Albanofobia e një shkrimtari

Kultura

Albanofobia e një shkrimtari

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 29 gusht 2019 Në ora: 07:42
Mr. sci. Sylejman Salihu

Qenka një shkrimtar në Sërbi që shkruaka libra. Madje thonë se bëka edhe letërsi! Për këtë letërsi dhe për këta libra që paska shkruar ai, qenka dekoruar, jo vetëm në vendin e tij, por kjo paska ndodhur edhe në vendin tonë, domethënë në Kosovë. Dhe ku se? Në Prishtinë, apo më saktë në një paralagje të Prishtinës, e cila tashmë si e ndarë nga kryeqendra, ka tubuar ca serbë dhe ka bërë edhe një komunë më vete, siç janë bërë shumë fshatra të tilla serbe pas lufte. Por kjo paralagje e Prishtinës e quajtur me emrin Graçanicë, që ka një kishë të moçme, qenka “rritur” dhe paska pasur fuqi që ta dekorojë një shkrimtar të amës së saj ,Sërbisë me 27 qershor 2019, për ditën e madhe të Vidovdanit, siç do ta quajnë ata. Shteti ynë bashkë me shtetarët tanë e paska ditur këtë ngjarje dhe këtë takim dhe i paska futur veshët në lesh dhe as e paska vu fare ujin në zjarr për të thënë një fjalë, se lëre më që ta kundërshtojë këtë takim dhe dekorim politik dhe aspak kulturor e aspak letrar. Këtij shkrimtari plak Graçanica e vogël, që ka pretenduar të bëhet e madhe, ia paska ndarë një çmim, një çmim ku brenda ishte një kryq, një kryq i moçëm, i një personazhi historik serb, që paska rënë shehit në Kosovë, këtu e 630 vjet më parë.

Ky farë shehiti, i quajtur Car Llazari, apo edhe Knjaz Llazari, që përkujtohet çdo vit në një ditë që serbët e kanë emëruar si Dita e Vidovdanit, paska hyrë edhe si personazh në një çmim që e ndaka Graçanica e vockël për “Humbësin e Madh”. Shkrimtari i dekoruar e paska lëshuar gjuhën e tij të gjarprit helmues dhe paska vjellë jashtëqitjet e helmatisura nga barku i tij i mbushur plot raki , me gjuhën e tij herë politike e herë kinse metaforike, duke folur kështu kryesisht për shqiptarët me një gjuhë aspak të shkrimtarit, por me një gjuhë të një urryesi, që urren një popull të tërë, ngase ky popull ia ka prishur hartën shtetërore atij dhe ia ka shkurtuar oreksin për ta pasur kafshatë edhe më tutje vendin e quajtur Kosovë. Ky shkrimtar(!) paska vjellur aq shumë me jashtëqitjet e tij foljore në Graçanicë sa paska thënë:“ Kështu një popull pakëz i njohur, pjesëtarët e të cilit kishin bisht maceje ose qeni, dhie ose kali, dhe s’ e dallonin sheqerin prej borës, siç i përshkruanin dikur hulumtuesit dhe shkencëtarët gjermanë, mbasi u dëbuan turqit, “doli prej pyllit” dhe u paraqit në skenën politike botërore. Dhe, fuqitë e mëdha evropiane, duke pasur parasysh punët dhe interesat e veta, këtij populli “bishtak” i ndihmuan që të krijojë shtetin e vet.“ 

Duke e ditur mirë se shqiptarët i ka quajtur njerëz me bisht njeriu i kopesë së tij, Vlladan Gjorgjeviqi, ai , pra shkrimtari i dekoruar(!!!) paska cituar gjoja shkencëtarët gjermanë, që e paskan hulumtuar mirë shkencërisht biologjinë, gjenetikën, anatominë dhe fiziologjinë e shqiptarëve , të cilët na paskan një lloj bishti që nuk përcaktohej saktë se çfarë, por një lloj bishti herë si të macës, herë si të qenit, herë si të dhisë e herë si të kalit!!!

Por le të shohim se ç‘ thotë më tutje për shqiptarët "penda e artë" e shkrimtarit Gojko, të dekoruarin e kishës së Graçanicës . Plaku Gojko Gjogo, autori i një libri me titull "Kohërat e leshta" vazhdon me tutje me “margaritarët” e tij duke shpifur me gjuhë urryese, fyese, shoveniste, raciste, teksa pohon se me veprimet e tyre shqiptarët paskan djegur gjithëçka që paska qenë serbe, pra paskanë djegur dhe rrafshuar përtokë shenjtërinë e dinastisë dhe mbretësisë së dikurshme serbe! “Këta djegin e rrënojnë kisha e manastire, gropojnë zemra e u nxjerrin sy njerëzve të gjallë. Këta jonjerëz, kufomavjedhës, i prishin varret dhe vatrat tona, i asgjësojnë rrënjët tona me qëllim që të shuajnë dhe kujtesën tonë.“ 

Ja pra cila është shkrimtaria e shkrimtarit Gojko, i cili dekorohet me çmimin „Kryqi i Artë i Car Llazarit“, i cili kishte ra rastësisht shehit dhe ishte shndërruar në një Humbës të Madh në një betejë, ku kishin marrë pjesë të gjithë ballkanasit, por „lavdinë“ e paska fituar ai me humbjen e tij. Shihni jashtëqitjet foljore të shkrimtarit serb, Gojko, që në paralagjen e Prishtinës, pra në Graçanicë, i thotë pa i bërë syri vërr, duke sharë një popull të lashtë paraballkanik, që edhe kur bëhet shkrumb e hi, ringjallet dhe rigjeneron gjenin e tij, për ta çuar më tutje vazhdimësinë e tij biologjike, jetësore, kulturore, historike.Por ja pra që vetë kjo ekzistencë konsistente e shqiptarëve, ia prish shumë qejfin dhe gjumin shkrimtarit të përrallave serbe, ndaj vjell e vjell, duke hequr maskën e shkrimtarit, prapa së cilës maskë fshihej ky taravol jo vetëm me bisht siç do të donte t‘ i quante ai vetë shqiptarët, por edhe me brirë. 

Gojkua i mjerë nuk ka mundur ta durojë lirinë e ilirëve të fundit, që sot quhen shqiptarë dhe kjo ia ka nxitur ndjenjën e inferioritetit duke e ditur veten një ardhacak veshur me lëkurë buajsh dhe me shkop në dorë, që ikën nga stepat e ftohta e të shkreta dhe vjen e ngroh trupin në klimën dhe Detin Adriatik që kështu pastaj të heqë lëkurën e buallit nga shpina për të hyrë në një botë të qytetëruar, nga e cila mëson zakonin e jetës dhe të rendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat