"Bëju ai që je, njihe vetveten...!"

Kultura

"Bëju ai që je, njihe vetveten...!"

Nga: Merxhan Jakupi Më: 20 maj 2021 Në ora: 11:44
Merxhan Jakupi

Duke qenë ende i ri me moshë, kisha zënë punë në një firmë të Zvicrës. Pronari i firmës ishte nga një familje aristokrate. Nga dritarja e zyrës e shihja çdo mëngjes, duke e parkuar makinën e tij luksoze. Më pastaj vinte tek punonjësit dhe i përshëndeste. Si i ri që isha, nuk mund të fshihja admirimin tim dhe lakminë që kisha ndaj jetës së shefit tim. Mirëpo, me kalimin e kohës, duke u pjekur me moshë, zura të mendoj paksa ndryshe, madje, herë-herë sjellja e këtij shefi më dukej meskine. Vëreja se kisha pasur krizë identiteti dhe një arratisje të hapur nga vetvetja. Kaluan do kohë, kur më kisha ndërruar edhe firmën, shoku im i punës i cili punonte ende në atë firmë, më kumtoi lajmin e trishtë se shefi i firmës ku punoja më parë dhe jetën e të cilit e lakmoja, kishte bërë vetëvrasje. Në ato momente zbulova veten dhe identitetin tim të vërtetë, përballë relativitetit të moshës dhe pasurisë së fituar me punë e djersë.

Një stoik antik, që m'u kujtua në çast, kishte zënë në gojë një maksimë të bukur: "Bëju ai që je, njihe vetveten...!"

Shumë individë, të shqetësuar dhe të pakënaqur me veten, rrëshqasin në vorbullën e lakmisë ndaj njerëzve që kanë pozita dhe pasuri. Individë të tillë, tërë jetën e mashtrojnë veten, duke ngritur imazhe epërsie imagjinare e iluzore, të cilat, në fund, kthehen në një fatalizëm gjer në vdekje.

Nuk ka lajthitje më të madhe sesa të imagjinosh një personazh. Kjo të çon në imazhe lumturie që nuk ekzistojnë. Në këtë rrafsh, ato pësojnë tronditje dhe çojnë në një jetë të zbrazur dhe të shkuar huq.

Albert Ajnshtajni ka një sintagmë: "Të mohosh të qenit vetvetja është fyerje dhe nënçmim i vetes. Praktika dhe veprimi i të qenit vetvetja, e justifikueshme dhe racionale, është zbulim i identitetit dhe i origjinës, të kuptuarit e njerëzimit dhe botës që na rrethon. Këto qenie njerëzore veprojnë me intuitën që është e drejtuar nga forcat e brendshme, sipas synimeve dhe karakterit".

Kjo i përngjet çështjes që i përket narcisit, i cili kishte parë hijen e vet në ujin e pusit dhe ishte dashuruar në të. Ndërkaq, Aristoteli kishte shkruar: "Këto qenie njerëzore janë të brishta dhe irracionale, janë mbinjeri ose nën njeri. Mbinjeri janë hyjnitë, kurse nën njeri janë kafshët".

Por t'i kthehemi çështjes. Në fillim të viteve të nëntëdhjeta, diaspora ishte e brengosur, pasi që gjysmën e trupit e kishte jashtë vendit dhe gjysmën tjetër në vendlindje. Bisedat nëpër klube, me njerëz të politizuar dhe të polarizuar, në fund të javës zgjateshin deri pas mesnatës. Në tryezë, shumë afër ishte ulur një tip njeriu, arrogant, apolitik, anakronik dhe i anatemuar. Fliste me zë të lartë: "Po të isha lider do bëja shumë gjëra! Po të ishte gjallë Enver Hoxha, do t'i bënte zap shqiptarët!".

Këtij sharlatani dhe narcisi, duke i gënjyer shokët dhe veten, dëshmonte se i mungonin tiparet, atributet dhe cilësitë e të qenit njeri. Duhej të pyesnin veten të pranishmit, nëse ia vlen ta dëgjojnë e ta durojnë atë njeri ose ta kundërshtojnë dhe ta kritikojnë.

Sipas sociologëve, psikologëve dhe psiko-analistëve, gjithçka mund të ndryshojë, por uni dhe karakteri që posedon një njeri, nuk mund të ndryshojë.

Derisa qëndroja në vendlindje me pushime, duke shëtitur nëpër qytet, nëpër atë mot të vrarët, iu afrova një taksie dhe u futa në makinë. Shikova taksistin, të cilin e njoha dhe, po ashtu, edhe ai më tregoi njohësi, ndonëse kishin kaluar dhjetëra vjet që s'e kisha parë. Ishte zbehur në fytyrë dhe dukej tepër i lodhur. Pasi u përshëndetëm, kisha një ndjesi keqardhjeje, më dukej i mjerë.

"Jam zhgënjyer që u largova nga Zvicra!", më tha. S'kisha fjalë tjetër, pos një shprehje ngushëllimi, se kështu është jeta. Atëbotë m'u qartësuan paksa disa dilema, nëse kisha të drejtë apo jo që mbeta dyzet vjet me punë në Zvicër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat