Kur shkollohej Aza, femra e kësaj krahine jetonte e mbyllur nga mentaliteti dhe zakonet prapanike

Kultura

Kur shkollohej Aza, femra e kësaj krahine jetonte e mbyllur nga mentaliteti dhe zakonet prapanike

Nga: Rrahman Hyseni Më: 2 janar 2021 Në ora: 17:58
Arkiv

Aza Ferati Hajdari lindi më 08.02.1943 në Tupallë të Medvegjës. Ajo ishte një pishtare e madhe e arsimit shqip. Tërë jetën ia kushtoi arsimit deri në pension. Ajo punoi në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Banjë të Sijarinës. Aza është nga një familje përparimtare dhe arsimdashëse. Shkollën fillore e kreu në Banjë të Sijarinës në gjuhën serbe e më pas vazhdon shkollimin në Normalen e Prishtinës, ku në vitin 1963 diplomohet. Fillon punën në Banjë të Sijarinës dhe Tupallë. Në vitin 1964 i bashkëngjitet burrit Maliq Hajdarit ku e japin një kontribut të madh në emancipimin e brezit të ri dhe gjithë popullatës me kurse dhe në mënyra të ndryshme. Në vitin 1966 kthehet në Banjë të Sijarinës ku e merr për herë të parë klasën e parë.

Deri më 01.09.1999, kur edhe del në pension, punoi me sinqeritet dhe devotshmëri dhe ka marrë disa Mirënjohje për punën si Veterane e veçantë e arsimit. Organizoi kurse për zhdukjen e analfabetizmit me 40 vajza në fshatin Gërbac në vitin 1963. Kursi ka zgjatur 6 muaj, duke u siguruar çanta me fletore, lapsa ngjyra, material për qepje gjilpëra, penj, detergjent për rroba, brusha të dhëmbëve pastë të dhëmbëve krem për fytyrë dhe trup.

Ajo viziton shtëpi me shtëpi familjet duke iu blerë fletore, lapsa dhe ngjyra fëmijëve, në menyrë që të binden prindërit për t’i dërguar vajzat në shkollë.

Pastaj, çdo nxënës me përzgjedhje ka porositur në emër të vetë nga tri libra dhe kanë shkuar e tër klasa te posta dhe kanë marrë librat. Çfarë lumturie e papërshkruar?!

Kur shkollohej Aza, femra e kësaj krahine jetonte e mbyllur nga mentaliteti dhe zakonet prapanike. Për të ishte kohë pak e hershme. Kurrë nuk u lodh, e deshi punën me ditar në dorë.

Sot, sa e sa gjenerata flasin për mësuesen Aza dhe me të drejtë e ngjasojnë me Afërditën e Sterio Spasses.
Deri sa bisedonim për 3 orë në një kafene të Prishtinës në Dardani, ajo bëhej shend e verë dhe zemra iu bënte mal dhe shpeshherë e tradhtonte loti i gëzimit duke u përzier edhe me ngjarjet e rënda.

Tek sa rrëfente për rininë, jetën, me shumë kujtime e vuajtje falë arsimit, disa herë mundohesha t’i ndërroja temë, por ajo këmbëngulte më shumë të fliste. Kishte shumë për të folur.

Ajo nuk la pa përmendur edhe mirënjohjet, të mirat e të vështirat dhe gjithëçka nga koha e vështirë. Në të gjitha këto rethana, mësuesja Aza, me vendosmëri e përkushtim ka kontribouar në edukimin e brezave të rinj. Me dashuri bëri punë të madhe dhe të palodhshme në kulturë e në të gjitha fushat e jetës shkollore në përgjithësi. Jeton në Prishtinë dhe është në pension.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat