Pse duhet me e marrë seriozisht mëtimin e Katedralës katolike në Kosovë?

Kultura

Pse duhet me e marrë seriozisht mëtimin e Katedralës katolike në Kosovë?

Nga: Esat Myftari Më: 17 janar 2021 Në ora: 06:34
Esat Myftari

Lexova reagimin e familjes së të ndiemit Prof. Anton Çetta dhe artikullin e gazetarit Imer Mushkolajt rreth përpjekjeve të Katedralës katolike të Kosovës për të përvetësue trashigiminë kulturore, politike e atdhetare të këtyne dy burrave të mëdhej të Kosovës. Po të ishte nji përpjekje e izolueme dhe e kohëve të mbrama, sigurisht që shqetësimi do të ishte i papërfillshëm, sepse do spjegohej me nji lapsus që mund t’i ndodhë jo vetem nji individi, por edhe ndonji subjekti kolektiv. Por jo, ky gabim më del si hallkë e nji zinxhiri, të farkuem tash e sa kohë, sidomos mbas pavarësisë së Kosovës e këndej.

Rreth figurës së Ibrahim Rugovës prej kohësh janë ba spekulime të këtilla që burimin e kanë te disa keqinterpretime të filozofisë politke të tij. Së pari, duhet kuptu se Rugova nuk ishte gandist siç u munduen ta paraqisnin disa analistë tanë e të huej. Por ai e luejti atë rol të jashtëm për dy arsye themelore: sepse në raport me ish Jugosllavinë e cungueme Kosova ishte e dobët ushtarakisht dhe, e dyta – dhe kjo asht kryesorja - sepse ai kishte për mision sigurimin paraprakisht të mirëkuptimit të Perendimit, faktorit që vendoste për fatet e popujve të ish Jugosllavisë e ma gjanë. Sikurse ishte i bindun se përpjekjet për konvertime masive të shqiptarëve ishin jo vetëm jasht moralit por edhe jashtë kohës. Shikue nga ky kandvështrim, shoqnimi i tij i shpeshtë me klerin katolik të Kosovës dhe glorifimi prej tij i Bogdanit dhe i plejadës së shkrimtarëve të periudhës para-osmane, përmes të cilëve trashiguem nji pjesë të mirë të dëshmive tona si gjuhë, letërsi e komb, duhet pa si nji mirënjohje historike e kumtim civilizues, por kursesi si aktivizëm i krishtenë i tij, ose i kosovarëve. Prandaj përpjekjes agresive të gazetarit italian të “Corriere della serra” për të nxjerrë nji pohim të këtillë publik prej tij, ai iu përgjigj me diplomaci të hollë me shprehjen “unë jam mysliman simbolik”.

Shikue në retrospektivë, as loja e padenjë e tinzare e Gjukanoviqit për krijimin e partisë demokristiane shqiptare në Mal të Zi me kryetar mysliman, as prova groteske e poetit për “t’i kthye në fenë e të parëve” shqiptarët e Kosovës me pikënisje në Gjakovë, nuk patën kurrfarë suksesi, sepse u defloruen jo vetëm prej djemëve sokola të shqiptarizmës, por edhe prej logjikës së kohës e zhvillimeve imponuese ndërkombëtare!

Para do kohe gazeta kroate “Globus” shkruente se ka fillue zbatimi i projektit për de-islamizimin e Kosovës. Se ky pohim i gazetës prestigjioze nuk asht nji imagjinatë e aq, e tregojnë edhe shkrimet e disave nëpër fb me sulmet e paprincipta e të turpshme kundër Islamit, kur dihet se shumica e kosovarëve i përkasin këtij besimi. Prandaj, të vjen keq kur merr veshë se klerikët e llastuem paskanë vendos me e dhanë “goditjen e madhe” përmes I. Rugovës së vdekun, me shpresën se do të trazohen e turbullohen ujnat e harmonisë fetare!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat