Botohet libri “Pa Limit” të Vilhelme Vrana Haxhirajt

Kultura

Botohet libri “Pa Limit” të Vilhelme Vrana Haxhirajt

Më: 16 mars 2021 Në ora: 18:48
Kopertina e librit

Në fund të shkurtit 2021, doli nga botimi libri “Pa Limit”(ese-publicistikë), i shkrimtares së mirënjohur, Vilhelme Vrana Haxhiraj, “Mjeshtre e Madhe”& akadmike, e nderuar me shumë çmime kombëtare dhe Nd/kombëtare.

Stafi i Shtëpisë Botuese “Europrint”, shprehet: “Është kënaqësi të punosh me një autore të tillë”.

Ashtu si makina që t’i shërbejë njeriut, kërkon shërbime, kujdes dhe veçanërisht karburant, vaj, etj..., edhe një libër që të dalë në dritë, ka nevojë për punën e shumë njerëzve. Bashkëpunëtorët e këtij libri të mrekullueshëm, nga i cili, lexuesi ka ç’të mësojë, të cilëve autorja u shpreh mirënjohjen, janë: Shtëpia Botuese “Europrint”, redaktorja Lejla Gorishti, disenjatori , Jorgo Saqellari, korrektuesja Blerina Ndreu dhe dy këshilltarët e matur të autores, Prof.dr. Akadmik, Eshref Ymeri dhe bashkëshorti i saj, Fitim Haxhiraj, i cili ka një nuhatje të jashtëzakonshme rreth situatave të ndryshme politike, ekonomike në vend dhe rajon...! Autorja falënderon kritikët, analistët, lexuesit si dhe mediat që publikojnë krijimtarinë e saj!

Përkushtim!

Këtë libër me ese dhe publicistikë, me titull “Pa limit” ia kushtoj shokut tim të jetës, Fitim Teki Haxhiraj, në 55 vjetorin e martesës sonë!

Një grua krijuese apo në fusha të tjera, që ka në krah një bashkëshort si Fitimi, ecën e sigurt në jetë, duke përballuar vështirësitë dhe pengesat e të përpjetave dhe të tatëpjetave të saj.

Shoku im i jetës, në të mira dhe të këqia,Fitimi, meriton shumë, pasi duke u martuar me të bijën e armikut të popullit, sakrifikoi profesionin e ndritur si koreograf, aktor, regjisor dhe mjeshtër i fjalës artistike në oratori, pasi e zbritën nga skena dhe i mohuan profesionin. Ashtu si unë, edhe Fitimi me “rënien e diktaturës”, gjeti veten në letërsinë time, duke e menaxhuar atë më së miri. Për këtë i jam mirënjohëse, pasi pa ndihmën e tij, nuk do të isha kjo që jam sot...

Shumë nga smirëzinjtë dhe cinikët janë shprehur: “Çfarë t’i bëjmë Fitimit, ne, se po të ishte për Vilhelmen , nuk do ta kishim lënë që të kalonte as Vjosën”. Për fatin e tyre të keq, emri i Vilhelmes kapërceu, jo Vjosën dhe Llogarain, por edhe Adriatikun, Jonin dhe oqeanet... E mira me të keqen, po u mbylle dyer dhe dritare,e gjejnë rrugën dhe do të dalin nga oxhaku...

Faleminderit miku im, për gjithçka që ke bërë! Një mirënjohje të jashtëzakonshme shprehin fëmijët tanë, Ermelinda me bashkëshortin, Lek Spathari dhe Vladimiri me bashkëshorten, Rezarta. Nesër dy nipërit tanë Ivo me të fejuarën, Arsiona, Rainhardi dhe mbesa jonë, Bianka, do të krenohen me gjyshin e tyre që ka sakrifikuasr dhe publikuar krijimtarinë e Nëna Vilit!

Me dashuri Vivra

Në vend të parafjalës!

Po i drejtohem lexuesit të krijimtarisë sime, si kritiku më i paanshëm me pak fjalë:

Përmes këtij botimi shpreh mirënjohjen time për të gjithë bashkëpunëtorët dhe komentuesit që kanë reflektuar rreth eseve apo publicistikës sime. Në nderim të mendimit të tyre të lirë, i kam pëfshirë në këtë libër që titullohet “Pa Limit”.
Librin me 103 tema, ku përfshihen ese dhe pulicistikë, e kam titulluar kështu sepse problemet sociale, që janë rrjedhojë e paaftësisë ose gabimeve të politikës së çdo ngjyre apo mosmarrëveshjeve dhe mungesës së tolerancës mes grupimeve politike, kanë qenë e janë të pranishme. Për sa kohë që në vendin tonë do të zotërojë një anomali e tillë politike dhe social- ekonomike, fatkeqësisht publicistika do të jetë e kësaj natyre. Pasi dilemat e së nesërmes nuk japin tej në horizont asnjë dritë jeshile shpresëdhnëse për ringjalljen e dinjitetit kombëtar.

Vendi ynë ka nevojë për ndryshime radikale (rrënjësore), jo ndryshim vendesh të grupimeve të caktuara politike në pushtet, ku shijnë si kali në lëmë kolltukofagët, të cilët për interesin vetjak, shfrytëzojnë postin që u është besuar nga elektorati, duke abuzuar me pushtetin që disponojnë. Këta karrigethyer kanë harruar se bota është e rrumbullakët dhe pushteti nuk është i përjetshëm.

Jeta i ngjan ujit që rrjedh, i cili gjatë rrugës merr me vete gurë, trungje, baltë dhe mbeturina. Gjatë rrjedhës shumëvjeçare uji pastrohet pak e nga pak nga mbeturinat. Atëherë për analogji, edhe pushteti gradualisht pastrohet nga elementët negativ, nga të korruptuarit, sahanlëpirësit, mashtruesit dhe hajnët. Kjo do të arrihet vetëm duke pastruar dhe pasuruar ndërgjegjen kombëtare.

Ndoshta do të lindin bijë dhe bija nënash të denjë për ta mbrojtur këtë truall autokton të larë në gjak, të cilin e kanë nxjerrë në ankand bukëshkalurit që e heqin veten ‘shqiptarë’. Historia e ka treguar se të tillët marrin mallkimin e Zotit dhe të tokës amtare, pasi nuk i kanë dalë për zot vatanit të të parëve pellazgë-ilirë-arbër...

Konsiderata!

Autorja

Vlorë 21.9.2020

Se ç’vlera ka ky libër, ne shkëputëm këto citate të vlerta:

Citate të autores nga libri “Pa limit”

*-“Kombi autokton shqiptar në trojet e të parëve pallazgo-iliro-trakë, që flet dhe trashëgon gjuhën më të lashtë, me të cilën deshifrohen gjuhët e vdekura, do të rivendosë gjithçka që i është mohuar padrejtësisht nga ardhacakët në Gad.Ilirik. Raca Pellazge-Ilire-Shqiptare, është fillesa e kombeve dhe gjuhëve në Evropë”.

*-“Drejtësia është e barasvlertë me lirinë e shpirtit, të cilën e vendos vetëm i virtytshmi! ”

* -“Vendi ynë ka nevojë për ndryshime radikale (rrënjësore), jo ndryshim vendesh të grupimeve të caktuara politike në pushtet, ku shijnë si kali në lëmë kolltukofagët, të cilët për interesin vetjak, shfrytëzojnë postin që u është besuar nga elektorati, duke abuzuar me pushtetin që disponojnë”.-

*- “ Ky vend i lashtë dhe i bukur, Parajsa ku kanë folenë dhe prehen Perënditë, u shndërrua në një varrezë gjigande. Ky vend i pasur si mbitokë e nëntokë, por tejet i varfër dhe i vuajtur, u shndërrua në një burg të madh plot me rojtarë e të burgosur!”

* - “ E sotmja shërben si ura lidhëse mes të shkuarës së pakthyeshme dhe të nesërmes dilemë.

*-“Pa kujtuar dhe analizuar të djeshmen, kurrë nuk mund të ketë zhvillim demokratik dhe as të nesërme të sigurt. Pa shëruar plagët e së djeshmes, e cila ka nevojë për një Nuremberg , pasi siç ka ndodhur gjenocid shfarosës në gjithë trojet etnike shqiptare, nuk ka ndodhur në asnjë etni tjetër në Gad. Ilirik.”

*-Pse duhej të krenoheshin shqiptarët, për një shtet që vrau ajkën, trurin dhe palcën e kombit? Apo për historinë e komunizmit? Mos vallë për radhën e qumështit e të përbrësmeve të qelbura, për mishin e kangurit, për 10 vezë në muaj, për gjysëm pule të kalbur me një këmbë, për një pako gjalp, një pako kafe në muaj, apo për tollonin? Kjo ishte një histori e turpshme për t’u shkruar dhe për t’ua lënë brezave. Duhet të shkruhet me shkronja të arta një histori kombëtare që nis nga neoliti e deri në ditët tona me të mirat dhe të këqijat e politikës.”

*-“Nëse i mungon truri dhe palca që e mban në këmb, kombi varfërohet materialisht dhe mendërisht. Pa trurin dhe palcën varfërohet dhe tjetërsohet ndërgjegja dhe identiteti kombëtar!”

*- “-Për aq kohë sa nuk funksionon si duhet shteti i së drejtës e nuk ka zbatim të ligjit, nuk ndërtohet demokracia. Për sa kohë drejtësia do të jetë në vartësi të politikës, pa një përmbysje të sistemit ligjor, pa shkarkuar nomeklaturën komuniste të ligjzbatuesve,pa dekomunistizimin e shoqërisë dhe shtetit, Reforma në drejtësi nuk do të ketë suksesin e pritshëm nga të gjithë shqiptarët, pasi në Shqipëri do të sundojë “Drejtësia e Padrejtësisë” që mbron antivlerën, vetëm se ai e blen farsitetin e vlerës me para.”

*-“ Duke njohur historinë tonë, njohim veten dhe mbrojmë identitetin kombëtar “

* -“E vërteta shkencore nuk ka nevojë për lavdi të sajuar. Artefaktet janë realitet i historisë kombëtare, janë përparësi të së vërtetës së pamohueshme e hedhur në udhëkryqet e jetës. Gjithashtu është sfidë atdhetare, morale dhe shkencore për një nivel të epërm kulturor për cilindo që ngrihet ndaj çdo lloj mashtrimi, gënjeshtre dhe falsifikimi, përmes të cilave kryhet krim ndaj kombit dhe historisë së tij!...”

* -“…Letërsia me artin që të jenë të suksesshëm dhe të luajnë rolin e tyre nxitës për emancipimin e individit, komunitetit e të rrisin ndërgjegjen kombëtare, duhet të jenë jashtë politikës dhe demogogjisë, larg shkopit magjik të partive politike” Vivra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat