Ftohja midis nesh...

Kultura

Ftohja midis nesh...

Nga: Bajram Sefaj Më: 6 shtator 2021 Në ora: 10:08
Bajram Sefaj

Jo si e “Ftohja e tokës”

Kur - Me bujë qiejt gatiten për dimërim.

Pleqtë thonë: dimëron në tokë e jo në qiell.

Ruaju nga dimri i tokës,

Nga e thjeshta,

E ftohta e saj,

E tmerrshmja.

E Kadaresë (1979) Ftesë në studio, Tiranë - 1990, faqe 33.

Jo, mor, jo! Krejt kjo mrekulli mëshohet në (pak) vargje magjike të e të madhit Kadare. Unë i bie një teli tjetër. Pikëllues, gjithsesi!

-----

Që në fillim, një sqarim: në këtë shkrim të shkurtër, nuk është fjala për nxehjen globale, por për ftohjen gjithnjë e më të madhe midis nesh. Midis meje, teje, atij, asaj... Midis njerëzve. Midis shokëve miqve, qoftë edhe midis anëtarëve të fëmijës dhe farefisit. E çuditshme, e pabesueshme, por, e vërtetë. Mjerisht! (Uroj të jetë shqetësim i pa bazë, i paqëndrueshëm, gjithandej...).

Në rreshtat në vijim, një si urbi et orbi, urimi për të gjithë banorët e planetit tonë, për këtë fillimviti, në shënjestër kemi, pra, një ftohje. Ftohjen mes njerëzve që, sikur merr përmasa gjithnjë e më të gjëra. Gjithsesi jo në atë masë alarmuese, sa e si është nxehja globale.

Ftohjen midis njerëzve, dikur, jo shumë moti, sidomos ne, banorët e nën qiellit tonë, e konsideronin si të metë, ose si “sëmundje” tipike për banorët e veriut, të atyre që jetojnë në brez kufitar, aty afër, poleve të ngrira.

Ndoshta është herët të bie zili paralajmëtar i një të keqeje të tillë, por, gjasat janë aty, janë midis nesh. Janë gjithnjë më shfaqeshe. Më të dukshme.

Le të merret si shembull ilustrues: festa gjithënjerëzore e Vitit të Ri, që gjithkund në botë kremtohet njësoj. Terë muaji dhjetor (mos të thuhet edhe ndonjë ditë para tij), vishej me rrobën e bardhë të kësaj feste. Letrat (kartëpostalet), me fjalët me të ngrohta që i shkrinin dhe akujt e Grendlandës, kryqëzonin mbarë Planetin, mbërrinin atje ku duhet, në destinacion. Ku zemra e lypte zemrën, miku mikun, shoku shokun, i dashuri të dashurën, prindi fëmijën, fëmija prindin.... e kështu më radhë, me një fjalë të ëmbël – U r i m e!

nuk mjaftonte hapësira hoteliere vendase, gjithandej në zgëqe të hirshme turistike, nuk ishin raste të rralla kur shkohej edhe në vende të preferuara e miqësore fqinje. Pas një tokje gotash (edhe mos qofshin të kristalta, edhe mos qofshin të mbushura me shampanjë shkumëbardhë), nuk ngurrohej, ndërrohej hap e shkohej bukur larg, qoftë edhe përtej mundësive tona, sado të kufizuara që ishin. (Festa e natës se vitit të ri, sikur në vetë kishte një rit mitik, sikur ishte një natë e madhe, natë katarzisi, natë faljeje mëkatesh të ndërsjella njerëzore!). Duke mos harruar, këtu, për asnjë çast programet e larmishme televizive të sajuar enkas për këtë natë feste gjithënjerëzore. (Paksa më të moshuarve, sidomos, u kujtohet shumë mirë, kur pritja e vitit të ri organizohej edhe në salla të kinemave. për nder të kësaj feste, natës më të gjatë të motmotit, shfaqeshin jo një, por madje dy filma, njeri pas tjetrit, sa do që ishin me shumë minuta!).

E si është sot, në krahasim me dje a pardje? Krejt pak (ose hiç) urime e përshëndetje me postë, shumë pak atmosferë festive. Me përjashtim të disa e-mailave të pashpirt që shpërndajnë edhe urime në adresë të panjohur, si plumba qorr të ishin.

As në hotelet e qyteteve tona më të mëdha, duke filluar nga Prishtina e gjetiu, as në hotelet dhe motelet e pikave tona strategjike (turistike) as sivjet, kur përherë të parë vitin e ri e presim me liri e pavarësi, nuk hetohet ndonjë përgatitje kush e di çfarë. E duhej ndërmarrë çdo gjë e mundur. Muzika të kallte gjithandej e mos të praj tri ditë e tri net, hiç paianda... Me programe të pasura e të larmishme kulturore e artistike.

Si do që të jetë, urime për vitin 2009. Gjithë njerëzimit, pa dallim...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat