Pushka e parë e Adem Jasharit

Kultura

Pushka e parë e Adem Jasharit

Sabit Istogu Nga Sabit Istogu Më 30 dhjetor 2020 Në ora: 10:49
Komandanti legjendar Adem Jashari

Mëngjesi i 30 dhjetorit të vitit 1991, kishte aguar me të reshura të qeta të borës, por që nuk bënte shumë ftohët. Edhe dimri e ka bukurinë e vet, dhe ajo ditë, vërtet e kishte bukurinë e plotë dimërore, por jo edhe për ngjarjen e pakëndshme që u zhvillua atë ditë në Prekaz.

Ende pa u gdhirë, qindra policë serbë të armatosur, me autoblinda e automjete tjera, hynë në lagjen e Jasharëve, me qëllimin për ta rrethuar e kapur Adem Jasharin.

Kishin kaluar dhjetë vite nga rezistenca e fuqishme e Tahir Mehës kundër forcave policore serbe, dhe sërish policia kishte tentuar ta bënte edhe një rrethim tjetër, por kësaj radhe pa sukses, sepse që në fillim hasën në rezistencën e fortë të Adem Jasharit dhe familjes së tij, qëllim ky që nuk u realizua.

Ne që ndodheshim jo larg lagjes së Jasharëve, i dëgjuam të shtënat e automatikëve, por nuk dinim se ç’po ngjante, kurse më pas dëgjuam zërin e zmadhuar në megafon nga policët serbë, duke i bërë thirrje Ademit që ai të dorëzohej. Tek atëherë morëm vesh se ç’po ndodhte atje. Kur e kuptova për ngjarjen dhe rrethimin e shtëpisë së Shban Jasharit, u shqetësova tepër, sepse mendoja për një tragjedi të përmasave të mëdha, pasi që kohë më parë Hamza më kishte thënë se çfarëdo që do t’na ndodhë me pushtetin okupues, e ajo do t'na ndodhë një ditë, Ademi e ka vendosur të mos dorëzohet dhe të bëjë luftë me forcat policore serbe.

Me disa të tjerë, u ngjitëm malit dhe kaluam ne vendin e quajtur ”Mishlan” sipër lagjes së Jasharëve, për ta vëzhguar këtë ngjarje më mirë. Kishte shumë njerëz përreth. Në ndërkohë erdhi Gani Koci, dhe na këshilloi që të jemi të kujdesshëm, sepse forcat serbe po gjuajnë me snajperë. E pyeta a është në dijeni se ç’po ndodh. A din gjë për Ademin e Hamzën. Ai më tha se e rëndësishme është që Ademi Hamza e Rifati kanë arritur ta kalojnë rrethimin dhe ndodhen këtu në malet e afërta. Kjo më gëzoi pa masë, sepse tek atëherë isha i bindur se nuk do të ketë tragjedi, çfarë i kisha paramenduar se do të mund të ngjanin. Nga kjo kodrinë vërenim se forcat e policisë serbe kishin nxjerrë nga shtëpitë e tyre shumë njerëz, dhe i kishin vendosur ashtu si kishin qenë, veshur hollë e të zbathur, në lëndinën afër trafos elektrike në mes të lagjes dhe i keqtrajtonin brutalisht. Rreth orës 12 në lagje ka zbritur një helikopter me policë të njësisë speciale serbe dhe me qentë nuhatës. Nuk ka vonuar shumë dhe policët e frikësuar, me autoblinda përpara e policë prapa, i thyenin dyert dhe hynë në oborrin e shtëpisë së Shaban Jasharit.

I kanë të gjitha, por u mungon liria

Kur një oficer i lartë i policisë serbe e ka pyetur Shaban Jasharin se të kujt janë të gjitha ato shtëpi e pasuri përreth, ai iu ka përgjigjur se të tërat janë të tij. Atëherë përse luftojnë djemtë tu kur i kanë të gjitha?! Shabani i është përgjigjur:

Të gjitha i kanë, por nuk e kanë atë më të rëndësishmen - lirinë.

Pas kësaj përgjigje, oficeri serb dhe policë tjerë të mllefosur, kanë filluar ta keqtrajtojnë rëndë Shabanin, duke i shkaktuar edhe lëndime të rënda.

Pos banorëve të lagjes Jashari, atë ditë janë keqtrajtuar edhe shumë qytetarë, të cilët në ato momente pa ditur se ç'po ndodhte, kanë kaluar atypari, apo edhe sish që kanë tentuar ta vëzhgonin këtë ngjarje. Ndër më të keqtrajtuarit ka qenë Muhamet Bajraktari nga Llausha, i cili plot tri javë ka qëndruar i shtrirë në shtrat, dhe në përkujdesje të mjekëve.

Po si u shkaktua kjo ngjarje?

Ditë më parë Adem Jashari dhe grupi i tij, sapo ishin kthyer nga ushtrimet ushtarake që i kryenin në Shqipëri. Për t’i pritë festat e fundvitit në familje, nga Gjermania, ku ndodhej duke punuar, ishte kthyer edhe Rifat Jashari, djali i madh e Shaban Jasharit. Shërbimi sekret serb, përmes agjentëve të vet, i kishte rënë në gjurmë grupit të armatosur, që sapo ishte kthyer nga Shqipëria, dhe më 29 dhjetor, ata e rrethojnë dhe e bastisin shtëpinë e Avini Ramës nga Klina e poshtme, të cilit i konfiskojnë një automatik, por për fat, nuk arrijnë ta arrestojnë atë, pasi që atë kohë Avniu ndodhej ne një dasmë tek fqinjët e tij. Në mbrëmje ai e njofton Adem Jasharin dhe së bashku takohen me grupin e luftëtarëve në lagjen Kodra, ku kanë qenë të pranishëm Ilaz, Fadil, Zenun, e Xhemë Kodra dhe të tjerë. Fadili tregon se ata atë mbrëmje janë marrë vesh së kudo që të ndeshen me forcat serbe, t'iu bëjnë rezistencë të armatosur.

Vonë në mbrëmjen e asaj nate, Ademi është kthyer në shtëpi, dhe e ka njoftuar babin Shabanin e vëllanë Rifatin. Rifati tregon se ai e ka këshilluar që të jenë të vëmendshëm dhe të kujdestarojnë atë natë, sepse ka mundësi që të nesërmen forcat policore serbe t'i rrethojnë edhe ata. Kujdestarinë e kanë kryer me radhë, ndërkaq në mëngjes Ademi. Ai rreth orës pesë të mëngjesit të 31 dhjetorit 1991, para se të zbardhë dita, i ka diktuar dritat e autoblindave në hyrje të lagjes, dhe me të shpejtë i ka njoftuar Hamzën dhe Rifatin. Të tre këta i kanë zënë pozicionet, kurse përreth mureve të oborrit, nga një dritare e vogël, i kanë parë forcat policore serbe që kishin bërë më herët rrethimin. Në anën e poshtme të shtëpisë policët kanë hasë në rezistencën e fuqishme të Ademit, ku ka pasur shkëmbim zjarri, kurse në anën e epërme të shtëpisë ka rezistuar Rifati, ndërkaq Hamza kishte një pozicion tjetër. Pas kësaj rezistence të fuqishme, janë plagosur rëndë tre policë serbë, kurse të tjerët më nuk e kanë pas guximin të depërtojnë më tej, pos që janë pozicionuar aty ku kanë qenë, pa guxuar të lëvizin, dhe kjo iu ka dhënë mundësi që Ademi, Hamza e Rifati, pa vështirësi ta kalojnë rrethimin, dhe të shkojnë drejt lagjes së Lushtakëve e Kodrajve. “Nga oborret e fqinjëve kemi pas mundësi t’i vrasim disa policë serbë, por Ademi nuk ka lejuar, pasi që ata më pas mund të kishin pasur pasoja e të na e kishin pa sherrin”, tregon Rifati.

Në hyrje të lagjes ardhjen e autoblindave serbe, e kishte diktuar edhe Sahit Jashari, i cili ka dalë nga shtëpia, në hyrje të lagjes. Ai me të shpejtë ka arritur në lagjen Kodra, dhe i ka njoftuar bashkëluftëtarët e tij, tregon Fadil Kodra. Ata menjëherë kanë dalë sipër lagjes Jashari, të cilët i kanë parë policët serbë rreth mureve dhe kanë filluar të shtien mbi ta, duke i detyruar të tërhiqen nga aty, dhe të pozicionohen në anën e poshtme. Nuk kemi ditur asgjë se ç’po ndodh me Ademin, por pas pak, ai me dy vëllezërit e tij na është bashkëngjitur dhe tek atëherë morëm vesh se ata kishin çarë rrethimin. Kjo na gëzoi të gjithëve, tregon Fadili.

Me të zbardhur drita, të gjithë këta kanë kaluar në një pozicion tjetër, në malet mes Mehajve e Kodrajve. Atje kanë ardhur edhe shumë njerëz nga disa anë të Drenicës e Kosovës, ndërkaq një helikopter sillej vërdallë mbi ta, dhe herë pas herë shtinte nga lartësia, me ç’rast janë plagosur dy veta, Vesel Selimi nga Aqareva dhe Mehaj nga Prekazi. Ata kanë kërkuar nga Ademi që t’ia fillojnë luftës, por Ademi nuk i ka lejuar, sepse për luftë ende nuk ishin pjekur kushtet dhe nuk kishte armatim për të rezistuar.

Nga ngutja, Rifati kishte dalë vetëm me çorapë e i veshur hollë, dhe pas disa orësh, Fadil Kodra i ka sjellur disa rroba e të mbathura. “Në mbrëmje, afro 20 veta kemi ngrënë dark dhe kemi qëndruar te Gani Koci në Palac. Rreth orës 24, tregon Rifat Jashari, me grupin e armatosur kemi shkuar në Abri të Elmi Zeka, ku kemi qëndruar deri të nesërmen në mbrëmje, dhe më pas kemi kaluar te Jakup Krasniqi në Negrofc. Nëna e Jakupit më ka pajisur me çorapë të punuara nga leshi, pasi që nga të ftohtit më ishin ajun (ënjtur) këmbët. Serish të nesërmen në mbrëmje jemi transferuar në një konak tjetër në të njëjtin fshat, por në shtëpinë e Shaban Shalës, ku kemi qëndruar tri javë të plota, në përkujdesje të jashtëzakonshme, qoftë me mikpritje, po ashtu edhe me ushqime.

Pas tri javë qëndrimi këtu, jemi ndarë me Ademin dhe me grupin e armatosur. Në përcjellje të Gani e Azem Sylës, gjithnjë duke iu ofruar kufirit me Shqipërinë, kemi shkuar në Prizren, në shtëpinë e Alush Shalës, tek i cili kam qëndruar një javë të plotë. Këta më pas më kanë siguruar lidhjen duke më dërguar në Zhur, dhe, nëpër borë natën, kemi kaluar kufirin dhe kemi dalë në fshatin Bardhec të Shqipërisë, prej nga një epror ushtarak nga Kukësi, me autobus më ka dërguar në Tiranë, deri në zyrën e LDK-së atje. Ata më kanë siguruar pushimin dhe fjetjen, si dhe biletën e aeroplanit për në Gjermani, ku jam kthyer në vendin e punës, përmbyll rrëfimin e tij Rifat Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat