Rreth 260 mijë armë pa leje në duart e qytetarëve

Kosova

Rreth 260 mijë armë pa leje në duart e qytetarëve

Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 17:46
Ilustrim

Rreth 260 mijë armë pa leje gjenden në duart e kosovarëve. Shumica e tyre të gjuetisë. Por, me vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, që nga 17 dhjetori i këtij viti, ata do të mund t’i legalizojnë. Për ta bërë këtë kanë gjashtë muaj kohë. Gjatë kësaj periudhe, do të pezullohet zbatimi i nenit 374, të Kodit Penal, në bazë të së cilit parashihet dënimi me gjobë prej 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet për këdo që mbanë armë pa leje.

Gjithë qytetarët që posedojnë armë ilegale, nga mesi i dhjetorit do të mund t’i bëjnë legale ato. Gjithë kjo pas vendimit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafës, për legalizim të armëve.

Por, për t’i legalizuar armët që posedojnë kosovarët kanë kohë vetëm gjashtë muaj. 

“Afati kohor shpallet për periudhën gjashtë mujore dhe fillon nga data 17 dhjetor 2018 deri më datë 17 qershor 2019”, thuhet në vendimin e Mustafës, i cili është nënshkruar në 23 nëntor të këtij viti.

Gjatë kësaj periudhe, do të pezullohet zbatimi i nenit 374, të Kodit Penal, i cili parasheh dënim me gjobë prej 7 mijë e 500 euro ose burgim deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje.

Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, procesit të legalizimit pritet t’i nënshtrohen rreth 260 mijë armë. Aq është numri i armëve pa leje që gjenden në duart e qytetarëve në gjithë vendin.

Në këtë institucion thonë se krahasuar me vitet e kaluara, numri i armëve pa leje është ulur për rreth 100 mijë.

“Në bazë të statistikave në Kosovë gjinden rreth 260.000 armë ilegale në posedim të qytetareve. Ky numër është me i vogël për rreth 100.000 armë që nga koha e hulumtimit paraprak në të cilin kanë qenë rreth 360.000 armë ilegale”, thuhet në përgjigjet e MPB’së.

Derisa thonë se ndikim në këtë ka pasur miratimi i ligjit për armët, i cili mundëson që qytetarët të pajisen me armë në mënyrë legale, si dhe konfiskimi i rreth 1 mijë e 500 armëve për çdo vit nga Policia e Kosovës.

“Faza finale e angazhimit të MPB për uljen e numrit të armëve ilegale është edhe Ligji për legalizim dhe dorëzim vullnetarë të armëve. Bazuar në këtë ligj MPB ka nxjerrë vendimin 536 për shpalljen e periudhës së legalizimit të armëve dhe kjo periudhë është 6 mujore nga data 17 dhjetor 2018 deri më 17 qershor 2019”.

E për t’i legalizuar armët, ka disa kritere. Fillimisht arma duhet t’i përket kategorisë së lejuar për legalizim A2 dhe A16 me qëllim të çaktivizimit  B, C dhe D për qëllime të parapara me ligjin për armë.

Më pas, “qytetari duhet të shkoj në stacionin më të afërt policor dhe të deklaroj posedimin e armës ilegale, me atë rast qytetari e mbush një formular dhe e pranon një librezën e cila i shërben për transportimin e po asaj arme në kompaninë e licencuar për riparim, tregtim, çaktivizim dhe prodhim të armëve dhe kompania e ka për detyrë të përcaktoj armës se a i plotëson kushtet teknike për legalizim”, thuhet në përgjigjet e MPB’së.

Ndërkohë, në Policinë e Kosovës i kanë thënë Express se pothuajse për çdo vit konfiskojnë 1200 deri në 1500 armë të llojeve të ndryshme.

“Policia e Kosovës gjate realizimit te detyrave te saja, bene edhe konfiskimin e armeve te cilat janë duke u mbajtur pe leje nga qytetaret. Kështu gjate një viti konfiskon afërsisht 1200-1500 armë të llojeve të ndryshme, konkretisht vitin e kaluar policia ka konfiskuar 1211 armë të llojeve të ndryshme dhe 26178 copë municion”, kanë thënë në Zyrën e Informimit

Por, se sa vrasje janë kryer në vend me armë pa leje, nuk kanë dhënë informata në polici. Derisa deklarojnë se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë kryer 15 vrasje me armë të ndryshme nëpër tërë territorin e Kosovës.

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se në vitin 2017 janë evidentuar 27 raste të vrasjeve, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 janë raportuar 15 raste vrasje. Bëhet fjalë për vrasje me mjete/armë të ndryshme, të ndodhura në tërë territorin e Kosovës”

Mbajtja dhe posedimi i armëve pa leje dënohet edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Në bazë të nenit 374, i cili do të pezullohet për gjashtë muaj, kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

Nëse vepra penale nga paragrafi i parë i këtij neni përfshin më shumë se katër armë ose më shumë se 400 fishekë, kryesi dënohet me burgim prej dy deri në 10 vjet.

Ndryshe, numri kaq i madh i armëve ilegale në duart e qytetarëve, nga njohës të sigurisë ishte vlerësuar si rrezik për sigurinë e përgjithshme në Kosovë dhe në veçanti për vetë qytetarët.

Madje, sipas tyre armët ilegale janë një prej problemeve kryesore që e ka aspekti i sigurisë publike në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat