Avni Ndreu - “Mjeshtër i Madh”, artisti që lartëson emrin e familjes

Kultura

Avni Ndreu - “Mjeshtër i Madh”, artisti që lartëson emrin e familjes

Nga: Halil Rama Më: 9 korrik 2021 Në ora: 11:59
Avni Ndreu

“Në Dardhë dhe në Dibër, mbetet i papërsëritshmi ‘Nderi i Kombit’, Hazis Ndreu, emri i të cilit është gdhendur edhe sot, jo vetëm në kujtesën e secilit prej nesh, por edhe në ansamblin artistik që mban emrin e tij të madh dhe që drejtohet nga i biri, një krijues shumë i talentuar dhe koreograf i përmasave kombëtare, si Avni Ndreu”

Nëse Ansambli Artistik “Hazis Ndreu” - “Nderi i Kombit” është bërë i njohur për dhjetra trofe e çmime mbarëkombëtare e ndërkombëtare, kjo i dedikohet parasëgjithash një emri të spikatur. Ai është Avni Hazis Ndreu, themelues dhe drejtues i këtij ansambli emërndritur, të dekoruar vetëm para një muaj nga Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta me Titullin “Naim Frashëri”, me motivacionin:“Për veprimtarinë e shquar në mbartjen, ruajtjen dhe përsosjen e traditave, folklorit dhe trashëgimisë së çmuar etnokulturore të trevës së Dibrës. Me mirënjohje për përkushtimin, shpirtin artistik dhe talentin që ka shpalosur në skenat shqiptare dhe të huaja këngët dhe vallet tradicionale, veshjet koreografike si dhe meloditë e pasura burimore të shumë brezave dibranë.”.

Dhe po në këtë ditë festive, kreu i shtetit do të dekoronte edhe themeluesin e drejtuesin e këtij Ansambli, koreografin e shquar Avni Hazis Ndreu me titullin “Mjeshtër i madh” (Nr. Dekretit:13093, Data e dekretit: 08.06.2021) me motivacionin: “Me mirënjohje për kontributin e spikatur në krijimin dhe drejtimin artistik të Ansamblit ‘Hazis Ndreu’. Në vlerësim të talentit krijues e interpretues si dhe veprimtarisë së shumanshme organizative, me të cilat i ka shërbyer lartësimit të folklorit, etnografisë, valleve dhe kulturës popullore shqiptare dhe veçanërisht, asaj dibrane”. Duke e konsideruar drejtuesin e këtij Ansmali një personalitet të përmasave kombëtare, kreu i shtetit nënvizon se: “Në Dardhë dhe në Dibër, mbetet i papërsëritshmi ‘Nderi i Kombit’, Hazis Ndreu, emri i të cilit është gdhendur edhe sot, jo vetëm në kujtesën e secilit prej nesh, por edhe në ansamblin artistik që mban emrin e tij të madh dhe që drejtohet nga i biri, një krijues shumë i talentuar dhe koreograf i përmasave kombëtare, si Avni Ndreu”. Është ky, artisti që lartëson emrin e babait artist dhe të familjes së madhe “Ndreu” të Dibrës. Ky emër i spikatur që zë vend nderi në historinë e kulturës sonë kombëtare, aktivitetin artistik e nisi 1975 deri në 1978 si Përgjegjës i Shtepisë së Kulturës dhe Udhëheqës artistik i Ansamblit “Kuvendi” Dardhë, Dibër, Shtepia e Kulturës Zall-Dardhë.

Avni Ndreu, i cili ka kryer Shkollën e mesme Pedagogjike në Shkodër me 1967-1971 dhe më pas Insitutin e Larte të Arteve, Tiranë më 1972-1976, është padyshim nderi i kulturës dibrane dhe qytetar nderi i Dibrës. Siç e ka vlerësua Presidenti i Republikës, ai prej shumë dekadash në krye të ansamblit “Hazis Ndreu” - “Nderi i Kombit”, ka lartësuar emrin e tij, duke mbajtur gjallë dhe duke transmetuar sidomos tek brezat më të rinj, cilësi dhe vlera artistike të shumta. Nëse kreu i shtetit do të vlerësonte talentin e Avni Ndreut si koreograf, valltar e poet si dhe aftësitë e tij artistike organizuese që i kanë dhënë ansamblit ‘Hazis Ndreu’ një emër të madh në botën e kulturës shqiptare dhe përtej saj, duke përfaqësuar denjësisht vendin tonë, kjo për faktin se ky ansambël është përçuesi dhe promovuesi i vlerave më të mira të artit e kultuës sonë kombëtare në botë. Treguesi më sinjifikativ për këtë janë çmimet e fituara në festivalet ndërkombëtare në Turqi, Rumani, Itali, Mali i Zi , Maqedoni etj. Po ashtu Ansambli Artistik “Hazis Ndreu” - Nderi i Kombit”, është fitues i çmimeve të para në festivalet mbarëkombtare, si: në fest "Këngë Jeho" Strugë, në fest mbarkombëtar Plavë e Guci, në festivalin e Rahovecit, Kosovë, në fest e Drenasit, në fest e Hasit, Kosovë, si dhe në fest “Burimet e Sharit”, Maqedoni. Po ashtu ka fituar Kupën e festivalit në fest mbarkombëtar të Gjimnastradës. Tiranë, çmim të parë në fest "Ruajmë Traditën" në Tiranë, në fest mbarëkombëtar të Talenteve të reja dhe artistëve të rinj në Pukë e shumë e shumë çmime të tjera. Krenarë për arritjet e këtij ansambli ndjehet edhe koreografja e valltarja e talentuar Earta Ndreu, edhe për faktin që Ansambli mban emrin e gjyshit të saj, Hazis Ndreu - këngëtar, koreograf, valltar, studjues dhe shkrimtar i përmasave mbarëkombëtare...

Vetëm para pak ditësh Ansambli Artistik “Hazis Ndreu” - “Nderi i Kombit|” triumfoi në edicionin e 18-të të festivalit mbarëkombëtar “Sofra Dardane”, që u mbajt në Tropojë me pjesëmarrjen e 40 grupeve, ku u nderua me Çmimin e Madh të këtij Festivali. Në repertorin e këtij Ansabli numërohen me dhjetra valle, këngë e interpretime të tjera krijuese, me të cilat ka “pushtuar” hapësirat mbarëkombëtare e ato ndërkombëtare si në: Turqi, Rumani, Bullgari, Itali, Kosovë, Maqedoni etj. Ansambli ka performuar në disa televizione prestigjoze ndërkombëtare e kombëtare si: Rai Uno, Tv Romania, TRT Turk, RTK Kosovë, RTV Koha Tetovë, Top Channel, Vizon Plus, Tv Klan, TVSH, etj.

Ansambli Artistik “Haziz Ndreu” - “Nderi i Kombit” me President është një Ansambel grupesh zinxhir (akademi) të organizuar në grupe nga mosha 5 vjeç e larte. Janë me mijëra artistë që kanë kalur në përvojën e këtij Ansambli në këto 10-vjet, duke mbushur skenat dhe sheshet e Tiranës, Kamzës, Ulqinit, Dibrës e mbarë Shqipërise. Në shfaqjet e organizuara herë pas here nga ky ansambël kanë performuar artistët: Arif Vladi - Mjeshtër i Madh dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut, Qerim Sula - Mjeshtër i Madh dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut (pas vdekjes), Liri Rasha - Mjeshtër i Madh dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut, Vera Laçi – Mjeshtër i Madh, Sherif Dervishi - Mjeshtër i Madh (pas vdekjes), Dardan Pepkola, Zaim Tollja si dhe këngëtarja dhe valltarja e shumëtalentuar Erida Stana, valltaret: Adem Kurti, Fabjon Isufaj, Fatjona Ismailukaj, Eralda Jaurri, Serxho Rriçku, Ergys Doçi, Kristjan Kavalli, Marsida Zhgjuni, Orinda Prenci, Rexhina Qerimi, Livia Bushpepa, Ledion Zhgjuni, Jugers Muça, Sara Ndreu e tjere. Krijmtaria e këtij ansambli, e ardhur nga ajka e kompozitorëve si: Përparim Tomçini - Mjeshtër i Madh (pas vdekjes), Edmond Zhulali - Mjeshtër i Madh dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, Kol Susaj - Mjeshtër i Madh, dhe udhëheqja artistike nën drejtimin e “Mjeshtrit të Madh” Xhelil Ymeraj dhe mjeshtrit të koreografisë Avni Ndreu - “Mjeshtër i Madh”, ja kanë rritur vlerat dhe përmasat këtij ansambli duke i dhënë statusin e një ansambli kombëtar profesionist.

Avni H.Ndreu, vlerëson gjithashtu rolin e Presidentit të Ansamblit, Z,Muharrem Gjoka, i cili gjendet prej vitesh pranë këtij grupimi artistik, si një dorë e ngrohtë, inkurajuese dhe mbështetëse, një emër, i cili e nisi jetën e tij artistike si një talent i skenës dhe i valles dibrane dhe sot nderohet si një burrë Dardhe dhe Dibre, i vlerësuar me Titujt “Mjeshtër i Madh” nga Presisdenti i Republikës dhe “Nderi i Qarkut Dibër”, nga Këshilli i këtij qarku.

Avni Ndreu shprehet me krenari se ky bilanc suksesesh është meritë e një grupimi artistësh të talentuar, që ka lënë kaq shumë gjurmë dhe ka fituar kaq shumë çmime brenda dhe jashtë vendit. Ndaj dhe duhen përgëzuar për atë rol të pazëvendësueshëm që kanë luajtur dhe vazhdojnë ta bëjnë, si përçues dhe frymëzues për brezat e sotëm dhe për ata që do të vijnë! Arti mbi të gjitha është pasion dhe mision, të cilin Avni H.Ndreu dhe artistët e ansamblit që ai drejton e kanë kryer me shumë përkushtim dhe me shumë atdhedashuri.

Kush është Avni Hazis Ndreu

Ka lindur më 23.02.1953 në Zall Dardhë, Dibër.

Gjatë viteve 1967-1971 kreu Shkollën e mesme Pedagogjike në Shkodër me dhe më pas Insitutin e Larte të Arteve, Tiranë më 1972-1976.

Aktivitetin artistik e nisi 1975 deri në 1978 si Përgjegjës i Shtepisë së Kulturës dhe Udhëheqës artistik i Ansamblit “Kuvendi” Dardhë, Dibër, Shtëpia e Kulturës Zall-Dardhë.

Në vitet 1978-1991 ka qenë Përgjegjës i Shtëpisë së Kuturës së ish - NB Peshkopi dhe drejtues i veprimtarive artistike në Shtëpinë e Kulturës së kësaj ndërmarrje. Më pas do të vijonte aktivitetin e tij si Metodist në Shtëpinë e Kulturës Kastriot, Dibër (1991-1992 ); Koreograf në Qendrën Kulturore Peshkopi dhe i Ansamblit Artistik “Dibra”, Qendra Kulturore Peshkopi (1993-2005 ); Koreograf i jashëm në Qendrën Kulturore të Fëmijëve, Peshkopi (1978-2001); Bashkëthemelues dhe organizator i Festivalit Mbarëkombëtar “Oda Dibrane” në vitin 1994; Anëtar i Komisionit përzgjedhës të MKRS dhe QKV për Festivalin Mbarëkombetar Tipologjik të valleve zhvilluar në Lushnje (Qershor 2006); Koreo-regjizor në kanalet televiziv-muzikor BBF dhe Muzik-Al, ku janë realizuar disa videoklipe (2006-2009); koreograf me Ansamblin “Dibra”, Peshkopi, me Ansamblin “Shqiponja”, me Ansamblin “Kaltërsia”, me Ansamblin “Valët e Drinit”, me Ansamblin Folk Alb “Haziz Ndreu” Tiranë (1983-2019), ku ka marrë pjesë në një mori festivalesh Kombëtare e Ndërkombëtare, kryesisht me grup vallesh, ku në shumicën e rasteve vallet janë vlerësuar me çmime e diploma.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat