Kurti: Lobimi për Interpol i gabuar – prokuroria të hetojë shpenzimet

Kosova

Kurti: Lobimi për Interpol i gabuar – prokuroria të hetojë shpenzimet

Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 13:40
Interpol

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka komentuar zhvillimet e fundit për dështimin e Kosovës që të bëhet pjesë e organizatës ndërkombëtare për siguri Interpol.

Ai në lidhje me këtë ka fajësuar drejtues të institucioneve të Kosovës, duke thënë se qasja e tyre për lobim ka qenë e gabuar. 

Madje, ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit të hetojë të gjeturat e komisioneve hetimore parlamentare për shpenzimet e lobimit për anëtarësim në Interpol.

Kurti: Lobimi për Interpol i gabuar

“Tashmë ekziston një komision hetimor parlamentar nga Kuvendi i Republikës për shpenzimet e më hershme të lobimit. Unë besoj që nga të gjeturat e këtij komisioni, të veprojë edhe prokuroria, sepse të gjeturat e komisioneve hetimore parlamentare zakonisht përmbajnë edhe elemente të veprave penale, të cilat duhet t’i trajtojë Prokuroria e Shtetit. Por, besoj që qasja e tyre për lobim ka qenë e gabuar, sepse është një qasje e reklamës dhe tregtisë, në vend që të jetë e argumenteve faktike e historike për krimet dhe dëmet e Serbisë”, theksoi Kurti. 

Sipas tij, autoritetet e Kosovës për dështimin e anëtarësimit në Interpol po fajësojnë vetëm Serbinë, në mënyrë që të shfajësojnë veten.

Kurti shtoi se nuk ka kurrfarë kuptimi të lobohet për Kosovën, duke e harruar të kaluarën, pasi sipas tij, ‘krim mbi krimet është harrimi i krimeve’.

Kosova dje nuk mori dy të tretat e votave të nevojshme për anëtarësim në Interpol, gjë të cilën Serbia e quajti si fitore të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat