Veseli i thotë komandantit të ri të KFOR-it se ushtria formohet në dhjetor

Kosova

Veseli i thotë komandantit të ri të KFOR-it se ushtria formohet në dhjetor

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 11:33
Kadri Veseli, ka pritur sot në takim komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, Lorenzo D’Addario

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, Lorenzo D’Addario, të cilin e ka uruar për detyrën e re dhe i ka ofruar  bashkëpunim të plotë institucional në funksion të përmbushjes së detyrave dhe misionit të tij në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Në këtë takim, Kryeparlamentari Veseli dhe komandanti i ri i KFOR-it kanë diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet forcave të NATO-s në Kosovë dhe institucioneve vendore.

Komandanti i ri i KFOR-it, D’Addario, e ka njoftuar Kryeparlamentarin Veseli për gjendjen e sigurisë në Kosovë e cila është e qetë dhe stabile, ndërsa theksoi se KFOR-i ka bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë.

Veseli dhe D’Addario, po ashtu kanë diskutuar për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend dhe për të arriturat e shtetit të Kosovës në të gjitha fushat.

Kryeparlamentari Veseli e ka njoftuar komandantin e ri të KFOR-it për hapat përfundimtarë që do të ndërmerrë Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë muajit dhjetor për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.

Veseli tha me këtë rast se Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë një forcë e përgatitur mirë, multietnike dhe aleate e denjë e NATO-s për të ofruar paqe në gjithë rajonin dhe më gjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat