshi këtyre ligjeve. Ky dëgjim publik u organizua në kuadër të projektit për përkrahje të hulumtimeve parlamentare në Kosovë, që mbështetet nga USAID. Qëllimi i këtij projekti është që përmes hulumtimeve parlamentare të rritet cilësia e ligjeve në vend.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat