“Lëndina e pikëllimit” aty ku edhe dheu sikur lëngon

Kultura

“Lëndina e pikëllimit” aty ku edhe dheu sikur lëngon

Nga: Gjon Marku Më: 22 maj 2021 Në ora: 15:21
Gjon Marku

Murg i fjalëve mbeta peng, ndërsa zemra më rrihte prej ankthit teksa shihja në televizor fund-horizontin e një fushnaje që digjej e në vesh më buçiste krrokama e qyteteve të flijuara. Korbat u rishfaqën sërish, si re të zeza mbi çati a thua merrnin jetë në zemër të ferrit. Njerëzit e atyre anëve morën udhën pa shteg për t’i shpëtuar masakrës barbare në këtë fillim shekulli të ri. Prej syve m’u këput e ra një lot një lot i rëndë si këmbanë, ndërsa shpirti im i trazuar rrugën mori të prekte dhe retë. Një duhi e re barbare kishte shprazur gjithë fuqinë e vet në popullin e Kosovës e njerëzit pa faj vriteshin e groposeshin në varre masive nëpër proje e rëpina të nalta. U përhap ky lajm i çuditshëm ngado. Egërsohet deti ndër këto anë e dallgët ngre të larta, lumenjtë sillnin erën e gjakut të derdhur atyre anëve pa pyetur për gra e fëmijë e ndër bjeshkët e Namuna e në Malin e Shenjtë dëgjoheshin namë e gjamë ndërsa toka e Kosovës digjej e mshifte për më se njëqind vjet një brengë.      

Kombi shqiptar peshën e humbjes e ka më të tmerrshmen plagë, ndërsa Kosova s’epej edhe pse klithma e bijëve të saj s’ishte e fundit ato vinin gjithnjë e më ngjethëse, e gjithnjë e më të forta e ky ishte çmimi më i shtrenjtë që paguajmë si komb. Në kancelaritë e botës së qytetëruar shtrohej gjithnjë e më shumë pyetja e shtohej habija ç’mister?!

Ky është një vend i lirë deklarohej prej kryeqytetit të Serbisë, Beogradit ani se arkëmortet zbriti udhës pa kthim në skëterrë të frikshme pa qiell e hënë se ajo që konsiderohej prej tyre si e qartë dhe e kthjellët nuk është aspak e tillë. Haptazi apo fshehurazi përnjëmend mbi popullin e Kosovës ushtrohej dhuna më barbare e bitë e saj më fisnikë vriteshin, torturoheshin apo i plasin ndër burgje.    

 Frikëshpërfillës studentët shtatlastar dhe rinia e Kosovës kishte kohë që kërkonin liri shesheve. Në jetë ekzistojnë shumë udhë e kryeurtaku Anton Çeta rendte katund më katund e shtëpi më shtëpi të pajtonte atë popull që kishte mbërritur në zgrip e hasmin e kishte mbi shpinë.

Në pragmbrëmje, nëpër mjegullinë, në errësirë dalin paramilitarët serbë si xhindët që bëjnë magji, turreshin si kukuvajkat shtëpi më shtëpi që në hone të humbjes të çonin djemtë e Kosovës që tash po rendnin maleve në formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E kështu mëngjeset në atë vend gdhinin të mugëta, idhnake e ky popull nuk mund t’i bindej më fatit tinëzar e njerëzit që gjendeshin aty që prej zanafillës e që janë të lidhur pas vendbanimeve të tyre dhe që u mohohej e drejta për të jetuar të lirë.

Ligësht a thua se dhe hëna, yjet i kishte braktisur e veçanarisht prej institucioneve të vuajtjes së dënimit, burgjet apo territ të mbrëmjve vinin piskama therëse në atë heshtje të zbrazët që shponin qiellin. 

Shoh vendlindjen e kosovarëve. Atje kanë mbetur vetëm varre. Në këtë vend prej guri dhe dielli. Vijnë hordhi serbe që vdekja të ketë çka të kositë.

Ngrita sytë e pashë lart, po sonte thashë s’ka as hënë as yje; as zoti nuk duket kund. Shpirti mbushi zbrazëtirën, boshllëkun që pas ikjes mbetet. E tek shihja në stacione të ndryshme televizive, lajmet mbi atë që po ndodhjte në Kosovë, brenda meje u lind një dhimbje që nuk m’u sos asnjëherë po mbeti si pengu i fundfillimit të takimit tim të drejtëprdrejt me Kosovën e sa herë shkel në atë tokë të bekuar gjithnjë e gjitherë e ndjej ngado erën e rëndë të gjakut e ankthi shpirtin ma pushton.   

Netëve turrej duke u përvjedhë nëpër hije barabria që kosiste jetë njerëzish të pafajshëm si një bishë grabitëqare. Por koha rrëshqiti shpejt e prej asaj barabrie një popull i tërë mori udhën drejt Shqipërisë ku pleq, gra e fëmijë pa asnjë mbrojtje linin gjithçka e kërkonin të shpëtonin kokën, si një fill i këputur prej vendlindjes.  Po Kosova nuk jepej e djemtë e saj mbushnin formacionet luftarake. Dhe vdekja dorën s’po e ndal, vajmedet. Shumë dallgë të sulmuan herë përballë e herë pas shpine Shqipëri.

      Isha ndalur në atë vit të mbrapshtë për popullin tim, atë ditë kur e lashë mbrapa Kuksin dhe Morinën e hyra në trevën, ndoshta mbi të cilën, është njohur njëri ndër regjimet më të egra e më barbare, ai serb. Ndërmend të vijnë vargjet e Kolës poetit mirditor:

Nga kufiri verior

i vendit tim

shoh tej në horizont

ca fasho reshë të përflakura

Oh…Plagët po ndërrokan

Tokat kosovare të përgjakura.

Jo larg prej Morinës vjen njëri ndër më të bukurit e më të vjetrit qytete shqiptrare, Prizreni, i njohur për të famshmen Lidhje Shqiptare të Prizrenit, por brezi i mesëm e njeh atë nëpërmjet këngëve të thurura për të aq bukur:

…Në Prizren në të bukurin vend…

Njerzit e këtushëm tashmë pas një lufte dhe pushtimi të gjatë i janë kthyer punës dhe vështrimit drejt së ardhmes. Mbështetur në shpatin e kodrës diku shihen rrënojat e luftës por nëse ajo çka shihet është pak në kujtesën e njerëzve të këtyre anëve ka mbetur më e tmerrshmja dhe më barbarja diktaturë dhe shtypje. Ndër këto anë bajoneta ka rendur rrufe edhe mbi trupin e foshnjave 3-4 muajshe. Pikërisht këtë vend të bukur e të begatë donte ta mbante nën kthetra kuçedra serbe pse fusha e gjerë e Kosovës duket si një hambar, ndërsa nëntoka e pasur e saj fsheh thesare.

Çdo pëllëmbë toke larë me gjak të kulluar shqiptarësh.

Pjetër Geci telefonon dhe kërkon që ne të drejtohemi për në zemër të Kosovës, ku shtrihet Gjakova trime, prej nga vijnë burra me emër mes të të cilëve edhe Sulejman Vokshi. Burrat e kësaj treve kanë pasur peshë në të gjitha ngjarjet dhe momentet kyçe të historisë së Shqipërisë së Epërme por edhe të mbarë kombit shqiptar. Unë nuk do të ndalem në lavdinë dhe peshën e Gjakovës në histori, as në bukuritë mahnitëse që të ofron kjo trevë, as në miqësinë dhe mikëpritjen e miqve tanë atje por në një nga ngjarjet më tronditëse në historinë e këtij vendi ku pikërisht gjendet njëri ndër varret masive të Kosovës në “Lëndinën e pikëllimit” pagëzuar kështu prej vetë gjakovarëve pas masakrës se Mejës ku pas zhvarrimit mund të thuhet se gjendet një mal me eshtra.

Shkrimtari dhe studiuesi Pjetër Geci nuk mungon të ofrojë mikpritjen dhe gatishmërinë e tij për të vizituar Gjakovën. Biles nuk mungon të thërrasë miqtë e tij shkrimtarë dhe gazetarë në Gjakovë. Kështu sapo mbërritëm në Gjakovë u gjetëm të gjithë bashkë. Engjëll Berisha drejtori i Bibliotekës së Gjakovës i cili të trondit me dëshminë e tij kur pohon për vrasjen e njerëzve të afërm të familjes të cilëve pasi ia kanë vrarë u kan hedhur sipër librat në Shqip dhe u kanë vënë zjarrin. Dihet se Gjakova është njëra ndër trevat ku pamëshirshëm u sul barbaria serbe. Drenica dhe Gjakova ishin kthyer në kryefjalë të luftës për liri e këtu dihet se ka qënë më e madhja dhe më e ashpra goditje. Muret, rrugët, rrugicat, lagjet duket sikur akoma mbajnë erën e gjakut dhe tmerrit.

Pas një vizite në bibliotekën e Gjakovës dhe shkëmbimeve të ndërsjellta të librave me miqtë shkrimtarë atje, mësuam se në këtë bibliotekë në ditën e përfundimit të luftës, vetëm 2% e tirazhit të librave kishin qënë në gjuhën shqipe, ndërsa i gjithë fondi i trashëguar kishte qënë në gjuhën serbo-kroate, në një kohë që numri i popullsisë serbe në Gjakovë dhe rrethinat e saj nuk ishte as 0.2%. Gjithçka ishte inventarizuar me kujdes dhe më pas shikimi kishte qënë përpara. Falë punës dhe këmbënguljes së shkrimtarit Engjëll Berisha ishin krijuar ura lidhjeje me një numër jo të vogël bibliotekash dhe shtëpish botuese, dhe kështu falë këmbënguljes dhe insistimit, tashmë në fondin e kësaj biblioteke gjendeshin afro 25 mijë tituj dhe periodikë.

Pjetri na drejton drejt “Radio Gjakovës”. Një tmerr dhe katastrofë shkatërrimesh kishte ndodhur edhe në të famshmen “Radio Gjakova”, njëres ndër pioneret më potente të luftës për fjalën e lirë, për shqiptarizëm. Vjollca gazetarja e Radio Gjakovës nuk mungon të na dërgojë në të gjitha sallat e këtij institucioni prestigjioz. Shqiptarët dhe njerëzit e dijes me shumë vështërsi kanë mundur të shpëtojnë shumë prej kasetave dhe disqeve ku gjendet e arshivuar një traditë e hershme e kulturës dhe dijes. Dihet se institucionet e kulturës në Kosovë i janë nështruar dhunës dhe kontrollit të rreptë për të zhdukur gjithçka. Drejtori i Radio Gjakovës, miku ynë Skënder Bala, duke folur për vendin dhe peshën e Radio Gjakovës në momente të vështira, në mes të tjerash pohon:

“Radio Gjakova ka startuar me programin e parë të saj në vitin 1979, në nëntor, por brenda një kohe të shkurtër ajo kthehet në një institucion mjaft problematik për Beogradin dhe kështu në 1990 pushtohet nga serbët duke degdisur nga puna të gjithë gazetarët shqiptar, dhe programi u kthye në gjuhën Serbo-Kroate edhe pse audienca e saj ishte 100% shiptare.

Me 14 qershor 1999, ajo është e para radio që rinis transmetimin e programeve në të gjithë Kosovën. Kështu që me të drejtë tash thirret edhe “Lajmëtari i Lirisë”.

Është filluar direkt me lajmet dhe gjendjen në Kosovë. Gazetarët e saj janë kthyer në zëdhënës të mediave qëndrore dhe të huaja duke informuar mbi masakrën dhe gjendjen e këtushme. Vijon Drejtuesi i Radio Gajkovës Bala”. Janë tronditës dokumetarët e transmetuar prej saj mbi luftën dhe krimet e kryera në këtë trevë.   

Kastrioti, gazetari i gazetës “Bota Sot”, miqësisht propozoi vizitën tonë deri në “Luginën e Pikëllimit” ku gjendet dhe varri masiv i Mejës. Drejtori i Radio Gjakovës, Skënder Bala na shoqëron deri atje ku gjendet njëra ndër më të tmerrshmet masakra, ajo e Mejës, ku njëherësh janë varrosur eshtrat e 279 personave në një ditë. Por ky varr masiv kockash rritet përditë, për muaj, për vite. E tash numri i personave të varrosur aty ka kaluar 370. Vazhdimisht sillen eshtra dhe varrosen aty në “Lëndinën e Pikëllimit”. Poshtë nën dhe gjenden eshtrat e qindra burrave dhe grave të pafajshëm bijëve më të mirë të popullit të Gjakovës dhe trevave përreth, ndërsa sipër një mal kurorash dhe lulesh të cilat sa më shumë që ecën koha aq më shumë duket se ndjejnë pikëllim dhe tmerrin. Gjithkush bën të mbërrijë gjer në “Lëndinën e pikëllimit” natyrshëm do të ndjejë peshën e një emocioni dhe dhëmbje jo të zakontë. E thënë me fjalë është pak. E ku mund të gjenden fjalët të përshkruhet barbaria e tejskajshme. Lëndina vet duket sikur buqet nën dhe klithma. Dhëmbëshëm renkojnë eshtrat. Ndoshta ajo është lëndina dëshmitare e më të tmerrshmes masakër.

Jeni pjellë stepash, ardhur prej ferrit e gjakatarë sa sthuhet mërmëris teksa shihja atë që smund të përeshkruhet me fjalë.

Por tej saj gjendet Klina gjithashu plagshumtë, për të mbërritur gjer në Drenicën heroike, ku çdo shpat e gur, çdo gjethe e fije bari u njom me gjak të kulluar bijsh të kësaj toke. Këtej Mejës gjenden varrezat qytetare të Gjakovës. Pikërish në këto varreza gjendet një tjetër varr masiv ku janë varrosur masivisht 21 gra e fëmijë të pafajshëm vrarë të pambrojtur nga serbët. Bala, Drejtori i Radio Gjakovës prek lehtë pllakën e varrit pastaj fshin pluhurin mbi të, lehtë, sikur friket mos ju lëndon plagët foshnjave nën dhe. Sa pak mëshirë për ta. Nënat kosovare kanë blerë pëlhurë për të mbajtur zi. Eh medet si do t’i tresë dheu barbarët që si bisha u turrën mbi foshnja të njoma …. Nga tejlodhja po më duket sikur qielli po rrëzohet, as buka s’e pati të njejtën shije sot. As unëtia.

Kthehemi prej andej drejt Gjakovës me një ngarkesë të madhe dhe një tronditje të pazakontë. Koka duket se ish rënduar se tepërmi por as kafja e afruar miqësisht prej shkrimtarit Pjetër Gecit nuk kishte bërë efekt kështu që ai rendi në një farmaci të cilës vetëm ai duket se i thërriste tamam shqip, siç është vetë një shqiptar i kulluar “barnatore” të marr një qetësues.

Qesh dhe thotë- “Ani burra ai gjak i derdhun solli lirinë aq të dëshiruar… Shkrimtari Halil Haxhosaj është i interesuar veçmas për botimet e realizuara në trevën e Mirditës një pjesë të të cilave i njeh.

Tronditja që pëson njeriu pasi viziton “Lëndinën e pikëllimit” dhe varrin masiv të Mejës sikur ta shkulin me dorë mikëpritja dhe ambienti miqësor që të krijojnë miqtë kosovar.

Lart në kodrën sipër Gjakovës u ngjitëm të gjithë me ftesën e veçantë të Pjetër Gecit. Para nesh shtrihej ajo copë Kosove që tash vështrimin e hedh për nga e ardhmja. Kastrioti gazetar në Gazetën “Bota Sot” flet pak, duket se i vjen keq prej tronditjes tonë. Pjetër Geci dhe Engjëll Berisha nuk i lenë shakatë e tyre sikur të duan të shkulin nga ne gjithcka ne kishim parë e natyrshëm nuk na bënte të ndjeheshim mirë. Vjollca gazetarja e kulturës e kënaqur për emisonin e saj të mbasdites kërkon të flitet për Shqipërinë, për Shkodrën dhe traditat e saj në kulturë.

Pastaj letërsia dhe artet e këtyre anëve. Pjetri nuk mungon të pyesë për Ndoc Gjetjan. Ai vetë është dhe një kritik letrar dhe letërsinë e njeh mirë. I gatshëm të ndihmojë për institucionet në Mirditë. Është pikërisht ndërmjetësimi i tij dhe këmbëngulja e tij, që Komuna e Klinës dhe kryetari i saj Prenk Gjetaj ofrojnë për Bibliotekën Publike të Rëshenit një kompiuter, duke bërë realitet atë që Bashkia e Rrëshenit nuk e bëri për 17 vjet rresht, edhe pse çdo zyrë aty biles dhe roja ka një kompiutër. Ani thotë Pjetri le ta këtë biblioteka Publike e Rëshenit një kompiuter të ri dhe librat tonë. Por Gjakova nuk është një qytet që një ditë mjafton të shohësh dhe prekësh realitetin e saj të madh. Qëllimi ynë i ardhjes deri këtu qe “Lëndina e pikëllimit”

Tutje Bjeshkët e Nemuna sikur i bëjnë roje kësaj treve heroike. Pjetri këmbëngul që ne të rrimë, por andej nga kishim ardhur barbaria tani rendte të mbërrinte nata. Pjetër Geci sikur nuk do të ndahet, prandaj bashkë me miqtë e tij na përcjell deri në Bishtazhgjin në rrugën tonë të kthimit. Prapa lamë një mikëpritje të pazakontë dhe shkëmbimin e një përvoje të re por dhe nisjen e bashkëpunimeve tona të ardhshme. Me vete morëm edhe një copë tjetër Gjakovë pra librat interesant të Ali Podrimes, Engjëll Berishës apo Pjetër Gecit, Halil Haxhosajt e të tjerë libra të kësaj ane.

Prapa mbeti “Lëndina e pikëllimit” ndësa ne kemi marrë udhën e kthimit atëhere kur përkulet muzgu e nata bije. Errësira ra gjithka si të ishte një mëndafsh i zi si korbi njëmijëpendësh, ndërsa në kupën e qiellit thërmohen yjet. Atje duket sikur lëngon edhe dheu, ndërsa nata sikur friket të mbulojë me terr engjëjt që gjenden nën dhe. Ata të gjithë bashkë dëshmojnë pa folur njërën ndër epokat më të errëta e më mizore të njohura në Kosovë, vrasjen dhe sakatimin masiv pa pyetur për fe, moshë, gjini. Këngët dhe vajet nuk po i dalloj. Britmat, gjëmat thirrjet duket se janë njësoj. Tash s’di kush është gjallë unë a hija ime. Në zabele të mbuluara me sythe e lastarë të rinj, të njomë gjenden eshtra bijësh të Kosovës. Barbaria ka rendur këtyre anëve e dëgjohet dihatja drithëruese. Në lartësitë e bjeshkëve të tua Kosovë ku mitet dhe legjendat nuk mungojnë e vërteta është më e trishtë e më e dhimbëshme se çdo legjendë. Në këtë natë të errët pa hanë, lë mbrapa një kujtim të tmerrshëm. E lashë prapa Morinën e po i afrohesha Kukësit ku dy lumenjtë ai i Drinit të Bardhë ardhur prej Kosove e Drinit të Zi ardhur prej Ohri kryqëzohen si dy heshta përballë aty në liqenin që mprehtësisht me duket se merdhih.

Zoti i gjykoftë mëkatarët. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat