Trimëria e fëmijëve

Kultura

Trimëria e fëmijëve

Nga: Isa Zymberi Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 20:53
Isa Zymberi

Ka shumëçka që fëmijët nuk njohin, e ndër këto është edhe frika. Ata frikën e mësojnë në rrugë e sipër duke u rritur. Megjithatë, në moshën ‘teenager’-e, tek ata mbizotëron guximi. Ata, mund të thuhet se janë shumë herë më trima sesa frikacakë.

Në këtë kuadër, po e ritregoj një ndodhi që mund të ketë ndodhur në realitet, ose mund të jetë edhe krijim popullor, por që ka një porosi të fortë.

Thuhet se Azem Bejta ia paska mësye një shtëpie. Afrohet te porta dhe thërret,

“O, i zoti i shpisë. A don musafir?”

“Mirë se t’ka prue Zoti.”, ia kthen nji za brenda oborrit.

I zoti i shtëpisë e hap derën, e njeh Azemin, ia jep dorën dhe i thotë:

“Po, a je si je, Azem Bejta? Hajde, mirë se t’paska prue Zoti.”

“Po hyj, veç me nji kusht,” thotë Azemi, “që në odë të mos ketë ma trima se unë.”

“Or, Azem Bejta,” ia kthen i zoti i shtëpisë, “unë mashkujt i kam t’urtë. Po edhe mos t’ishin, ku munesh me gjetë sod ma trim se Azem Bejtën.”

I zoti i shtëpisë i prinë Azemit, hyjnë në odë dhe ai e orienton Azemin drejt ballit të oxhakut. Pyesin njëri-tjetrin për shëndetin dhe mirëqenien në përgjithësi. Azemi vë re se në odë, përveç disa burrave, kishte dhe rreth pesë-gjashtë fëmijë. Ai kthehet e i drejtohet të Zotit të shtëpisë:

“Më paske tradhtue keq. A t’thashë se nuk kam qef me hy n’një odë ku ka ma trima se unë.”

Duke treguar me dorë nga fëmijët, thotë: “Po ku ka ma trima se këta? Për trimni, as unë, as ti, dhe asnji njeri n’botë nuk u afrohet këtyne.”

Trimëria e minorenëve është madhështia e tyre, kurse vetë ata janë shpresa më e madhe, e mbase, dhe e vetmja për Shqipërinë. Shqiptarët kanë kaluar shumë kohë, tepër shumë, sa rrallë ndonjë popull tjetër në botë, duke qenë si dele në raport më udhëheqjet e tyre, edhe pse ka pasur ndonjë rebelizëm të rrallë dhe një kthesë të madhe në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, e cila prodhoi më shumë shpresë sesa prosperitet dhe realizime të demokracisë së mirëfilltë.

Ata që përdorin etiketime të ulta për minorenët, vërtet duhet t’i matin fjalët.

Minorenëve u vlon gjaku dhe mund të bëjnë edhe ndonjë veprim të papranueshëm, por udhëheqja duhet ta dijë se një shkëndijë e vogël i ndez ata dhe ua mjegullon gati tërësisht sjelljen e qetë.

Sjellja e pakontrolluar dhe dhuna e forcave të rendit lënë vrragë të pashlyeshme. Nëse e mba një të ri, qoftë edhe vetëm disa orë apo dhe një natë, në qeli, do të krijosh një armik të përjetshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat