I pari, dy të tjerët si ai dhe ‘rrupuplika’ e tyre

Kultura

I pari, dy të tjerët si ai dhe ‘rrupuplika’ e tyre

Nga: Sinan Kamberaj Më: 13 janar 2019 Në ora: 08:13
Sinan Kamberaj

Kur e kap Djalli për veshi

Të Parin, atë nga të Tretë -

I thotë dhe përpiqet ta bindë

Se s’është Njeri -

Po, Mesia - vetë!

 

Pokështu edhe të Dytin e të Tretin -

Vartës e Rivalë, njëherësh, - të Tij

I kapin fët e fët dy Djaj të tjerë -

Që shtiren paksa me axhami!

 

- Mbas nesh!, - urdhërojnē dhe i çojnë diku -

Aty, ku, siç thuhet, Ata “bëjnë ve”

U thonë se gjithë ç’i rrethon është  e Tyre -

- Këtë - thonë, - e keni ‘Merituar!

Dhe … mbrapa na keni Ne!

 

Ara, Fabrika, TV

Gazeta e Kullosa,

Gjykata e Shkolla,

Bjeshkë, Banka, Burgje,

Lumenj e Miniera,

Shtalla e Sipitale

Aeroporte e Ngrohtore

Teatër e Bastore

Gurëthyes e Deponi

Autostrada e Pallate

Stadiume e Kombinate

Hotele e Motele

Pompa Benzine e Varreza -

Madje dhe Kolektorë Ujërash të Zeza

- Janë Tuajat, i shikoni?

Kapni dhe mos i Lëshoni!

 

Djajtë u thonë se pushteti i Tyre

Për sakrificat - me meritë shtrihet

Mbi çdo gjë që preket e shihet!

Dhe se në ‘Rrupuplikën’e Tyre -

Gjithçka mund të shitet e blihet!

 

Se, Ata të Tre, bashkë me të tjerë

Pronto - Pronto, ‘Trima me fletë’

Kanë dhënë gjithçka për kët’ Dhé -

Që e kanë si Fé e si Atdhe -

Ndaj, hallall e paçin - përjetë!

 

*

Netve, mbas seancash të “zjarrta”

Kur i zë dalldia n’darka n’Zanzibar -

Aty janë dhe Qoftlargët kujdestarë -

I kapin ngadalë për veshësh - bashkë

E i nxjerrin, hopa-hopa - jashtë!

 

Pastaj i çojnē në Përru t’Deviqit -

I bindin se janë - stër...

... stërnipa të Milesh Kopilit -

Shqyptarit prej Kopiliqit -

Që e ka pas’ vra Sulltan Muratin

Pse i kish pas’ ngreh’ çadrat

N’prona të Familjes së Mileshit -

N’Miniera t’sotme t’Thëngjillit -

N'Mazgit e Shipitullë -

E gjithandej - Goleshit!

 

Pastaj i kthen bashkë n’Gërmi

I çon n’Vetërnik e Hajvali -

Bogë e Bërnicë

I çon në Prevallë

E i mburr për nj’ato vila t’bukura

E i kthen prapë n’Brezovicë ...

 

E u thotë Atyre: O, Bo-bo!

Dhe, Ata -

Herë bashkë, herë veç e veç

I thonë Djallit: Jo, mor, jo!

E ai u thotë: Po, mor, po!

 

Dhe Qoftëlargu i lavdëron:

Për Demarkacion -

E për Koalicion!

 

Ai, pastaj, ua kujton një për një -

Zonat Operative!

- Si, si? - pyesin njëzërit Ata

Dhe i ngatërrojnë ato -

me Toka Kooperative!

 

- Jo, jo, s’ka Kooperativa më!

S’besoni? Ju çoj n’Kadastër!

Aty i shihni vetë Tapitë e Vjetra -

Secila, me e ruajtur se tjetra!

N’Lëkurë Thiu, me myhyrë dylli!

Qartë, qartë - si n’dritë Dielli -

‘Origjinale’, - kthyer nga Beligradi

N’Agjenci t’Privatizimit -

Me ndërmjetësim të Mrs. Mogherinit!

 

*

Kryedjalli, pastaj atë të Parin -

E kap n’gjumë t’thellë:

- E duam ‘Gjithëpërfshirësen’!

Se Grupi Negociator është pajtu’ -

Ende pa u konstituu!

Dhe Atij i bëjnë veshët:

- VV - vu - vu - vu!

 

Dhe i kujtohet ajo loja e bukur:

“Fluturon-fluturon”!

Drejt e n’Miktofon!

Ve t’paziera, klluçe - n’tym gazi:

Mono a dioksid karbon -

Që s’të mbytë, po ... politikisht -

O te shpëton, o t’sakaton!

 

*

Djajtë e tjerë i çojnë Dy të Tjerët

E i bëjnë bashkë tèt-à-tèt!

Njësoj si parvjet -

Diku, ku s’dinin n’ç’vend ishin as vetë!

 

- A e dini ku jeni, - u thonë, -

- A e dini?

S’jeni, n’Çakorr as n’Prevllakë!

N’Ujman, jo-jo, nuk jeni!

Aty është Veç i Pari -

N’barkë me motor - te Liqeni!

 

N’romanin ‘Lugjet e Verdha’ është Ai -

Ku Bardheci ia pat çu’ Ujkut

‘Djalin e hasretit’ - pa çare!

Për t’mos shkelë atë që s’shkilet -

“Fjalën e Dhânē Shqyptare”!

 

- Nesër Ju dua bashkë -

N’Çubrel - te Përroni i Keq!

Për t’mos u ra kush mësysh -

u thotë më i madhi Dreq!

 

Dy të Tjerët, s’dijnë ku janë -

Po t’Parit Përroni i bēhet ’Hotel -

Mu n’zemër t’BE - së n’Bruksel!

 

Pastaj Qoftlargu t’Parin e çon

N’Klan t’Batos - për Opinion!

Ku Ai, si i Pavarur që është

Pyetje të pavarura i shtron!

Dhe i Pari burrnisht, si n’Oda, shpjegon:

Ç’do të thotë korrigjim kufiri -

E ç’është Demarkacion!

 

Dhe, në fund, i thotë miletit

Se, për të siguruar Njohjen!

(dhe Karrikën)

S’i jep Asgjë Serbisë!

Dhe, për atë që s’e jep

Do ta fitojë, - kjo merret vesh:

Një Shllungë të Madhe -

Lesh!

*

Në mbrëmje -

Mbas TV- Kaçapordhicave

I Pari Ynë, që na e ruajtë Zoti!

Le Kryekasabanë dhe shkon

Aty ku shpirti i pushon -

Mysafir n’Vendin e Meseleve

E t’bukurave Anekdota -

Për pak relaks - në Obri!

I dërmuar, jo aq nga Djajtë -

Sa nga Dy të Tjerët e Tij!

 

Se tash sa vjet, i lodhur shumë!

Del Ponte e Baronesha Ashton

I këndojnë alternativisht ninulla

- Flej, flej! - i thonë, -

Ec e flej - kur t’ikë i lumi gjumë!

 

Dhe, në Ag, fillikat vetëm

Majë mali - n’Qyqavicë -

I kap me dorë një nga një retë!

Atij s’i shkon mbrapa Historia -

Se Historia është Ai - vetë!

PS.

Djalli këtu s’është ‘I huaji’ - siç mund të (keq)kuptohet. Është Alter-egoja e liderëve tanë që përplaset me vetën e tyre, si një patogjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat