Dallimi i parafjalës nga ndajfolja

Kultura

Dallimi i parafjalës nga ndajfolja

Nga: Prof. Eroll Sejdiu Më: 18 gusht 2021 Në ora: 21:43
Eroll Sejdiu

Në fjali të ndryshme disa fjalë mund të jenë herë parafjalë dhe herë ndajfolje. Shpeshherë duhet pasur kujdes për të dalluar mirë se kur fjalët: pranë, përpara, afër, larg, poshtë, prapa, pas, nga, kundër etj., përdoren si ndajfolje dhe kur përdoren si parafjalë.

Kur përdoren si parafjalë fjalët: pranë, përpara, kundër, poshtë, larg, nga etj., vihen para emrave a përemrave; ndërsa kur përdoren si ndajfolje vihen pranë foljeve.

• Si parafjalë: Mos rri pranë zjarrit. Ai doli përpara meje. Ai punon poshtë kodrës. Ky punëtor vjen nga fabrika.

• Si ndajfolje: Mos më rri pranë. Ai më doli përpara. Ai punon poshtë. Nga vjen ky punëtor? Dallimi thelbësor është se: Parafjala është fjalë e pamëvetësishme dhe jokuptimplote. Si e tillë ajo nuk mund të kryejë asnjë funksion sintaksor. Funksioni i saj është thjesht ai lidhës, ndryshe nga ndajfolja, e cila është klasë e mëvetësishme fjalësh dhe shërben si gjymtyrë fjalie. Kuptimi i saj në fjali nuk kushtëzohet nga prania e ndonjë fjale tjetër, siç ndodh me parafjalën.

Shembuj:

• Isha kureshtar të mësoja ç'fshihej brenda mendjes së saj. (Brenda = parafjalë);

• Sot kam ndenjur brenda gjatë gjithë ditës. (Brenda = ndajfolje, kryen funksionin e rrethanorit të vendit).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat