Ajeti, edukatori, dëshmori

Kultura

Ajeti, edukatori, dëshmori

Nga: Ramiz Spahiu Më: 29 mars 2021 Në ora: 16:17
Profesori dëshmor Ajet Beqiri

Nuk e dinim as ne, shokët e tij te vjetër,

As rojtari plak i shkollës nuk e dinte,

Se do vinte një kohë tjetër,

Kur emri i tij mes yjeve vend te zinte.

. . . . . . . . . . . . . .

Kështu ndodh ngaherë me heronjtë qe vijnë,

Mes nesh rriten e ne s’e dimë ...

(D.Agolli, Reliket e heroit)

Sot u bën njëzet e dy vite, pa shokun tim te klasës, pa profesorin e vyeshëm, pa eprorin e nderuar te Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës, pa dëshmorin Ajet Beqiri. U lind më 10 korrik 1960 në fshatin Pemishtë te Skenderajt, nga babai Halili dhe nënë Hava. Shkollën fillore e kreu në Leçinë, gjimnazin në Runik dhe Skenderaj. Studimet për Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe ne Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës.

Pas mbarimit të studimeve për disa vite punoj mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën fillore ”Ali Kelmendi” në Leçinë. Ndërsa nga viti 1995 deri ne fund te jetës, punoi si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën e mesme teknike “Anton Çetta” në Skenderaj.

Qysh si nxënës pati interesim të veçantë për letërsinë. Ishte i pranishëm në gazetën murit dhe në revistën shkollore “Shkëndijat e Drenicës”.

Nga një shkrim i profesorit Ajet Beqiri

Në demonstrata te studentëve të vitit 1981, ishte mjaftë aktiv. Edhe më vonë ishte i pandalshëm në çdo formë të protestave ndaj pushtuesit, sikurse edhe në botën e pluralizmit demokratik, duke qene aktivist i dalluar në fshat, rrethinë dhe në nivel komunal. Me formimin e Këshillit për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive te Njeriut në Skenderaj ishte bashkëpunëtor i vyeshëm dhe anëtarë i kryesisë së KMDLNJ. Krahas kësaj u angazhua edhe në Këshillin e Emergjencës për ndihmë të popullatës civile dhe njësive ushtarake dhe ishte koordinator për ndihma në atë anë.

Pushkët e para ndaj pushtuesit e gjejnë të përgatitur shpirtërisht për rezistencë të armatosur. Në pranverën e vitit 1998 ndër të parët u angazhua për formimin e pikës ushtarake në fshatin e tij, e cila më vonë e shndërrua në Togun e Pemishtes, ku Ajeti ishte Komandant. Hamendjet e disa intelektualëve lidhur me angazhimin në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e shihte si plotësisht të pa justifikuara. Obligimet ndaj atdheut nuk guxojnë të anashkalohen nga intelektualët, thoshte. Më vonë në sajë të meritave, profesori Ajet Beqiri avancohet në detyrën e Komandanti për moral ne Batalionin e Tretë, të Brigadës 112 “Arben Haliti” . Në këtë detyrë ishte deri me 29 Mars 1999, kur ra ne altarin e lirisë bashkë me shokun e pandashëm dhe infermierin e përkushtuar për liri, Zaim Bajrami.

Ajeti, edukatori dhe mësimdhënësi shembullorë, nuk u nda nga nxënësit deri ne vdekje. Aktivitetin e pandashëm të tij si ushtarë dhe mësues e këndoi edhe poeti:

Ajet Beqiri sikur hidhte vallen

në një dorë pushkën,

në tjetrën abetaren ( Në Izbicë, Sylë Ademi )

Dhe kështu profesori, vinte ne shkollë, i lodhur nga terreni, si epror ushtarak. Armët, çantën ushtarake dhe uniformën e linte në zyrën e drejtorit dhe në klasë shkonte me rroba civile, si arsimtarë. Dhe kështu dëshmori Ajet Beqiri, duke qenë mësues dhe ushtarë, ishte edhe edukator i mirëfilltë. Si e thotë poeti, edhe ne qe u rritem me te, nuk e ditëm qe Ajeti, kishte lindur për tu bere dëshmor i lirisë, edhe pse buzëqeshja e tij te jepte me kuptua veçantinë prej edukatori dhe dëshmori.

Shtojmë ne mbyllje: dëshmori i lirisë, profesori Ajet Beqiri, ne historinë e shkollës dhe te shtetit te Kosovës, përjetësisht do te jetë edukator shembull dhënës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat