Edukimi dhe arsimi të pandashëm

Kultura

Edukimi dhe arsimi të pandashëm

Nga: Dedë Palokaj Më: 27 shtator 2021 Në ora: 09:02
Dedë Palokaj

Jo vetëm mësimi, por edhe edukimi. I arsimuari ndryshon aq shumë nga i paarsimuari, si i gjalli nga i vdekuri. Sot ka shumë intelektual të shkolluar por pak të arsimuar. Njerëzit e kohës sonë do të paguajnë më shumë për t’u argëtuar se sa për t’u arsimuar. Mësimi përfundon në klasë, arsimi fillon në shtëpi. Njeriu që nuk lexon asgjë është shumë më i arsimuar se sa ai që nuk lexon asgjë tjetër përveç gazetës. Titulli akademik dhe shkencor nuk të bën intelektual. Edukimi i mendjes pa edukimin e shpirtit nuk mund të quhet edukim i mirëfilltë. Niveli i qytetërimit të një shoqërie matet dhe tregohet në nivelin e shprehjes së fjalës publike. Fjala e shprehur vepron më shumë se ajo që lexohet në libër. Tmerret e Holokaustit i krijuan akademikët eminent. Emancipimi i një shoqërie shprehet më së miri te fytyra e mësuesit dhe sjellja e tij.

Që shkollimi është i nevojshëm dhe shumë i rëndësishëm këtë e dinë të gjithë. Sepse arsimi e ndihmon gjeneratën e re të formohet dhe të edukohet në mënyrë të drejtë dhe me përgjegjësi. Procesi që e shoqëron njeriun prej ardhjes në këtë botë e deri në vdekje është arsimimi gjatë gjithë jetës, me qëllim të ndryshimit të vetvetes së tij në çdo etapë të jetës. Edukimi si emërtim ka përkufizime të ndryshme. Sa herë përmendim edukatën mendja na shkon tek edukata e fëmijëve, apo nxënësve.

Përmes edukimit synojmë të njohim sa më shumë veten, shoqëritë e zhvilluara vetëm në saje të edukimit kanë mbërritur ku janë sot, por këtu shtrohet pyeta se ku jemi ne si shoqëri me edukatë? Në vitet e fundit shoqëria jonë po përcillet me probleme të shumta si papunësia, varfëria, pasiguria, diskriminimi, korrupsioni, kriminaliteti, dhuna verbale e fizike, sëmundjet, lendet narkotike, terrorizmi, fanatizmi fetar etj., gjë që këto probleme kanë krijuar një pasiguri për popullsinë, dhe si rezultat i këtyre problemeve shoqëria mund të ketë arsye që më shumë ti frikësohet jetës sesa vdekjes, me shumë urisë sesa sëmundjes me shumë të ardhmes se të tashmes.

Synim i edukatës nuk është vetëm edukimi i të rinjve, nxënësve apo studentëve. Qëllimi i saj është që një shoqëri të jetë e shëndosh dhe të respektoj rregullat e jetës pa marrë parasysh moshës që i takon. Për këto dhe arsye të shumta njeriu në liri sot nuk është i lirë, në siguri ndjehet i pasigurt në shoqëri ndjehet i vetmuar. Në rënien e edukatës kanë ndikuar shumë faktorë si familja, shkolla, shoqëria dhe mediat elektronike të cilat duke shfaqur emisione me tema të ndryshme joadekuate për rrethin tonë shoqëror. Po ashtu në rënien e saj kanë ndikuar edhe shumë udhëheqës të emisioneve televizive: politikan, analist, artist që duke u paraqitur në televizione të ndryshme duke mos ju përmbajtur kodit etik të veshjes, duke përdorur fjalë banale, ofendime, ngritje të zërit, duke mos respektuar njëri-tjetrin gjatë debatit dhe veprime të tjera që në një formë a tjetër kanë ndikuar tek të rinjtë që ata ti marrin si model sjelljet e tyre dhe paraqitjen e tyre shpeshherë edhe skandaloze. Andaj nga problemet e shfaqura duhet të pranohet se kriza në edukatë ekziston, prandaj për rënien e saj nuk duhet të fajësohet vetëm shkolla, apo mësimdhënësit duke ditur rolin e madh që e ka familja dhe shoqëria.

Një nga problemet më të mëdha të kohës sonë është se shumë janë të shkolluar, por pak janë të arsimuar (të edukuar) mirë. Kjo do thotë: Jo vetëm mësimi, por edhe edukimi. Qysh në antikën e lashtë Aristoteli, babai i filozofisë thoshte: I arsimuari ndryshon aq shumë nga i paarsimuari, si i gjalli nga i vdekuri. Sot ka shumë intelektual të shkolluar por pak të arsimuar. Për shkak të krizës së jetës familjare, të shkatërrimit të tipit tradicional të familjes, shthurjes morale, sidomos gjenerata e re dhe të revolucionit post modern ku martesa nuk është më qëllim jete, ku familja gjithnjë e më tepër po ngushtohet, sepse pjesa dërmuese e jetës kalohet jashtë familjes, shtëpisë, në punë, në udhëtime aq sa shtëpia gati është bërë “bujtore”, pastaj dyndja moderne e popujve, gjuhëve, kulturave, feve, sëmundja e modernitetit, poligamisë etj., të pakt janë ata që e kanë edukatën e mirë personale, familjare, shoqërore dhe morale, pra ata që duhet ta kenë kuptuar mirë rolin e edukatës në arritjen e arsimit cilësor. Kjo është një epidemi ka kapluar gjithë botën.

Shkollimi dhe arsimi – njëra pa tjetrën nuk janë të plota por të gjymta. Kanë thënë: “Dituria pa edukatë (moral) është sikur zjarri pa dru, dhe edukata pa dituri është sikurse shpirti pa trup.” Njeriu mund të jetë shumë i ditur dhe i shkolluar, por pa arsimim – pa edukatë nuk mund ta interpretoj në mënyrë të shëndoshë diturin as të tjerët, madje as të fëmijët e vet. As familja as shteti nuk zhvillohen, për aq kohë sa qytetarët nuk edukohen!

Çfarë kuptimi ka një sistem arsimor kur sa herë që ndërrohet qeveria ndërrohet edhe sistemi i arsimit. Parimisht çështjet kryesore të jetës nuk ndërrohen, ato transformohen prej një gjendje në tjetrën. Mund të ndërrohemi ne si qenie njerëzore, mentalitetin e vjetër, mënyrën e të menduarit, të kuptuarit dhe të vepruarit etj. Pa ndryshime rrënjësore të vetvetes, njeriu ndryshe mendon, ndryshe flet dhe ndryshe vepron. Në të kundërtën vetëm mësimi dhe njohuria e shkollimit pa edukim nuk qon askund. Njohuritë nuk shpjegohen, ato fitohen; ligjet nuk mësohen, ato vërtetohen.

Edhe sistemi më i mirë arsimor nuk sjell gjë të re nëse njeriu nuk ndryshon, nëse nuk arsimohet moralisht dhe shpirtërisht. Sepse njeriu është gjenerator i posaçëm i të gjithave i ndryshimeve të vazhdueshme jetësore.

Pa ndërrimin e njeriut të gjitha reformat ekonomike, politike, financiare, kulturore, arsimore etj., janë të pamundura të realizohen për krijimin e një jete më të mirë. Sepse në shpirtin e njeriut vendosën themelet e reformave dhe strukturave të reja. Edhe ligji më i mirë në dorën e njeriut të paedukuar, pra të njeriut apo të shoqërisë së pamoralshme dhe të keqe, nuk mund jetë funksional. Është e njohur thënia se askush nuk mund ta ndërron gjendjen e një populli, derisa ata të ndërrojnë vetveten. Kjo vlen edhe për sistemin tonë shkollor.

Shkolla nuk e bën njeriun njeri por ajo se çfarë rrjedhë nga shpirti, nga formimi i personalitetit dhe identitetit të tij. Sepse brendia dhe forma, shkollimi dhe arsimimi shkojnë bashkë e jo vetëm format dhe trajtat e ligjeve të jashtme. Njerëzit e kohës sonë do të paguajnë më shumë për t’u argëtuar se sa për t’u arsimuar.

Fytyra e mësuesit dhe sjellja e tij

Mësimi përfundon në klasë, por arsimi fillon në shtëpi dhe përfundon vetëm me vdekjen tonë. Fëmija e fiton diplomën e shkollës e pastaj të universitetit për t’u arsimuar, për tu edukuar në mënyrë të shëndoshë si në familje ashtu edhe në shoqëri. I arsimuar nuk është ai njeri që ka lexuar apo që ka shkruar shumë libra, por ai që ka arritur ta transformoj veten, shpirtin nga dëshirat e këqija si dhe mendjen nga mendimet destruktive. Kush nuk arsimohet në këtë drejtim, është njeri i neveritshëm dhe shumë i gërditshëm edhe nëse është akademik i madh.

Njeriu që nuk lexon asgjë është shumë më i arsimuar se sa ai që nuk lexon asgjë tjetër përveç gazetës thotë, Thomas Jefferson. Se, titulli akademik dhe shkencor nuk të bën intelektual dëshmojnë edhe rastet e shumta të pleqnarëve të popullit tonë shqiptarë të cilët nuk kishin as gradë akademike e as shkencore, por kishin edukatë, mençuri, dinjitet, kulturë etj., dhe kështu ata mbetën thesar i çmuar i kulturës sonë shqiptare.

Mjerisht në kohën e sotme ka shumë intelektual që sillën në mënyrë të paarsimuar, pa edukatë të mirë familjare dhe morale. Kjo shihet nga të folurit e tyre, nga debatet publike, nga shkrimet, shprehjet banale dhe amorale, sjelljet e tyre pa respekt dhe shije të mirë. Niveli i qytetërimit të një shoqërie matet dhe tregohet në nivelin e shprehjes së fjalës publike, e jo në keqpërdorimin e saj. Ky është një problem që sot të shqetëson sa herë i shikon njerëzit duke u shprehur pa respekt minimal të jetesës së përbashkët shoqërore deri në ofendime më të rënda të shprehjes së lirë. Fjala e shprehur në skenë vepron më shumë se ajo që lexohet në libër.

Tmerret e Holokaustit i kanë krijuar akademikët kulmor, por që ishin të paarsimuar – të pa edukuar. Personi i arsimuar është vetëm ai i cili ka mësuar se si të mësojë të ndryshoj veten. Sepse nëse nuk ndërrojmë për ta përmirësuar me kujdes veten tonë dhe marrëdhëniet me njëri – tjetrin, atëherë nuk përparojmë. Nuk mësojmë vetëm për shkollën, për fushat e ndryshme të diturisë shkencore për të fituar sa më shumë njohuri etj., por si të jetojmë në shoqërinë e sotme me ambicie të sëmura.

Jeta është shkollë dhe akademi e madhe. Fjalët i bashkojnë njerëzit, sikurse urat. Mos të harrojmë thënjën: Një fjalë e mirë dhe e butë “ngroh tre muaj dimër”. Aristoteli thotë: “Të edukosh mendjen pa edukuar shpirtin, nuk mund të quhet edukim”. Pra, të mësojmë duke punuar dhe të edukohemi duke mësuar. Sepse emancipimi i një shoqërie shprehet më së miri te fytyra e mësuesit dhe sjellja e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat