Letër përkujtese për t’ime Bijë atje në përjetësi!

Kultura

Letër përkujtese për t’ime Bijë atje në përjetësi!

Nga: Haki Latifi Më: 9 maj 2020 Në ora: 14:19
Haki Latifi

E dashtun qika jonë Lirije…

Përsëri, sot e 20 vjet që s’je ma n’mes nesh… Jam i etur për të shkrue një letër, një letër të lirë nga dyshimi, për të rishkruar atë fjalë të ëmbël jashtë dhimbjes e pikëllimit të kompozuar me gjuhën e Babës.

Vetëm kjo do të jetë vepër mbi veprat e pastaj le të shuhen letrat...

Sot që po e shkruaj këtë copë letër, e dashtun qika jonë, më 09 maj, emocionet janë si të ditës së kobshme të 09 majit të vitit 2000.

Atëherë Ti, ike me at ngutin tënde të heshtun t’u shkue n’shkollë, me marr ma shumë dije, me ba ma shumë dhe ma mirë.
Ike me energjinë tënde të pashterrun, me at dritën tënde shpirtnore që gjithkund bahej përkushtim, mirësi, edukatë, buzëqeshje, humor po edhe trishtim… Oh mjaft trishtim…

Ike me at nxitimin tënd karakteristik prej ere, me at trishtimin e fshehtë prej herioglifeje.

Ike e pakryer e plotë dhe e përkryer e plotë, sepse dha gjithçka munde dhe asnjiherë s’kqyre se çka po japin dhe çka kurdisin tjerët për ty…

Ike ashtu shpërfillse siç ishe, pse rrallë ndesh qika që dinë të buzëqeshin edhe kur turfullojnë që mbeten fisnike edhe kur dikush i shkel me dashje dhe kurrë s’ia zbehin dritën miqsisë…

Liri…Ti ishe e tillë gjithkund e me gjithkënd për aq sa Zoti të muarr me veti. Sepse, ishe nga ato të rrallat që e përditshmja e sipërfaqshme s’ti vrau dot asnjiherë besimin as thellsinë njerzore, pse ai absurd realitetesh egërshane në t’cilat Ti ecje solemne si mjelmë, kur shpirti yt rendte paprà drejt andrrash s’i tjetërsoi asgja dhe askujt s’iu ba peshë…

E sot i kemi ndër sy krejt buzëqeshjen tande, edhe kur na sillje kafet t‘i pimë bashkë me Nanën tande, me krejt bisedat që asnjiherë s’qenë të plota… dhe sot s’e besoj se ai ngut që kishe në gjithçka paska qenë ngut me ikë sa ma shpejt prej kësaj bote që kurrë s’po gjen kohë të ndalet te vlera e vërtetë e njeriut e që sot për çudi paska emnin Liri…!!!

Na fal Liri që sot, jemi shumë larg e s'mund të vijmë tek varri për të pru lule të freskëta atje në Piranë të Dardanisë. Ashtu siq vinim për çdo mot, sepse ashtë kohë Pandemie dhe e kemi lirinë e lëvizjes të kufizueme prej Shtetit tonë. Për habi… vetëm të vdekurit i lejojnë të vijnë në Kosovë!! Ndërsa t‘gjallët pra ne që për fat të mirë jetojmë, po të vinim këta të Qeverisë na m’shelin 2 javë në karantinë, sepse, ne s’jemi „të fort“ si disa… që kanë lidhje qeveritare me shkue pa një therrë n‘kamë në sh’pi. Prandaj, edhe këtu në Zvicër të kujtojmë me lotë, dhimbjen për vitet e pajetuara, kur të thamë: Lamtumirë Liri, Lamtumirë bija jonë e mirë, Lamtumirë… ti Liria jonë!

Dua të them se të gjithën që e kemi përjetuar me lot në sy, si të gjithë, normale kjo nga një ikje kaq të shpejtë dhe në një moshë kaq të re të Lirisë, por nuk kemi ç`të bëjmë, këto janë ligjet e hekurta të kornizës së kësaj jete të ciles jemi të detyruar t`i bindemi, por, nuk jemi të detyruar të mos lartësojmë emrin tënd Liri, brenda kësaj kohe të shkurtër dhe të gjatë njëkohësisht! Sepse, edhe pas 20 vite që kur na ike… e mos t’harrojë askush se pema e mirësisë, asht si ullinjtë, gjithnji e blertë, dhe sa ma shumë krasitet aq ma e fuqishme bahet!

Faleminderit të gjithë farefisit, miqëve që na dhatë forcë në ato momente të vështira për familjën!

Prehu në paqe Liria jonë e dashtun, dritë të bëftë shpirti Atje në Qiellnaj, siç bëjnë dritë virtytet njerëzore!

Engjell do t'kthehem Bijë ta dish, prej shpirtit tim do t'jap jetë!

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat