Të pashë në ëndërr, Komandant

Kultura

Të pashë në ëndërr, Komandant

Nga: Gezim Loka Më: 4 prill 2019 Në ora: 21:02
Gezim Loka

Ti erdhe me një hap madhështor, kokëlartë e trupdrejtë, me një vështrim që dukej sikur depërtonte në shpirt të atij peizazhi vjeshtor, mbushur me aromë mollësh dhe misrash, kumbullash dhe rrushi…

Erdhe drejt meje dhe unë pata po atë emocionin e dikurshëm, të tridhjetë e ca viteve më parë, kur pate ardhur në paradën tonë komplekse, duke sjellë me vete dritëzimin e ujëvarave dhe fëshfërimën e fletëve të asaj vere të hershme.

Kur më pyete për Lurën dhe lurianët e më the ta doja vendin tim, të bëja çdo ditë për të, atë që do të dëshiroja të bënte vendi im për mua, unë ndjeva ujëvarat e gjithë alpeve tona mrekullore të rridhnin në shpirtin tim. Ti ishe Komandanti dhe për mua si ushtarak, i betuar me jetë e vdekje për komb e flamur, ti ishe gjithçka.

Ti ishe Komandanti Suprem, ai të cilit duhet t’i bindeshin të gjithë komandantët dhe komisarët e tjerë, të çdo rangu e grade, të çdo njësie dhe reparti të Ushtrisë sonë Popullore.

Unë isha njëri prej tyre dhe isha krenar e krenar do të jem deri në çastin e fundit të jetës për këtë fakt.

Më the të isha një ushtarak dinjitoz, një njeri me vlera për shoqërinë dhe kohën. E unë këtë kam bërë, të paktën jam përpjekur të bëj, që kur jam bërë i vetdijshëm për misionin tim në jetë.

Nuk kam kërkuar kurrë privilegje e favore që s’më takonin, nuk kam kërkuar kurrë të bëjë karrierë duke shkelur me këmbë të tjerët. Populli dhe atdheu janë dy burimet ku unë pij ujin e shëndetshëm të një jete të çliruar nga hijet dhe komplekset dhe këtë ma ke mësuar Ti.

Erdhe me atë buzëqeshjen tënde të hirshme, ku fshihej një lloj ironie e hollë që mezi të lexohej. Por unë ta lexova dhe ndjeva mall.

Ta lexova dhimbjen që gjithçka e pati mbuluar pluhuri i harresës dhe keqkuptimit.

Ta lexova dhimbjen, se ushtria që ti e lë në këmbë, gjithë popullin ushtar, në mbrojtje të trojeve amëtare, të lirisë dhe të dinjitetit shoqëror, ushtria e sakrificave sublime, në emër të jetës dhe dashurisë njerëzore, ushtria e stërvitjeve dinjitoze fushave të blerta që erëmonin jonxhë, grurë e tërfil e jo si tani kanabis, ushtria e frontit të lirisë kundër frontit të së keqes prej ngado që mund të vinte, tanimë e ka humbur destinacionin fillestar dhe fuqinë e kauzës.

Janë shitur pafundësisht armë e municione dhe jo për interes të shtetit e të popullit, por të oligarkëve, por kjo nuk është më e keqja. Është shitur në tregtoret e vesit shpirti i ushtarakut dhe rrallë, shumë rrallë, mund të gjesh tani, në këtë kohë të një mijë e një çudirave, ushtarakë me përgjegjësi sublime për detyrën dhe misionin.

Ta lexova dhimbjen Komandant, se Armata e Madhe e Mbrojtjes Kombëtare, që ti e lë të pastër e të denjë për të mbrojtur çdo pëllëmbë të këtij territori, Armata e Vigjelencës dhe Syçelëtsisë përballë çdo shqote, furtune e zulme pushtimi, prej ngado që mund të guxonte të qasej drejt trojeve tona, kjo armatë fitimtarësh të pathyeshëm është kthyer në armatë tregtarësh që udhëhiqen nga oligrakët që nuk kanë të ngopur me paratë e këtij populli.

Ta lexova dhimbjen Komandant, se ajo që Ti pate projektuar me intuitë dhe gjenialitet, si hymn dhe imazh i fuqisë së një kombi të lirë dhe të pavarur, që jeton me miellin e vet, sot është kthyer në një portë të shyqer, pa liri, pa sovranitet, me politikanë të babëzitur që komandohen nga të huajt.

Ta lexova dhimbjen Komandant, se ajo që Ti pate projektuar për të mirën e popullit dhe të revolucionit, ka mbetur një ide në sirtar, e sulmuar dhe e paragjykuar nga ata që erdhën pas teje dhe e shkretuan vendin nga veriu në jug, në të katër anët e Shqiptarisë.

Ta lexova dhimbjen Komandant, se ushtria jote madhore, ushtria e luftës dhe e paqes, e lirisë dhe sovranitetit kombëtar, e Pathyeshmërisë përballë lukunive të një kohe të vështirë, mbarsur me tension dhe presione të shumëfishta, është kthyer në një ngehinë të shembur, pa rregull e disiplinë, pa vision dhe projekte, me hajdutë që shesin armë e municione dhe majmen me gjakun e këtij populli martir.

Të pashë në ëndërr Komandant!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat