Shtrenjtohen çmimet e librave

Kultura

Shtrenjtohen çmimet e librave

Më: 24 qershor 2021 Në ora: 16:37
Ilustrim

INSTAT ka publikuar për herë të parë të dhëna të detajuara për statistikat e kulturës në vend. Ashtu siç pritej vitin e shkuar në vend janë prekur të gjitha hallkat e kulturës për shkak të pandemisë. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në 2020-n ka pasur një rënie drastike të numrit të shfaqjeve dhe një pjesë e tyre u transmetuan online.

Sa i përket trashëgimisë kulturore, në 2020-n të huajt, që kanë përbërë 16% të vizitorëve kanë preferuar monumentet kulturore, ndërsa vendasit parqet arkeologjike. Vitin e shkuar një analizë e INSTAT tregon se pati një rritje të çmimeve të librave.

 Pjesëmarrja në Kulturë

Gjatë vitit 2020, janë organizuar gjithsej 328 shfaqje dhe premiera në institucionet qendrore të artit. Krahasuar me vitin e kaluar, ky tregues ka rënë ndjeshëm, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Megjithatë, institucionet e artit kanë vijuar veprimtarinë me shfaqje dhe premiera online, të publikuara në rrjete sociale. Në institucionet qendrore të artit, gjatë vitit 2020, morën pjesë në aktivitetet kulturore 38.332 spektatorë.

Trashëgimia kulturore

Gjatë vitit 2020, numri i vizitorëve në muze, kala dhe parqe arkeologjike është 190.467 vizitorë, 16,8 % e të cilëve janë të huaj. Kalatë dhe Monumentet janë pasuritë të cilat janë frekuentuar më së shumti nga vizitorët e huaj, ndërkohë vizitorët vendas kanë preferuar më shumë Parqet arkeologjike. Krahasuar me vitin e kaluar, numri i vizitorëve vendas dhe të huaj ka rënë ndjeshëm, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.

Edukimi kulturor

Edukimi në kulturë pasqyron informacion mbi regjistrimet e studentëve në arsimin e lartë, në fusha studimi të lidhura me kulturën. Bazuar në klasifikimin e fushave të studimit (ISCED-F 2013), fushat që konsiderohen të lidhura me kulturën janë “Arte”, “Shkenca Humane dhe Gjuhët”, “Gazetari dhe Informim”, dhe “Arkitekturë dhe Ndërtim”.

Në vitin akademik 2020-21, në fushat e studimit të lidhura me kulturën janë regjistruar 17.954 studentë, të cilët përbëjnë 14,5 % të totalit të regjistrimeve për këtë vit akademik, duke shënuar një rënie me 0,6 pikë përqindje, krahasuar me vitin e kaluar. Këto fusha janë preferuar më shumë nga femrat, përkatësisht 15,9 % femra dhe 12,4 % meshkuj ndaj totalit të regjistrimeve. Në këtë vit akademik, “Gjuhët” dhe “Arkitekturë dhe Ndërtim” janë fushat e studimit më të preferuara nga studentët, përkatësisht 39,9 % dhe 29,4 % ndaj totalit të studentëvë të regjistruar në fushat e lidhura me kulturën.

Në fushat e studimit të lidhura me kulturën, femrat përbëjnë shumicën e studentëve me 66,1 %. Përqindja e femrave është më e lartë në fushat “Gjuhët”, “Shkenca humane”, dhe “Gazetari dhe informim”. Hendeku gjinor është më i theksuar në fushën “Arkitekturë dhe ndërtim”, ku femrat përbëjnë 48,6 % të studentëve në këtë fushë.

Punësimi në Kulturë

Në vitin 2020, janë të punësuar në një aktivitet kulturor ose në një profesion kulturor 19.004 individë, 1,5 % e punësimit gjithsej. Krahasuar me vitin e kaluar, punësimi në kulturë pësoi një rënie me 0,1 pikë përqindje.

Shumica e të punësuarve në kulturë janë meshkuj, respektivisht 56,8 %, në vitin 2020. Krahasuar me vitin e kaluar, kjo përqindje ka rënë me 2,3 pikë përqindje.

Përqindja që zënë femrat në punësimin në kulturë ka një vlerë më të ulët krahasimisht me përqindjen që ato zënë në punësimin e gjithë ekonomisë (44,5 %).

Ndërkohë që të rinjtë në moshën 15-29 vjeç përbëjnë vetëm 21,9 % të punësimit gjithsej në vend, pjesëmarrja e tyre në punësimin në kulturë është më e lartë, 34,0 % në vitin 2020.

Të punësuarit me arsim të lartë përbëjnë pjesën më të madhe të të punësuarve në punësimin në kulturë, 65,8 % në vitin 2020. E kundërta ndodh me shpërndarjen e punësimit gjithsej sipas nivelit arsimor ku të punësuarit me arsim të lartë përbëjnë vetëm 22,3 % të të punësuarve gjithsej

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve të cilët konsiderohen kulturor nga pikëpamja e strukturës së shpenzimeve të cilat konsumatori (vendas dhe i huaj) synon për konsumin final në territorin e Shqipërisë.

Në vitin 2020, rritjen më e lartë e çmimeve për mallrat dhe shërbimet kulturore është shënuar për kategorinë “Libra” me 2,1 %. Ndërsa, ulja më e madhe vërehet në grupin “Pajisjet audio vizuale, fotografike dhe riparimi i tyre” me 0,2 %.

Shpenzimet Publike për Argëtim, Kulturë dhe Çështje Fetare

Në 2020, shpenzimet publike në këtë fushë kanë qenë 6.842 mln lekë. Këto shpenzime përbëjnë 1,3 % të shpenzimeve publike gjithsej për vitin 2020 dhe zënë një peshë prej 0,4 % në PBB-në gjithsej. Krahasuar me vitin 2019, shpenzimet publike në Argëtim, Kulturë dhe Çështje fetare shprehur si përqindje ndaj PBB nuk kanë ndryshuar, ndërkohë shpenzimet publike shprehur si përqindje ndaj shpenzimeve publike gjithsej, kanë shënuar rënie me 0,2 pikë përqindje” vlerëson INSTAT.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat