Fetva e lejimit të kafes

Kultura

Fetva e lejimit të kafes

Më: 2 maj 2021 Në ora: 11:11
Foto ilustrim

Sheiku al-Ramli – Zoti e mëshiroftë! – u pyet lidhur me një grup njerëzish që kur mblidhen së toku – jo në mënyrë të qortueshme, por duke iu drejtuar Zotit Fort-të-Lartë e duke lutur Profetin – Zoti u luttë për të e i dhëntë paqen – pinë kafe ngase ajo i ndihmon të rrinë zgjuar e pa gjumë, pra për mirë.

A është e ndaluar ta pinë atë, duke pasur parasysh që disa thonë se ajo të deh [iskar] e të merr mendjen [idrar], apo jo? A duhet vepruar siç mendon gjithë dynjaja, që ajo as nuk të deh as të merr mendjen, apo siç mendojnë disa të paktë, të kundërtën? Duhet vepruar siç pohojnë ata që e përdorin apo siç bëjnë ata që nuk e përdorin? Duhet trajtuar edhe ajo si ato pije që të dehin e të marrin mendjen, pra si diçka e ndaluar, apo jo?

Ai u përgjigj se është e lejuar që ajo të pihet. Sepse themeli, kur bëhet fjalë për gjëra konkrete, është të qenët i lejueshëm. Sepse gjërat janë krijuar për t’u bërë mirë shërbëtorëve [të Zotit]. Sikurse thuhet në sure: “Thuaj: ‘Në atë çka më është zbuluar nuk gjej kurrgjë të ndaluar’.” Dhe sepse ajo [kafeja] nuk është as dehëse e as marramendëse.

Një grup njerëzish, te të cilët kam besim, mes kërkuesve të dijes e mes atyre që e përdorin atë, më kanë njoftuar se ajo as të deh e as të merr mendjen. Dhe njoftimi [që vjen] prej të shumtëve do të ketë përparësi ndaj njoftimit [që vjen] prej të paktëve, ndërsa njoftimi [që vjen] prej atyre që e përdorin do të ketë përparësi ndaj njoftimit [që vjen] prej të tjerëve. /Marrë nga profili në Facebook i studiuesit Aurel Plasari

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat