Recension i librit shkencorë, “Atenagora Profet I Bashkimit” i mons. dr. Lush Gjergjit

Kultura

Recension i librit shkencorë, “Atenagora Profet I Bashkimit” i mons. dr. Lush Gjergjit

Nga: Lekë Mrijaj Më: 1 qershor 2021 Në ora: 23:39
Kopertina e librit

Literaturës letrare, historike e shkencore në vitin 1995 i është shtuar edhe libri monografik “ATENAGORA PROFET I BASHKIMIT” i mons. dr. Lush Gjergjit. Para se të them diçka mbi këtë vepër monografie, dua të përshëndes dhe të e përgëzoj mons. Lush Gjergjin për këtë vepër të dhuruar, vepër të cilit i'a ka dedikuar Profetit të Bashkimit Atenagorës, duke e ndriçuar figurën e këtij profeti si në rrafshin Kombëtar poashtu edhe në rrafshin shpirtëror, kulturor, edukativ e njerëzor.

Vepra në fjalë e mons. dr. Lushit, hapet me hyrjen me titull: “ATENAGORA PROFET I BASHKIMIT ” e cila në përmbajtje të saj ngërthen në vete një parathënie nga ipeshkvi imzot Nikë Prela, i cili veç tjerash në parathënien e tij thotë se ky libër do të ndikoj e frymëzoj pozitivisht lëvizjen ekumenike (ndërkrishtere shënimi im L.M.) dhe dialogun ndër fetar shqiptar sepse me Atenagorën na lidhin shumëçka: kombi, feja, kultura, tradita, historia, gjuha etj., gjë që siç thotë imzot Prela, bashkimi i të krishterëve ishte edhe vet lutja e Jezusit: "... qe të gjithë të jenë një. Sikurse ti, Atë, qe je një me mua dhe unë me ty, ashtu edhe ata të jenë një me ne, qe ta kuptoj bota se si më dërgove" (Gjoni, 17, 21), e tërë kjo për t’u realizuar pas Koncilit të Dytë të Vatikanit që përcaktuar nga Atenagora, Papa i Mirë, Gjoni XXIII, dhe Papën e afrimit, Pali VI, pra ishin këta qe krijuan një klimë të re ndërkishtare tha në parathënien e tij imzot Prela.

Pastaj në përmbajtje të librit gjejmë këto të dhëna me radhë siç vijon nga kapitulli i parë:

Ekumenizmi dikur dhe sot

Në pjesën e parë të këtij libri janë përfshirë këto tema: Dekreti mbi Ekumenizmin, Ndasitë Kishtare gjatë shekujve, Kisha Ortodokse, Kisha Ortodokse Shqiptare, Kisha Katolike dhe çështja kombëtare si dhe ndarjet kishtare perëndimore ku autori mons. Gjergji në këtë pjesë përmend etimologjinë e fjalës ekumenizmi që do të thotë: nga greqishtja. οἰκουμένη - ikumeni = bota e banuar, tokë e punuar me rrënjë të fjalës ekonomia. Madje në këtë pjesë të nënkapitullit veç tjerash autori përmend dy veçori kryesore të ekumenizmit: a) Kërkimi dhe puna rreth bashkimit të të gjithë krishterëve pa asnjë dallim apo përjashtim, b) Bashkimi duhet të jetë autentik, burimor, i vërtetë dhe në tërësi ashtu siç u tha edhe në fillim (nga parathënësi imzot Nikë Prela) mbështetur në lutjen e Jezusit sipas Gjonit, 17, 21. Shih faqen: 11 deri 20.

Në pjesën tjetër të librit, "Dekreti mbi Ekumenizmin", jepen të dhëna mbi Koncilin e Dytë të Vatikanit (ngjarje e madhe ekumenike) pikërisht 16 dokumente të shpallura prej të cilave janë kushtetuta, 3 deklarata dhe 9 dekrete që do të thotë se edhe dokumenti mbi ekumenizmin quhet dekret sepse ky dokument ka fuqi zbatimi për jetën kishtare gjë që pas shpalljes së këtij dekreti janë botuar edhe tre Direktorie ekumenike nga sekretariati për Bashkimin e të Krishterëve (1967,1970,1993)., njëkohësisht autori flet për ndarjet e të dyja kishave ndaj edhe thotë se kisha është ndarë pa fajin e besimtarëve ndaj edhe kisha katolike i përqafon me nderim vëllazëror e me dashuri, madje përshkruhen sakramentet e përbashkëta në mes të Kishës Katolike dhe asaj ortodokse si dhe sipas Papa Gjonit XXIII, specifikohen në detaje dekretet e miratuara në Koncilin e Vatikanit. (shih faqe: 21 deri 24). Në pjesën e dytë të këtij titulli shohim "Dasit Kishtare gjatë Shekujve" të cilat kanë filluar nga zanafilla e krishtërimit meqë rast siç flet dekreti UR kemi dy lloj ndasije, mospërfilljen e mësimit të fesë dhe shkatërrimin e bashkësisë krishtere të patriarkanave lindore dhe të Selisë së Shenjtë (Vatikanit, shënimi im L.M.). Pra në dasin e parë gjejmë mospërfilljen e besimit dogmatik në kishat e vjetra lindore Nestorianët (patriku Nestori i Konstantinopojës mësonte se në Krishtin janë dy natyra, dy persona, dy qenie, hyjnore dhe njerëzore dhe se Zoja e bekuar Mari nuk është hyjlindëse por vetëm Krishtlindëse). Shih faqe 25, 26.

Edhe këtu në këtë pjesë të librit gjejmë të dhënat mbi "Kishat Ortodokse", pikërisht Patriarkanën ekumenike të Konstandinopojës, Patriarkanën greko-ortodokse, Patriarkanën greko-ortodokse të Antiokisë, Patriarkanën greko-ortodokse të Jeruzalemit, kishat ortodokse Ruse, kishat ortodokse Greke, kishat ortodokse Serbe si dhe në plotni fillet e shkëputjes së madhe të Kishës ortodokse që ndodhi në vitin 1054 deri te përfundimi me eskomunikim apo mallkim të ndërsjellë reciprok (në kundërshtim të parimeve e shëmbëlltyrave të Jezusit e ungjijve të apostujve, shënimi im, L. M.) të bërë nga patriarku i Konstandinopojës Celulari dhe delegatit të Papës, kardinal Hymberti. (faqe: 27 deri 31).

Në pjesën e katërt të këtij kapitulli të parë bëhët fjalë për: "Kishën Ortodokse Shqiptare" të shpallur nga Fan Stilian Noli (1882-1965) i cili e shpalli Autoqefalinë e KOSH së pari në SHBA-në në vitin 1919, pastaj në Shqipëri në vitin 1922 në Berat. Autoqefalia në fjalë qe pranuar nga Patrikana e Konstandinopojës në vitin 1937 me metropolitin Kristofer Kiss me selitë e saja në Shqipëri: Shkodra, Korça, Berati dhe Gjirokastra; 335 famulli, 230 priftërinjë dhe me afro 390.000 ortodoksë (statistika nga viti 1939). Njëkohësisht përmendet edhe bashkimi fetar i popullit shqiptar si dhe roli ekumenik i Fan Nolit, qe i hapte udhë çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj si dhe bashkpunimin ekumenik ndërmjet një komisioni të emëruar nga Kisha Katolike: Atë Pal Dodaj, atë Shtjefën Gjeçovi dhe atë Vincenc Prendushi qe do të thotë se Fan Stilian Noli ishte për bashkim të plotë me Selinë e Romës, kur ndër të tjera i tha atë Sh. Gjeçovit kështu: “Të jeni të sigurt se mendjen e zembren e kam për bashkim me Kishën Katolike” (12 gusht 1924). Në faqet tjera gjejmë edhe kishat protestante, luterane, evangeliste, kishat e lira, kishat e reformuara, anglikanët, metodistët, adventistët, pentekostalët, marmonët, dëshmitarët e Jehovës. (Faqe 31 deri 60)

Protagonistët e ekumenizmit

Në pjesën e dytë të këtij libri janë të përfshira të dy artikujt siç vijon: "Papa i mirësisisë- Gjoni XXIII", dhe "Papa i afrimit-Pali VI". Në nënkapitullin e parë, Papa i mirësisë - Gjoni XXIII (1881-1963), gjejmë biografinë e tij të lindjes, i lindur në fshatin Sotto il Monto (afër Bergamos, Itali) i lindur me 25 nëntor 1881, i shuguruar për meshtar me 10 gusht 1904, ndaj edhe veç tjerash pas shugurimit tha: „Zoti dëshiron të bëhem meshtar... ky është fati im i madh... t’ju shërbejë të varfërve". Përmendet edhe emërtimi i tij si delegat apostolik si dhe shtegtimi i tij në Greqi si dhe ndërmjetësimi për paqe, dashuri, pajtim e mirëqenie ndërmjet të gjithë popujve mbi tokë. Ishte sekretar i ipeshkvit të Bergamos mons. Radini-Tedeschia-s, e më pas shpirtëror në teologjinë e Bergamosnjëkohësisht i ftuar në Romë në Kongregatën „Propaganda Fide“, sot Kongregata për „Ungjillizimin e Popujve“, për kryetar të Zyrës për përhapjen e fesë për Itali. Veproj në Bullgari, Venedik, si dhe Turqi i cili kishte një bashkpunim të ngushtë me Mustafa Kemal-Pasha Ataturk (1881- 1938) krijoi Republikën Turke laike (1922) me kryeqytetin e Ankaras. Ataturku dëshiroi ta “evropianizonte” Turqinë, duke ndërruar Kushtetutën sipas shembullit të ligjeve italiane dhe zvicrane ndaj edhe e futi në përdorim alfabetin latin, kalendarin evropian, shpalli të dielën ditë pushimi dhe ditë feste në vend të së premtës, ndërpreu poligaminë dhe shpalli Turqinë shtet laik me të drejta dhe detyrime të barabarta për të gjithë qytetarët e saj. Papa Gjoni XXIII në vitin 1945 emërohet për nunc apostolik në Francë ndërsa Papa Piu XII i jep mirënjohje dhe e emëron kardinal vitin 1952 ndaj edhe me vdekjen e Papa Piu XII pikërisht nga 28 tetori i vitit 1958 për plot 19 vite Papa Gjoni i mirë me vendosshmëri e drejtoi kishën e hyjit i cili vdiq në shenjtëri më 3 korrik 1963, duke u lëshuar në duar të Zotit, në Siguri të Jetës, të Ringjalljes qe do të thotë se mbetet përjetësisht ambasador i paqes, pajtimit dhe faljes jo vetëm për botën katolike por edhe asaj ortodokse e islame...

Në pjesën e tretë të këtij artikulli gjendet edhekush është Papa Pali VI (1897 – 1978), apo Giovanni Battista Montini, i cili u lind në Concesio (Brescia) në vitin 1897, në një familje të mirë intelektuale katolike, besimtarë të angazhuar në veprimet baritore të Kishës. Është shuguruar për meshtar në vitin 1920. Më pas vazhdon studimet dhe doktoron në filozofi, drejtësinë kishtare dhe atë civile. Ndoqi edhe disa seminare në Akademinë Papnore për diplomat të Selisë së Shenjtë. Ishte intelektual tejet i dalluar, shumë i ngritur dhe një mendimtar i thellë, kështu që tërë jetën punoi për Kishën katolike si dhe rreth kulturës së përgjithshme njerëzore dhe asaj të krishterë. (faqe 64 deri 76).

Atenagora Profet i Bashkimit (1886-1872)

Profeti i madh i ekumenizmit, Aristokle Spurou apo Atenagora u lind (nga babai Aristokleut e nëna Elena) në Tsaraplanë, tani Vassilikon, me 25 mars 1886, në Greqinë e sotme, që është zonë e sotme kufitare me Shqipërinë. Sipas dëshmive të përgjithshme, Atenagora është me prejardhje, gjuhë, kulturë, e edukatë shqiptar. Studimet teologjike i vijoi në qendrën e rëndësishme kulturore dhe fetare në Halki. Në vitin 1910 shugurohet xhakon, pas përfundimit të studimeve dhe përgatitjes së thellë shpirtërore. E zgjodhi edhe emrin e ri rregulltar – Atenagora.Pas shugurimit për xhakon ishte në shërbim të Kishës dhe popullit së bashku me ipeshkvin Stefani në Manastir në Maqedoni që nga viti 1910 - 1919.Prej vitit 1912 e deri në vitin 1919 Manastiri ishte bërë epiqendër e luftimeve të ashpra. Atenagora, që ishte së bashku me metropolitan Krizostemi, u mundua me mish e shpirt për të mirë të të gjithëve. Sinodi me vonë e emëroi Atenagorën argjipeshkv në SHBA (1930) për besimtarët greko-ortodoksë. Atë që deri atëherë e kishte përjetuar si „miniaturë“ në Vassilikon, Konicë, Janinë, Manastir, Korfus, tani do jetojë në kontinentin e ri: mozaik i dallimeve të ndryshme të të gjitha llojeve. Gjatë 17 viteve të punës dhe shërbimit pastoral pati suksese të jashtëzakonshme në Amerikë në çdo lëmi pra në rrafshin fetar, kombëtar, edukativ e kulturor. (faqe 77 deri 106).

Atenagora Patrik i Konstandinopojës

Me datën 1 nëntor të vitit 1948, Atenagora u zgjodh Patrik i gjithmbarshëm i Konstandinopojës. Rrethanat ishin vërtetë të jashtëzakonshme. Patriku i mëparshëm, Maksimi V, ishte ende i ri, në moshën 52 vjeçare, i zgjedhur vetëm para dy viteve. Mirëpo, gjendja e tij shëndetësore e detyroi për dorëheqje. Pse qe zgjedhur pikërisht Atenagora? Me siguri se ka shumë arsye, sidomos: për përvojën e tij të madhe baritore, për veprimtarinë e tij të larmishme, për autoritetin që gëzonte veçanërisht në SHBA, si dhe për çështje politike të acaruara në mes të Turqisë dhe Greqisë. Atenagora arriti në Konstandinopojë (Stamboll) më 26 janar 1949 me aeroplanin personal të kryetarit Truman dhe qe intonizuar një ditë më vonë. Në fjalimin e tij të parë foli qartë „për t’iu dhënë të gjitha Kishave të krishtera bashkimin dhe paqen, për t’u bërë ato burim i paqes për popujt.“ Atenagora, para së gjithash forcoi bashkëpunimin mes Kishave të ndryshme nacionale ortodokse: organizoi pesë Konferenca gjithëpërfshirëse ortodokse gjatë vitit 1969: ka shkatërruar kundërshtimet që i kundërvinin Konstandinopojën dhe Moskën. Ka bashkuar Ortodoksinë duke bërë primatin e Konstandinopojës jo pushtet juridik për të sunduar apo qortuar, por në stilin e Ungjillit, primat dashurie dhe shërbimi ndaj Kishave simotra. Në vitin 1950 Atenagora e shpalli enciklikën e parë të gjitha Kishave ortodokse në botë, ku i fton në bashkim të fesë „për ta përgatitur bashkimin e të gjitha Kishave të krishtera në botë“. Në vitin 1957 filloi takimet e para me Kishën katolike nëpërmes Delegatit Apostolik në Konstandinopojë, Mons.Giacomo Testa-s, që vite me radhë ishte sekretar i posaçëm i Imzot Angelo Roncalli-t, papës së mëvonshëm Gjoni XXIII. Gjithë jeta dhe veprat e Atenagora ishin të udhëhequr nga dashuria ndaj Zotit, Kishës, Kombit ndaj njeriut dhe botës bashkëkohore. (faqe: 107 deri 144).

Përmes këtij recensioni të librit nga këndvështrimi im, jam përpjekur qe në vija të trasha t’i shpalos e prezantoj disa pikëpamje të nxjerrura nga libri "Profetit të Bashkimit Atenagorës", i shkruar nga mons. dr. Lush Gjergji, gjë që për këtë libër tejet të mrekullueshëm të dhuruar, autorit, i dëshirojmë shëndet dhe suksese në rrugëtimet tjera jo vetëm shpirtërore në Kishën Katolike Shqiptare por edhe në lëmin e shkencës, kulturës e njerëzimit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat