Rrezikohet Arkivi i Kosovës

Kultura

Rrezikohet Arkivi i Kosovës

Më: 27 mars 2019 Në ora: 14:06
Foto

Kështu u tha me rastin e hapjes së Javës së Arkivit të Hapur me rastin e 68-vjetorit të themelimit, me ç’rast shumë nxënës dhe student shprehen interesimin e tyre për të parë nga afër punën që po bëhet në këtë institucion arkivor.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj tha se brenda kësaj jave  të gjithë të interesuarit mund të shohin klasifikimin, sistemimin dhe rregullimin e dokumenteve përmes  të cilave ruhet kujtesa e kombit tonë.

Sipas tij, gjithsej 8 mijë metra lëndë arkivore ruhen në këtë agjenci, por në mungesë të kushteve të duhura për ruajtjen e tyre mbi 50 për qind e dokumenteve vazhdojnë të jenë të parregulluara.

Manaj u shpreh se po punohet në drejtim të rregullimit të depos dhe rafteve të reja, ku mund të ruhen më mirë dokumentet e arkivuara.

Zelije Shala nga Departamenti i depos në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovë tha se kjo  depo është e domosdoshme të klimatizohet dhe të bëhet rregullimi i sistemit të energjisë elektrike dhe dritareve, pasi po rrezikohen dokumentet që ruhen aty.

Në bibliotekën e Agjencionit  Shtetëror të Arkivave janë të ruajtura gjithsej 8 mijë ekzemplarë dhe mbi 200 dorëshkrime.

Bibliotekarja Drita Jashari tha se kjo është bibliotekë e tipit të mbyllur, dhe libri nuk lejohet të dalë jashtë, por vetëm mund të fotokopjohet apo të lexohet në sallën e leximit.

Jashari tha se tani më pak po shfrytëzohen librat e kësaj biblioteka pasi që kryesisht librat janë të shkruar në gjuhë serbo-kroate, gjuhë kjo jo shumë e njohur nga të rinjtë.

E në laboratorin për mikrofilmim dhe digjitalizim që nga viti 2007 e deri tani janë digjitalizuar 1 milion dokumente.

Kështu për KosovaPress tha udhëheqësi i këtij departamenti, Bekim Aliu, siopas të cilit krahas procesit jo të vështirë të digjitalizimit, punëtorët po rrezikohen për shkak se disa dokumente me të cilat ata punojnë janë të mykura.

Për herë të parë Arkivin e Kosovës nga afër po e shihte edhe nxënësja, Jona Abazi nga shkolla “Meto Bajrakatari”. Duke u shprehur e kënaqur me shpjegimin e dhënë nga punëtoret e Arkivit, ajo tha se është mirë të mësojnë të rinjtë më shumë rreth restaurimit të dokumenteve që janë të vlefshme.

Ndryshe, Java e  Arkivit të Hapur do të zgjasë deri më 29 mars.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat