Esat Stavileci – Figurë markante akademike e atdhetare

Kultura

Esat Stavileci – Figurë markante akademike e atdhetare

Feti Tunuzliu Nga Feti Tunuzliu Më 9 korrik 2021 Në ora: 19:47
Esat Stavileci

Po të ishte ende në jetë, akademik Esat Stavileci më 11 korrik 2021 do të festonte 79 vjetorin e lindjes së tij. Për fatin e keq, ndërroi jetë më 15 gusht 2015 sapo kaloi moshën 73 vjeçare.

qenë një fat i madh për mua që kam përcjellur ligjëratat e prof. dr. Esat Stavilecit në lëndën E drejta administrative. Ky fat me buzëqeshi në vitin akademik 1973/74 kur isha në vitin e dytë të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Prishtinë. Mbipopullimi i studentëve gjatë këtyre ligjëratave ditëve të martë në amfiteatrin nr. 2. ka qenë dukuri normale. Karshi rinisë së etur për dije dhe kulturë juridike, ky mbipopullim atij i bënte nderë, kishte pohuar profesori ynë.

E mua, as sot, pas 46 vitesh nuk më hiqet nga kujtesa momenti kur me të hyrë profesori i nderuar në amfiteater sakaq binte heshtja apsolute. Kjo dominonte deri në përfundim të ligjëratës. Gjatë këtyre ligjëratave transmetonte te auditori studentor lekcionet juridike administrative me një metodologji joshëse për studentë. Këtë metodologji e shoqëronte gjuha e kulluar, e qartë, e thjeshtë, me fjalë e shprehje nga fondi leksikor e frazeologjik i shqipes krehur larg ndikimeve e ndërtimeve të pastra leksikore: angleze, franceze, italiane, sllave, greke, etj.

Por, nuk mbaj në mend fillimin me vonesë të ligjëratave apo tejkalimin e kohës së mbarimit të tyre. Kjo për arsye se kohezgjatjen e ligjëratave dhe ushtrimeve e menaxhonte me saktësi matematikore. Në disa çaste, studentët i relaksonte me aforizma dhe barsoleta. Nuk mbaj në mend as shtyerjen e provimeve, përveç me kërkesën e arsyetuar të studentit.

Profesori Esat, si asnjë profesor tjetër në atë fakultet, prore është treguar jashtëzakonisht i kujdesshëm duke iu ofruar mundësi të pakufizuara studentëve për t’i shpalosur njohuritë e tyre që ta kalojnë provimin. Këtej, i tejkalonte lehtësisht metodat tradicionale te provimit. Përkrah tyre, praktikonte edhe opcione të tjera “inovative” të përzgjedhura nga vet studentët: pyetje-përgjigje “blic”; bashkëbisedim për lëndën si tërësi … etj. Rrjedhimisht, ishte shumë i dashur ndër student dhe shumë i përshtatshëm per këta gjyqtarë, prokurorë, avokat, … të ardhshëm.

Profesor Esati do të kujtohet me nostaligji edhe si njeri që dallohej me urtësi, korrektësi, dashamirësi, erudicion, kurajë intelektuale dhe integritet sipëror moral. Prandaj, vepër e tij, na dalin edhe studiuesit e pedagogët që i përgatiti dhe aftësoi në fushën e së drejtës dhe drejtësisë. Kësisoj, ai la pas një visar të madh intelektual arsimor. Në këtë kontekst, nuk reshti së punuari por ndihmoi shumë edhe për kualifikimin pasuniversitar të tyre. Udhëhoqi tema diplomash për magjistra, mastera dhe disertacione doktoratesh. Më thotë mendja se këta autorë, ruajnë kujtime shumë të mira dhe me pietet i shprehin mirënjohje të thellë udhëheqësit të tyre për zellin e tij për t’iu ndihmuar dhe qëndruar pranë.

Sikur e ndjej për detyrë të tregoj me këtë rast se i yshtur nga cilësitë e tilla të profesorit Esat, ligjëratat e tij kam vazhduar t’I përcjell pothuajse rregullisht edhe pas dhënies së provimit E drejta administrative, pra, kur isha në vitin e tretë të studimeve sepse ishin me interes për mua.

Ndarjen me studentëte Universitetit të Prishtinës (1.10.1965-1.10.2010) profesori Esat e bëri simbolikisht në ligjëratën lamtumirëse duke iu lënë “porosi të jetës dhe kohës”.

Mund të pohoj me kënaqësi dhe krenari se e ruaj si një gjë të rrallë dispencën “E drejta administrative” me autorësi të profesorit të çmuar e cila mban datën “28.10.1975”. Ky ekzemplar i fotokopjuar është njëri prej tirazhit prej 200 copë përgatitur enkas nga profesori Esat për t’iu bërë ndihmesë të veçantë studentëve me mësim në gjuhën shqipe, (me një çmim simbolik për fotokopjuesin) që të kenë në duar literaturën bazë në gjuhën amtare.

Akademik Stavileci ngeli gjithë jetën një bir i Gjakovës ashtu si edhe një varg intelektualësh të tjerë të njohur. Ky qytet i dha shqiptarisë shumë intelektual të dijes, arsimit e atdhetarisë. Ndër ta edhe akademikët: Fehmi Agani, Enver Gjerqeku, Pajazit Nushi, Muslim Mulliqi, etj.

Esat Stavileci lindi para 79 vitesh, pikërisht më 11 korrik 1942 në Gjakovë ku kreu filloren dhe gjimnazin. Nxënësi i zgjuar, i vëmendshëm, vullnetfortë dhe i etur për dije e kulturë, mori një formim të shëndosh juridik e shkencor gjatë studimeve të drejtësisë në Prishtinë dhe magjistraturës në Zagreb (“Krahinat socialiste autonome në Jugosllavi në komparacion me njësitë autonome në Europë - Pozita kushtetuese juridike dhe funksioni normativ”, 1970|71). Pastaj, mbaroi edhe Fakultetin ndërkombëtar për studime të së drejtës krahasimtare (Peskari - Itali, etj). . Doktoroi në Sarajevë (“Përgjegjësia politike e titullarëve të funksioneve publike dhe vetëqeverisëse”, (1974), ndërsa disa specializime i kreu nëpër qendra universitare botërore.

Asistent u pranua më 1965 e profesor i rregullt nga viti 1979 në Fakultetin juridik në Prishitine ku ishte edhe zëvendësdekan. Ishte Shef i Katedrës së shkencave juridiko-administrative, Drejtor i studimeve pasuniversitare në këtë Fakultet, Kryeredaktor i revistave “Përparimi”, “E drejta-Pravo”, Kryetar i Shoqatës Krahinore për teori dhe praktikë administrative”, etj.

Ndryshe, përveç në Fakultetin Juridik ishte profesor edhe në Fakultetin filozofik – Dega e Historisë në Prishtinë, në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës, në Universitetin e Tiranës, Jenës, Sofjes, të Europës juglindore në Tetovë, të Universitetit Amerikan në Bllagoavgrad, të Kolegjit “Dardania” në Prishtinë.

Eksperti i shquar në fushën e shkencave juridike u bë anëtar i rregullt i ASHAK në vitin 2000.

Si një autoritet shkencor elitar me tërë forcën e shpirtit dhe fuqinë e mendjes shkroi e botoi vepra dhe shkrime shkencore e profesionale me vlera të veçanta teorike e praktike. Ato dallohen sidomos përkah analizat dhe sintezat e përthelluara dhe mund të shërbejnë studiuesëve të rinjë në fushat e ndryshme të doktrinës juridike kushtetuese e administrative.

Paraqitja e parë e Esat Stavilecit prej krijuesi shkencor ishte në vitin 1966 me publikimin e shkrimit në “Përmbledhje e punimeve-Zbornik radova”, botim i Fakultetit juridik-ekonomik në Prishtinë. Duke mos e ndarë librin nga dora dhe penën nga letra - shumë shpejt do afirmohet si njëri ndër krijuesit me të njohur të shkencave juridike edhe përtej kufijve të Kosovës.

Fal punës së gjatë produktive shkencore ka lënë pas 35 vepra autoriale dhe 5 vepra të tjera kooautoriale. Përveç tyre publikoi edhe dhjetra e dhjetra shkrime studimore nëpër revista e gazeta të kohës: “Përparimi”, “Përmbledhje punimesh”,“E drejta”, “Rilindja”, “Bota e Re”, etj. Prodhimtaria intelektuale e tij qe e theksuar, veçanërisht viteve të 90-ta.

Prej shumësisë së veprave të këtij krijuesi të palodhshëm, këtu, do i zëmë ngoje disa sosh: “Shteti – shqyrtime të përgjithshme teorike me vështrim rasti i Kosovës”, (2008); “Nocione dhe parime të administratës publike” (2005, 2007), “E drejta administrative”, (1981); “Kosova dhe çështja shqiptare në udhëkryqet e kohës”, (2005); Hyrje në shkencat administrative (1997), “Çështja e Kosovës në veprën e Gazmend Zajmit” (1997), “Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës”, (1998);”The Throuth about Kosova, Arguments and Facts in Support of its Independence (2007); “Fjalor shpjegues i termave administrativ”, (2010).

Kështu, një jetë e tërë mbushur me studim, me kërkim dhe me krijimtari shkencore të qëndrueshme, e renditin akademik Stavilecin ndër juristët tanë më frytdhënës kosovarë. Ai i solli shkencës juridike në Kosovë dhe Ballkan vlera të çmuara shkencore e profesionale.

Ndërkaq, ndër veprat që nuk kanë karakter shkencor do përmendim shkarazi disa sosh:” Të menduarit dhe shkruarit juridik”,“Ditari”, “Largimi nga puna e punëtorëve shqiptarë”.

Pikërisht për shkak të vlerave të tilla shkencore, juridike, politike, historike, kombëtare dhe publicistike - akademik Stavileci i ka ngritur monument vetes.

Ndryshe, veprat dhe shkrimet e akademikut tonë synonin njohjen më të mirë e më të përthelluar të disa fushave, sikundër janë: sistemi juridik-kushtetues dhe sistemet politike krahasuese; administrata dhe administrimi publik; gjuha dhe çështja kombëtare; metodologjia e shkencave shoqërore e juridike dhe terminologjia juridike.

fazave, ato i dedikohen: sistemit politik të ish-Jugosllavisë (faza I); shpërbërjes së saj (faza II) dhe çështjes së Kosovës, mbrojtjes së pavarësisë dhe vetëvendosjes (faza III).

Me këto shkrime, studiuesi i pasionuar fakton dy çështje për Kosovën si njësi federale e ish-Jugosllavisë: e para të drejtën në vetëvendosje dhe e dyta, të drejtën për pavarësi. Në këtë sfond, konkretisht duke bërë fjalë rreth Kosovës para shpartallimit të ish-Jugosllavisë, akademik Stavileci, theksonte: “Të jetosh bashkërisht do të thotë të jetosh në mënyrë të barabartë, sepse vetëm të barabartët mund të jetojnë bashkërisht”.

Në një reagim publik Stavileci ishte shprehur: “Asnjë formë e zgjidhjes se problemeve në Kosovë dhe për Kosovën nuk mund të qëndrojë pa pëlqimin dhe vullnetin e popullit shumicë”.

E në njërën nga prononcimet e tij mediatike kishte pohuar: “Po që se serbët mendojnë se Kosova është “zemër” dhe “djep” i shtetit serb, duhet të kuptojnë se “transpolatimi” është bërë në trup të huaj, sikurse që fëmija që përkundet në djep është fëmijë i huaj”.

Keshtu, gjatë përsiatjeve politike e kombëtare në kuadër të proceseve politike në Ballkan, për synimet e shqiptarëve dhe mënyrën e realizimit të tyre, shprehej: “Synimi historik i shqiptarëve ka qenë dhe mbetet bashkimi. Është e natyrshme që shqiptarët, si të gjithë popujt e tjerë, të jetojnë në një shtet, në një bashkësi politike. Ky është një proces i cili është në programin kombëtar të shqiptarëve. Realizimi i tij nuk varet dhe nuk do të varet vetëm nga përcaktimet politike të shqiptarëve, sa varet dhe do të varet nga këmbëngulësia e tyre për ta jetësuar atë”.

Nga veprat dhe shkrimet e akademik Stavilecit dalin porosi tejet me rëndësi që i atribuuohen edhe anëtarësimit të Kosovës në OKB, NATO, BE.

Mbaj në mend edhe paraqitjet e kohëpaskohshme të profesorit të respektuar në emisione televizive të RTP kur shpërfaqte opinionet e tij prej juristi me dedikim për ngjarjet aktuale juridike, politike e kushtetuese të kohës.

Mbase nuk gaboj kur them se vepra e akademik Stavilecit bëri histori në shkencën juridike, politike kushtetuese kosovare marrë parasysh aspektet përmbajtësore të shqyrtimeve, përfundimeve dhe porosive të artikuluara në to. Rrjedhimisht, krijimtaria e tillë shkencore, profesionale, publicistike meriton të jetë objekt i veçant studimi kritik për studiues.

Kësisoj p.sh. do të dilte në pah ekspertiza e bërë me pasion e këmbëngulje shembullore e tij. Ajo do të ofronte “ndihmë”, veç tjerash, edhe në kuadër të zhvillimeve aktuale të politikës së brendshme e pse jo edhe të jashtme të Kosovës. Kësisoj, ai la pas edhe një vepër tjetër të madhe, një pasuri intelektuale kombëtare.

Ndryshe, akademik Stavileci kishte refuzuar t’i hyjë jetës politike për dy arsye: “natyrës së shëndetit” të tij dhe që t’i bëhet “dekor” i kujtdo qoftë nëpër ambiente zyrtare.

Pretendoj se profesor Esati, rreshtohet përkrah studiuesve të shquar të shkences juridike kosovare: akademik Gazmend Zajmit, prof. dr. Ejup Statovcit, etj.

I përgatitur shkencërisht me karakter të rreptë e kërkues në radhë të parë ndaj vetes e pastaj edhe ndaj të tjerëve mori pjesë në konferenca e simpoziume brenda dhe jashtë Kosovës. Me mprehtësinë vrojtuese, hetuesi shkencor polemizonte denjësisht me figura eminente (serbe) të shkencave juridike e politike. Këto ndërlidheshin me çështje e probleme të rënda të statusit të Kosovës në kuadër të federatës-konfederatës së ish- Jugosllavisë. Në to shpaloste jo vetëm dijet e gjëra por edhe mendimin shkencor të autoritetshëm e të qëndrueshëm prej juristi të shquar. Kësisoj, ka ndikuar në përqimin e mendimit të vet shkencor përtej kufijëve të Kosovës.

Kontributi i akademik Stavilecit në arsim, shkencën juridike dhe çështjen kombëtare është tepër i gjërë për të përshkruar të tërin në këtë përpjekje modeste. Ç’ështe e vërteta, emri dhe vlera e veprës së profesorit Esat tij janë të një gjiganti i cili zë vend të respektuar ndër intelektualët e shquar kosovar të harkut kohor pesë dekadëshe 1965-2015.

Profesori i nderuar ishte edhe aktivist i madh i sportit (kryetar i Lidhjes së hendbollit të Kosovës, etj.). Falë kësaj veprimtarie kishte marrë pjesë në olimpiada e universiada botërore e europiane. Kishte vizituar afër 80 shtete duke i shfrytëzuar ato njëkohësisht edhe për vizita profesionale të bibliotekave të ndryshme të atyre vendeve.

Akademik Stavilecit iu nda “Mirënjohja - Laureat i Shpërblimit të Dhjetorit 1978”; Çmimet: “Anton Mazreku 2004”, Intelektual i vitit 2009” dhe “Qytetar Nderi i Gjakovës” (2007).

Këtej, me dhëmbje të thellë themi se ndarja nga jeta e këtij burri enciklopedist të fushës juridike para afro gjashtë vitesh, më 15 gusht 2015 është humbje e pakompenzueshme për familjen, shkencën, arsimin dhe kombin.

Viti i shënimit të 79 vjetorit të lindjes së akademik Esat Stavilecit më 11 korrik 1942 sivjet rastis me shënimin e 31 vjetorit të shpalljes së Deklaratës kushtetuese të 2 korrikut 1990.

Nuk kam dijeni nëse emrin e profesorit të respektuar e mban ndonjë shkollë apo nëse është organizuar ndonjë simpozium shkencor kushtuar jetës dhe veprës monumentale të tij, siç meritojnë intelektualët e këtyre përmasave për shumë e shumë arsye !

Të paharruara qofshin jeta dhe aktiviteti publik shkencor, profesional, kombëtar, pedagogjik, publicistik i profesorit tim të nderuar, prindit, bashkëshortit dhe gjyshit të dashur: ESAT STAVILECI.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat