E ardhmja nuk shpiket, ajo ndërtohet

Kultura

E ardhmja nuk shpiket, ajo ndërtohet

Nga: Shuquri Sejdijaj Më: 12 gusht 2021 Në ora: 20:13
Ballina e librit

Shkrimtari dhe publicisti i njohur Shaban Arifaj botoi këtyre ditëve edhe një libër të ri publicistik. Librin e lexoi për ju autori i këtij recensioni.

”Tani, në këto kohë të pa kohë, kur bota kërcënohet nga krizat globale ekonomike, luftarake po besa edhe virusale, e kur nga këto ”epidemi” kërcënohet edhe Kosova e cila nuk mund të jetë rezistonte nga këto zhvillime, shumë pak nevojitet që çdo gjë të eskalojë. Shpëtimi nga kërcënimet është Uniteti që është dëshirë dhe motiv shprese për të gjithë.”(“Faktori shqiptar në rajon”)

Në librin e tij më të ri ”Faktori shqiptar në rajon”, shkrimtari e publicisti Shaban Arifaj reflekton dhe studion fenomene që sigurisht nuk janë të reja dhe me kalimin e kohës ato u bënë gjithnjë e më aktuale.

Nëse njeriu mëson të jetojë me frikën, Arifaj zgjedh një mësim tjetër: të jetuarit me unitetin kombëtar!  ”As në të kaluarën e as sot nuk arritëm të krijojmë unitetin e duhur kombëtar”, prandaj autori kërkon ndryshime në këtë rrafsh, madje që sot se nesër do të jetë vonë, konstaton Shaban Arifaj.

Në kapitullin e parë të librit publicistik ”Faktori shqiptar në rajon” Arifaj sjell shkrime autoriale për zhvillimet në rajon, kryesisht ato që lidhen me fatin e shqiptarëve gjatë historisë dhe analiza shkencore të aktualiteteve në Kosovë, të botuara në vite e në revista shkencore.

Ndërkaq në kapitullin e dytë, Arifaj sjell analiza studimore për tema bosht të zhvillimit të Kosovës në drejtim të rritjes së mirëqenies shoqërore-ekonomike e social-kulturore.

Nga përsiatjet e tij kuptojmë se demokracia duhet diskutuar; ajo duhet zhvilluar dhe së fundmi demokracia duhet mbrojtur. Fara e demokracisë është hedhur por rrënjët e frutit të saj rezultojnë të cekëta dhe të brishta. Zhvillimi ekonomik nuk ka rezultuar në zhvillim të barabartë social; zhvillimi politik përshkruhet si gjithnjë jostabil, me kriza të shpeshta qeveritare, korrupsion e të ngjashme. Kjo ka bërë që sot afër një e treta e popullsisë jeton në varfëri. Janë këto vetëm dy-tre segmente sinjifikative për sfidat e shoqërisë dhe të shtetit të ri për të krijuar një funksionalitet të kënaqshëm.

Metoda e materialit është bazuar në literaturë studimore dhe një pjesë tjetër e materialit është marrë nga dokumente e fakte të autoriteteve përkatëse. Ndërkaq rezonimi teorik i Arifajt buron nga përvoja dhe shkathtësia e tij e shfaqur që herët në mediat shqiptare, brenda dhe jashtë vendit.

Dhe s’është çudi që librin ”Faktori shqiptar në rajon”, Shaban Arifaj e përmbyll me një analizë të mediave publike, për rolin dhe perspektivat e tyre në zhvillimin e vendit që përshkohet me barazi të brisht, varfëri të madhe, institucione të dobëta, pa unitet kombëtar etj. Prandaj mediat nuk guxojnë t’ua kthejnë shpinën sfidave të këtilla. Të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh origjinën duhet ta ndjejnë se dëgjohet zëri i tyre dhe se zëri i tyre luan rol në shoqëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat