Lasgushi për lirinë dhe demokracinë

Kultura

Lasgushi për lirinë dhe demokracinë

Nga: Ramiz Spahiu Më: 21 maj 2021 Në ora: 18:03
Lasgush Poradeci

Poradeci është një veçanti për letërsinë dhe kulturën tonë. Krijimtaria e tij është e përmbushur me vlera edukative, arsimore, kulturore e filozofike. Edhe mendimi i poetit për shoqërinë e sistemin shoqëror, lirinë e demokracinë, politikën e religjionin është gjithashtu me rëndësi për tu theksuar.

Sistemi shoqëror dhe diktatura zënë mjaft vend në mendimin filozofik, shoqëror dhe politik të poetit. Lasgushi e çmonte shumë lirinë, demokracinë dhe qytetërimin, ndërsa e urrente deri ne perbuzje diktaturën. Tek ne politika ia ka zënë frymën letërsisë. Artistet duan liri, jo parti mbi kokë. Kjo jetë që po e jetojmë s’është jetë ! Poeti nuk e pëlqeu mbretërinë zogiste, por ai s’pati si ta pëlqej as diktaturën komuniste, bile ketë te dytën, “mbretërinë enveriste” e urrente edhe më shumë. “Ne po vdesim për bukë, rrimë në radhë sitë na ketë ngurosur shtriga e përrallave. ... Çfarë jete po bëjmë! Mizerabël! Jemi më të pocaqisurit e Ballkanit dhe Evropës”. Këta ia kanë kaluar edhe shejtanit, thotë me një rast dhe vazhdon më tej ta shpreh mllefin ndaj sistemit diktatorial komunist duke pyetur: “Ku e gjejnë këtë të drejtë këta pushtetarë që ta shtrëngojnë rininë të jetojë në këto ferra dhe bunker. Dhe i revoltuar, vazhdon të shpreh pikpamjet e tij duke pyetur: A s’është kjo çmenduri?!

Liria, demokracia e qytetërimi janë tema që trajtohen me ëndje, dhe deri në hollësi nga Lasgush Poradeci. Poeti e urrente shumë diktaturën dhe e çmonte gjithashtu shumë lirinë, demokracinë, qytetërimin. “Sa bij nënash dergjen në fund të këtij liqeni, se djemtë tanë nuk e durojnë dot këtë jetë të mbyllur në vathë, ëndërrojnë të mjerët të dalin në botën e lirë dhe i bien me not, por … të rrallë janë ata që triumfojnë mbi vdekjen”. Dhe vazhdon më tej: “unë them se njeriu duhet të gëzojë të drejtën të shkojë ku t’i dojë e bardha zemër. Ndërsa te ne po ëndërrove të shkosh ne botën e lirë je tradhtar. Mua më vjen keq të mbytet rinia pa e parë Europën“. Vetë Lasgushi ishte njeri i dalë e i parë, një evropian i vërtetë. Në një rast gjatë bisedës me një ish nxënësin e tij diplomat thotë: "Ah sikur të kishin të gjithë udhëheqësit zemrën dhe mendjen tuaj, do të ishte Shqipëria “Amerika" e Evropës".

Në kuadër të pikëpamjeve të rëndësishme te Lasgush Poradecit, vlen te theksohet edhe botëkuptimi fetar i poetit, qëndrimi i tij ndaj fesë dhe Zotit. Dhe, ai u formua nën ndikimin e familjes, vendeve ku mësoi dhe miqve të tij të nderuar, Nolit e Fishtës. Lasgushi e adhuronte Zotin. Vente në kishë të qetësoj shpirtin dhe të marr uratën e Zotit. Kur gjithë bota besonte se ka Zot, ne do të dilnim si më të mençurit e këtij rruzulli, duke mohuar Zotin, duke mbyllur kisha e xhamia dhe duke i shendrruar ato ne depo. Por, ”gjithësia ka një Zot”, thotë dhe vazhdon më tej: “ Po të mos ishte Zoti do hanim njëri tjetrin”.

Qëndrimi i poetit ndaj fesë shihet edhe nga një bisedë që pati me një zyrtar komunist, me ç’ rast thotë: “unë jam ortodoks, kam besuar dhe besoj që ka Zot. Juve i shpallët luftë Zotit. Doni ta vrisni. E keni të kotë. Zoti nuk vritet. Ke për të parë ai do të rikthehet një ditë edhe në Shqipëri”. Dhe, tamam si një profet, poeti e parashihte rikthimin e fesë që vërtetë ndodhi pas rënjes se sistemit komunist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat