Një kalë me dy dengje dru ahu

Kultura

Një kalë me dy dengje dru ahu

Nga: Nexha tHalimi Më: 4 janar 2021 Në ora: 18:25
Nexha tHalimi

Morëm udhë me mëngjes për në malet e vjetra të Shalës së Bajgorës. Arritëm te vathi me kujt e Hebibit, në mes të të cilit buron nga guri uji i kthjellët malor. Vajza e vogël Dea i zgjaste duart nga njëri e tjetri dhe i treti që i afrohej afër rrethojës. Dëshironte ta prekte mëzin e kuqërremtë, me një larë të tërë përgjatë fytyrës.

-Ti do të luash me të tërë ditën, vogëlushe, - buzëqeshi Hebibi. –Unë e babai yt do të shkojmë në Pazar, me nënën e mëzit. E ti luaj deri sa të ngopesh...

E përgatiti kalin për rrugë dhe para se të merrnin udhë për në Pazar e ngarkoi me dy dengje drurë ahu. Ai e tërhoq kalin për kapistre dhe dolëm në rrugë... Vajza e vogël më hodhi një vështrim pikëllues dhe e ktheu kokën në anën tjetër.

- Çfarë ke, - ia bëra, ngaqë e kuptova fytyrën e përvajshme të Deas. Nuk foli. Ia zgjati duart mëzit dhe përmes hapësirash të telave gjemborë ia përkëdheli shenjën në fytyrë.

Ecëm rrugës, të lakuar ndër brigje e me gunga, e cila shpien për në Shalë të Bajgorës. Përkrah rrjedh uji i ftohtë, që zbret, nga bjeshkët e derdhet atje poshtë në Stan Tërg. Rrjedh uji, me gurgullimë, me takte të muzikës e cicërima zogjsh. Krijohet këngë njënjëshme e në të njëjtin çast e ndanë në copëza të barabarta jetën e banorëve, të cilën e krijojnë të përditshmen e tyre nën hije të thella malesh. Përgjatë malit me drurë ahu rrjedh uji e përgjatë ujit me shkulma mbi gur të fortë zgjatet dhe gjuha e rrugë në asfalt, e cila gjë këtë pjesë të botës e bën përrallore.

-Shpëtim për jetën në këtë hark ka sjellë rruga, - flasin pa hezitim

-Vetëm të qe rruga më e gjatë...

-Vetëm gjashtë kilometra depërton ajo në thellësinë e maleve... pak, vetëm të qe pak më e gjatë nuk do të kishte të paguar...

Ngjitemi, rrugës së shaljanëve e rrallë aty-këtu takojmë ndonjë udhëtar. Përgjatë rrugës lë gjurmë dhe kali i Hebibit me ndonjë bajgë të freskët. Ecën ngadalë, pa dhënë kurrë farë shenje nga do të kthejë-majtas apo djathtas apo do të shtrëngohet të ik para, ta ndjek hijen e vet dhe lodhjen e madhe.

Është lodhur dhe ai, udhëton me barrën e druve të njoma në shpinë tërë paraditen.

Gjersa bisedonin me Hebibin, kali nganjëherë kthen kokën dhe sikur do të thotë të vazhdojnë rrugën e të heqë sa më parë atë barrë nga shpina.

-Ecim, Hebib, - ia bëj. Të vazhdojë rrugën... Ai thuaja fare nuk dëgjon, veç flet e flet, i qan hallet e jetës. Rrëfen duke belbëzuar.

- Jam lodhur, - thotë ai dhe ofsha. E derdh shikimin nga kali i ngarkuar, i ndalur buzë rrugës në heshtje. Vetëm ndonjëherë çukërmon me këmbë... - Shikoni këtë kalë, - vazhdon me fjalë të këputura, - ec çdo herë të njëjtës rrugë. S'ka nevojë t'i prijë kalit askush, edhe ai e ka mësuar rrugën për në qytet. Ec e s'ndalet për asnjë çast. E ka kuptuar obligimin që ka për çdo ditë...

Ec kali i Habibit çdo herë me hapa të njëjtë, me rrapëllimën e patkonjve, me kokë të lëshuar që tregon se është lodhur dhe se i ka ardhur koha të heqë samarin nga shpina.

-Natyrisht, ai është lodhur, veç dhe unë jam lodhur, edhe pse sapo kam mbushur: të dyzetat. Ka ardhur koha të pushojë së bashku me kalin, kaq më tepër pse ky ka një mëz që e pret me padurim... Sido qoftë, kjo punë ka arritur te fundi i vet, dashtë e padashtë.

E ka vërejtur Habibi se më s'mund të sigurojë ekzistencën me shitjen e druve. Lakmon ai të gjejë punë tjetër. Sytë kapin hapësirat përmbi bregore. Dëgjohet këngë bilbilash dhe derdhen tufa delesh nën tingujt mallëngjyes të fyellit.

Delet qenë shpërndarë bregores sikur të ndrisnin yjet në qiellin e pafund.

Përkrah ujit malor tashmë rrëshqet dhe gjuha e përhirtë e rrugës, e cila të shpien deri në Stan Tërg në një frymë...

-E harruam kalin?

-Nuk e lë të pres me barrë në shpinë asnjëherë!

-E ndanë nga mëzi i vet i vogël?

-Ku mbet kali, - hapi krahët Hebibi.- Sesi nuk e vërejtëm nga ia mbajti?

-Ai nuk na priti derisa t'i mbyllim ne plagët!

-Kalin apo jo e kërkoni?

- Një kalë me dy dengje dru ahu...

zbriti tashmë me dy dengje dru në shpinë, - ndërsa pranë nesh kalon një bari, na rrëfen për kalin me samar, të ngarkuar me dru, të mësyrë për në Stan Tërg. Bariu ende rrëfente çfarë kishte parë. Hebibi niset ta arrij kalin, t'i shes drurët e ka dhe për të blerë shumë gjëra të nevojshme për familjen dhe katër fëmijët që i ka. Hebibi më humbi sysh e unë mora të kthehesha te Dea dhe mëzi me shenjën në fytyrë.

Tashmë bëheshin shumë orë të luanin me Dean e mëzin e vogël, herë të mërzitur e herë tjetër të harbuar, i cili kërcente para telash të vënë rreth e rreth hapësirës, për të qëndruar aty ku e kishte paraparë Habibi. Orë e çast e shikoja orën dhe vendosa tashmë të niseshim me Dean për në shtëpi, ngaqë Hebibi vonohej. Pikërisht, në rastin e ndarjes së mendjes të iknim, përnjëherë u pa Kali, i mbushur frymë dhe i ngarkuar me gjë sende. Unëe Dea ia çelëm deriçkën dhe ai vrapoi te mëzi i vet, i cili mësyu të thithte gjirin e së ëmës.

Fytyra e Deas ndriti nga gëzimi i papërshkrueshëm.

Hebibi i kishte shitur drurët, kishte blerë çfarë kishte paraparë dhe tashmë priste me gjëra në duar t'i lumturojë fëmijët e vet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat