Arratisja nga jeta

Kultura

Arratisja nga jeta

Nga: Biser Mehmeti Më: 13 gusht 2021 Në ora: 18:43
Biser Mehmeti

Sa shumë e ngazëlleva kur pas shumë vitesh shkilja në tokën e vendlindjes. Derisa thithja ajrin e ëmbël të vendindjes, për çudi, ajo më dukej e huaj dhe disi e ftohtë. Duke ecur me hapa të ndrojtur nëpër rrugën që më shpinte në shtëpi, nëpër kokën e rënduar më silleshin do kujtime të leckosura. Në një skaj të kokës më mbiu një trill i çuditshëm: të mos shkoja në shtëpi për t’i takuar prindërit e dashur që ishin përmalluar mjaft shumë, por së pari ta vizitoja Stasin, mikun tim të fëmijërisë, me të cilin kam kaluar pjesën më të madhe të kohës. Kisha bindje se ai do të çmendej nga gëzimi për këtë vizitë të papritur e sidomos kur t’i thosha se më nuk do të largohesha kurrë nga gjiri i vendlindjes...

Rruga për të arritur te miku im i fëmijërisë më dukej sikur zgjatej si të ishte një masë prej plastikës. Zemra më rrihte fuqishëm nga mallëngjimi, i cili e nxirrte kokën si një gjarpër që e mbaja të strukur në gji... Pas një kohe të papërcaktuar e pashë veten si u gjenda para shtëpisë së vjetër të mikut tim të fëmijërisë. Shtëpia e tij e vogël në disa vende kishte zënë të plasaritej, kurse nga kulmi disa tjegulla kishin rënë në tokë. Oborri ishte i mbushur me bari të gjatë e të thatë. Nëpër disa vende shquheshin do gjethe të zverdhura që kishin filluar të kalbeshin. Diçka më thoshte se miku im i fëmijërisë nuk mund të jetonte në këtë shtëpi gati të shkatërruar. Ai mund të kishte zënë një punë të mirë e pastaj të kishte ndërtuar një shtëpi të bukur, kurse kjo kishte mbetur strehë për korba e gjarprinj. Megjithatë, i nxitur nga një dyshim e kureshtje e madhe, e hapa ngadalë derën e shtëpisë, e cila gati ishte shkatërruar.Kur u gjenda brenda mbi fytyrën time u përplas një errësirë e dendur, e cila sikur mundohej të më verbonte. Nga të gjitha anët zuri të kutërbonte një aromë e rëndë sikur brenda të ishte dekompozuar një kufomë e vjetër... Në një skaj të dhomës së vogël gjendej një shtrat gati i rrënuar. Mbi të ishte shtrirë një trup me gjymtyrë të mbledhura kruspull nga të ftohtit. Disa çaste e vështrova i ngurosur duke mos u besuar syve pamjen që e shihja. O Zot, i thashë vetes i kredhur në vorbullën e dëshpërimit, a është e mundur që ky grusht eshtrash të jetë Stasi, miku im i fëmijërisë?!... Disa çaste besoja se shihja një njeri të panjohur. Miku im i fëmijërisë ishte plakur e deformuar shumë nga jeta. Të gjitha flokët i kishin rënë. Gojën e kishte pa asnjë dhëmbë. Sytë i ishin futur në dy gropa të thella dhe nuk i bënin dritë fare. Fytyrën e kishte të mbushur me rrudha të thella...

Derisa e vështroja ai u zgjua nga ai gjumë i thellë e pastaj me sytë e vagëlluar mezi më gjeti në tisin e errësirës së dendur. Me vështirësi të madhe krijoi një qeshje të dhembshme, e cila zuri vend në një skaj të dhomës që kundërmonte erë myku e kalbjeje. Me njëqind mundime mezi u ngrit në këmbët që i dridheshin. Me shpjetësi të madhe m’u hodh në përqafim. Nga fytyra e tij e fishkur në trupin tim depërtoi një ftohtësi e madhe sa krijova bindje sikur do të më ngrinte të tërin. Gjatë kësaj kohe më bëhej sikur e përqafoja një kufomë që ka vdekur para shumë kohësh. Mundohesha t’i mbaja lotët të mos më shkonin fytyrës, por ishte e pamundur.

-As në ëndërr nuk kam parë se do të takohemi!- filloi të fliste me zë të plogështë, i cili më dukej sikur vinte nga një botë tjetër. Zëri i tij i thekshëm zuri të shoqërohet me një vaj të dhembshëm që buronte nga shpirti i djegur.

U ulëm në atë minder gjysmë të shkatërruar. Në atë çast më dukej sikur nga skaji i dhomës do të dilnin gjarprinjët ose minjtë që do të më sulmonin. Në shpirt filloi të hapej një humnerë e madhe. Kisha filluar të notoja mbi valët e detit të mbushur me zhgënjim, në të cilin mund të mbytesha...

-Eh, miku im i dashur dhe i vetmi që më ka mbetur në botë!- vazhdoi të fliste sërish me atë zë që i dridhej nga një trishtim i heshtur... - Në këtë gjendje të mjerë më solli jeta, e cila kurrë nuk pati mëshirë për mua. Ajo i shëmbëllen një përbindëshi që kurrë nuk ngopet duke u ushqyer me trupin tim. Gjatë gjithë kohës jam ushqyer me helmin që ma ka përgatitur jeta dhe i cili ka qenë ushqimi im i vetëm... Gjithçka filloi një ditë kur udhëtoja me trenin në të cilin isha mbyllur unë dhe dashuria ime e vetme që kisha në jetë. Frynte një erë e marrë, nga e cila treni befasisht doli nga binarët, kurse mua më hodhi në një shkretëtirë të paskajshëm, atje ku vetëm qyqet ndërtonin foletë e tyre. Një kohë të gjatë qëndrova as i gjallë, as i vdekur. Kushedi pas sa kohësh i hapa qepallat dhe e pashë veten se gjendesha në një rrugë që nuk kishte as fillim, as mbarim. E dashura ime nuk ishte askund. O Zot, ajo ishte zhdukur sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. S’mund të pajtohesha me realitetin e hidhur se tash e tutje do të jetoja pa të. Desha të çmendem, por nuk e di si nuk u çmenda. Tërë kohën sorollatesha nëpër një shteg të mbushur me ferra e driza, kurse këmbët më përgjakeshin. Në atë rrugë pa qëllim e pa cak isha i vetmuar, madje edhe shpresa më kishte braktisur. Diçka më thoshte se e dashura ime kurrë nuk kishte ekzistuar, andaj edhe nuk do ta takoja kurrë. Prej kohës kur treni që bartte me vete kohën, lumturinë dhe jetën time doli nga binaret, çdo gjë në jetën time më shkoi ters. Më kot orvatesha me tërë qenien time ta riktheja kohën mbrapa e pastaj të jetoja me të dashurën time, por kjo ishte e pamundur. Mëngjeset nuk i shihja fare kur shfaqeshin, bile kisha bindje se ata ishin zhdukur përgjithmonë. Tërë kohën më bëhej se në jetën time qëndronte një natë e errët, e cila e hapte gojën e madhe e mundohej të më gëlltiste. Pjesën më të madhe të kohës e kaloja duke luftuar me vetminë time të qartur, e cila shpesh merrte trajtën e një gjarpëri të madh e pastaj më mbështillej rreth trupit. Shpesh edhe vetvetja ngritej kundër meje duke më fyer pa pikë meshire. Më thoshte ta harroja të kaluarën dhe të filloja një jetë të re. Kur më rrëmbente një gjumë i mbushur me ëndrra të vdekura, vetvetja ngritej tinëz meje, e hapte një varr të ngushtë e pastaj trupin e të dashurës sime e varroste në të... Mundohesha ta qetësoja mendje e tërbuar si një bishë e egër duke i thënë se një ditë edhe ndaj meje jeta do të tregojë mëshirë dhe dhembje për sfilitjet e mynxyrat e mia… Pas një kohe në një skaj të jetës më mbinë do lule të farmakosura, të cilat ma helmonin gjakun. Mundohesha t’i ndërtoja do kështjella me ëndrra të kota, të cilat i rrënonte era e parë që frynte. Shpesh jetën e krahasoja me një kalë të harbuar, të cilit kurrë nuk mund t’i qëndrosh mbi shpinë. Ai sapo më rrëzonte më shkelte nëpër trup pa mëshirë. Kur merzia dhe trishtimi ngjiteshin në zenit, orvatesha të pëlcisja nga inati pse në jetën time çdo gjë ishte përmbysur. Me sytë e mendjes së vagëlluar e shihja kohën që rridhte si të ishte një lumë i rrëmbyeshëm. Unë qëndroja larg atij lumi dhe nuk merrja pjesë në evulimet e natyrës. Vazhdoja tërë kohën të qëndroja indiferent në krahët e një pritjeje të pafund, edhe pse e dija se ajo nuk do të më rikthente lumturinë që e kisha pasur dikur. Në heshtje ngadalë i dorëzohesha dëshpërimit, me të cilin kisha filluar ta ushqeja organizmin. Kisha harruar si duhet të buzëqeshja. Kur i shihja disa njerëz duke qeshur i merrja për të çmendur sa frikësohesha prej tyre! Kisha harruar se në këtë botë ekziston lumturia, së cilës nuk ia dija trajtën as kuptimin. Shpesh në imazh trilloja sikur kisha arritur të dilja nga kaosi në të cilin isha zhytur dhe sikur bëja një jetë të rehatshëm, kurse ajo qëndronte pranë meje dhe gjithnjë më përqafonte… Me sytë e mendjes e shihja veten si fluturoja nëpër do fusha të gjelbëruara e të mbushura me lule të bukura, kurse pas meje gjithnjë vinte ajo e buzëqeshur dhe e ngazëllyer.... Kur përfytyrimet vdisnin, e shihja veten fillkat në një hapësirë të mbushur kotësi, e cila zgërdhihej me mua. Pesha e kotësisë bëhej gjithnjë më e rëndë dhe më e mundishme, kurse unë e kisha të vështirë të arratisesha prej saj. Jetën time kishte zënë të mbështillnin rrjetat e trasha të do merimangave gjigante, të cilat jetonin duke e thithur gjakun e trupit tim. Afër meje gjendej një lumë i cekët, nëpër të cilin rridhte një ujë i turbulltë dhe i mbushur me kafka njerëzish, të cilët gjithnjë më vështronin me sy të nxjerrur, në të cilët hetohej një dhembshuri e paqartë. Kisha zënë të humbja forcën e trupit dhe të mendjes. Gjërat që më rethonin kishin trjatë dhe madhësi të papërcaktuar. Për çudi ato ndërronin trajtën dhe madhësinë orë e çast. Një proces i këtillë më shkaktonte thyrje nervore, nga e cila shpesh e humbja vetëdijën. Një mendje e marrë me thoshte se gjithë kjo mynxyrë ishte pasojë e shkaktuar nga një mallkim i vjetër që kishte ardhur nga njeriu që më kishte sjellë në botë pa dëshirën e vet. Ajo mendje shpesh më thoshte se unë kisha lindur i vdekur, por që isha denuar të jetoja në mesin e të gjallëve. Kisha zënë të shndërrohesha në një trup statik që është zhveshur nga ndjenjat dhe i cili zë një vend fare të parëndësishëm në natyrë. Në brendësinë e trupin tim çdo gjë kishte vdekur para lindjes. Qëndroja në fund të një tuneli të cilit nuk i shihej fundi… Dhe një ditë në një skaj të atij tuneli u shfaq një xixë e vogël shprese: e vetmja gjë që më kishte mbetur ishte që të arratisesha nga kjo jetë e tërbuar, teket e së cilës kurrë nuk arrita t’i kuptoj. Vetëm atë rrugë e kisha të hapur. Të tjerat m’i kishte mbyllur jeta pa kurrfarë mëshire. Kam mbetur pa asgjë si të isha një kërrmë që gjendet në një fushë të braktisur. Edhe miqtë me të mirë më kanë hedhur në humnerën e harresës. Ka shumë vjet që askush nuk ka shkelur në pragun e derës sime. Shumë mendojnë se kam vdekur dhe se në këtë gërmadhë gjendet kufoma ime që dekompozohet ngadalë…

Më vështroi me sy të fikur dhe sikur kërkonte shpëtim nga unë. U mundua të krijonte një qeshje të dhunshme, por i mungonte forca. Guri që i kishte mbirë në zemër nuk e lente të gëzohej së paku për një çast të shkurtër. Dukej i dërrmuar sikur dy herë të kishte kaluar nëpër tërë ferrin. E luta me përgjërim të shtrihej e të çlodhej, duke i premtuar se në mëngjes sërish do ta vizitoja, madje se do t’i sillja me vete dhe disa nga miqtë e tij të fëmijërisë. Më përcolli deri te dera, duke ecur me këmbët që mezi i vinte në lëvizje. Në ndarje më përqafoi disa çaste duke qarë si fëmijë...

Tërë natën nga imazhi nuk munda ta dëboj trajtën e mikut tim të fëmijërisë. Më dukej sikur ai qëndronte pranë meje dhe gjithnjë më fliste për fakeqësitë e jetës së tij. Bashkë me të qaja edhe unë. Në fund vendosa ta nxjerr nga ajo gërmadhë e ta strehoja në një shtëpi të bukur.

Kur të nesërmen në mëngjes shkova në shtëpinë e tij, mbeta i shtangur mga habia. Të gjitha gjërat brenda asaj dhome të vogël ishin përmbysur. E kërkova nëpër të gjitha anët e dhomës, por miku im i fëmijërisë nuk gjendej askund. Në hapësirën e dhomës së mugët e kishte lënë vetëm hijën e trishtimit e të dhimbjes që vazhdonin të jetonin edhe pa të… Në një skaj të dhomës e pashë një letër, të cilën e kishte shkruar duke iu dirdhur dora... U arratisa përgjithmonë nga kjo jetë, në të cilën nuk gjeta kurrë lumturi... Mos më kërko më se nuk mund të më gjesh kurrë...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat