“Zëri i Masës”, tablo e Sali Shijakut

Kultura

“Zëri i Masës”, tablo e Sali Shijakut

Nga: Genc Drini Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 06:14
Genc Drini

Piktori i mirënjohur Sali Shijaku, në v. 1974, paraqet në ekspozitën kombëtare në Tiranë tablonë, “Zëri i Masës”.

Në studion e tij, sigurisht me temat e kohës, duket shpina e një telajo të madhe në kavalet, dhe përballë, pikturuar veten të rrethuar nga disa  punëtorë, të cilët gjatë procesit krijues të një subjekti që nuk shihet, se vetëm ana e pasme e kanavacës duket, i japin mendimet e tyre se si duhet ta zhvillonte tablonë. Janë krejt të pa ftuar nga piktori dhe ndërhyjnë dhunshëm në krijimin e tij. Ishte koha që partia duhet të kishte në kontroll çdo gjë. Vepra e ekspozuar, u lavdërua dhe u komentua nga kritika për zgjidhjen kompozicionale e të tjera. Dhe sot madje sheh kritika nga më fantazueset për atë tabllo ku piktori ndjehet i topitur...

Po në fakt, çfarë e ka ngacmuar Sali Shijakun për të bërë atë tablo, dhe si e ka ndjerë veten në vite? Kjo del nga vetë tabloja, po të kthehemi pas në kohë në atë vit.

Dhe këtu është rasti të tregoj një bisedë që i bën nder Sali Shijakut. Në vitin 1974 , në një ardhje të tijën në Shkodër, shoqërohej me mikun e tij, njeriun dhe piktorin e vlerave të rralla, të ndjerin Ismail Lulani. Të tre po ecnim afër sheshit ku sot është Galeria e Arteve e qytetit.

Saliu në një moment nisi tregojë për gjyqin e bujshëm që sapo ishte bërë në Tiranë (pikërisht në atë vit 1974), kundër piktorit Edison Gjergo, për ndikime të artit borgjezo revizionist në veprat e tija, dhe e dënuan me tetë vjet burg (të cilat i bëri nga v. 1974-1982).

Tregoi se në gjyqin ku do jepej dënimi, qenë thirrur të jenë prezent dhe artistë, piktorë, mes tyre dhe ai vetë. Deri këtu nuk kishte “shkelje”, po përcillte kumtin që i kërkohej. Unë dhe ai njiheshim pak me njëri tjetrin, pa supozuar përshtypjet që mund të kishte dëgjuar nga Ismaili për mua, pa për një çast nga unë, dhe nuk u step, e mbylli me shprehjen që i shumë bën shumë nder: “Në atë gjyq e ndjemë veten si te “Piktori dhe Inkuizicioni”.. Duke sjellë ndërmend gjyqin që i bëri inkuizicioni piktorit Francisko Goja dhe që gjithkush e kishte parë. Aq duhej për të parë secili prej nesh veten në Spaç.

Duket se nga ndjenjë e tillë proteste, kundër frymës shtypëse që po mbyste lirinë dhe artin,  i ka lindur dhe ideja e tablosë "Zëri i Masës" të po atij viti 1974 . Piktori i tulatur, e sheh studion, krijimin e tij, veten të uzurpuar,  nga fytyra të punëtorëve, edhe ata viktimë për vete në atë rrol që me zor i kanë vënë të lozin, por që të gjithë nën syrin e inkuizitorit të pa mëshirshëm.

Pas shënim i tepërt.

Gjatë gjithë asaj periudhe të egër, të kuqe, veç të tjerëve, pati mjaft piktorë, nga artet tjera, letrarë që për krijimtarinë e tyre i rrasën burgjeve me dhjetëra vjet. Kohë mbi shpina njerëzish!

Image

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat