Gabime drejtshkrimore

Kultura

Gabime drejtshkrimore

Nga: Prof. Eroll Sejdiu Më: 1 maj 2021 Në ora: 22:39
Eroll Sejdiu

Rëndësi të veçantë në stabilizimin e shqipes standarde ka dhe përdorimi me vend i parafjalëve. Madje përdorimi me vend i tyre është faktor kryesor që i bën fjalitë, sidomos në tekstet shkollore të qarta, të drejta e të kuptueshme.

• Është përdorur shumë herë pa vend parafjala “nëpërmes” në vend që të përdoret parafjala: nëpërmjet.

Ja një fjali në të cilën kjo parafjalë është përdorur pa vend: “Parashikimi i motit jepet çdo ditë ‘nëpërmes’ televizionit”.

Duhet: Parashikimi i motit jepet çdo ditë NËPËRMJET (ose me anë të televizionit).

Parafjala: nëpërmes a përmes (këtu përdoret si ndajfolje) ka kuptimin kur kalohet nëpër një vend, nëpërmes një vendi, p.sh.: Nxënësi kaloi nëpërmes rrugës. Mos kalo nëpërmes bulevardit!

Prandaj, në përdorimin e këtyre fjalëve duhet pasur kujdes që, sipas kontekstit, të mos ngatërrohet parafjala: nëpërmes me parafjalën: nëpërmjet, e cila, sipas rastit, mund të zëvendësohet me shprehjen parafjalore: me anë të.

• Në rregullat e drejtshkrimit është sqaruar se parafjala: në, si dhe disa të tjera përsëriten në shkrim sa herë që bashkërenditen dy apo më shumë emra me të cilën lidhen. Ja disa shembuj: “Kështu ndodh edhe në shkollat tona, banesë, dhomë etj. Duhet: Kështu ndodh edhe në shkollat tona, në banesë, në klasë etj. “Zakonisht në vjeshtë dhe pranverë”.

Duhet: Zakonisht në vjeshtë dhe në pranverë. “Në kopshtin tënd ose atë të shkollës”. Duhet: Në kopshtin tënd ose në atë të shkollës.

• Po ashtu shumë pyetje që u bëhen nxënësve, nuk formulohen drejt gjuhësisht. Aleksandër Xhuvani, në “Fillimet e pedagogjisë”, kur bën fjalë për drejtinë gjuhësore të të pyeturit, thotë: “Fjalëza me të cilën pyesim duhet vënë në fillim të pyetjes”. P.sh.: “Njerëzit që zhyten në ujë çka marrin me vete?”

Duhet: Ç’marrin me vete njerëzit që zhyten në ujë? “Në dhomën ku flejmë a duhet të mbajmë lule?” Duhet: A duhet të mbajmë lule në dhomën e gjumit?, ose: Pse nuk duhet të mbajmë lule në dhomën e gjumit?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat