Sikur jam në krah të dritës

Kultura

Sikur jam në krah të dritës

Nga: Albert Habazaj Më: 3 tetor 2021 Në ora: 20:13
Foto nga vendi i ngjarjes

Burrë i vogël vizionar,

O burr’ i bukur serbes,

Blet’ e mbushur me nektar

M’u fut në gji kët’ mëngjes.

 

Dhe më thotë dy fjalë ëmbël,

Tek zukat zu-zu-zu …

Shend e gaz si në ëndërr,

Fluturon tutje-tëhu:

 

Mares Habaz kapedani

Mbush dy vjeç e u bë burrë,

O ju zogj këngën ma mbani,

Për nipin buron si gurrë.

 

Është bërë i mirë shumë,

Çun si yll, për kokë të çunit.

Po sa shumë e dua unë

Mjaltin në ëndrrat e gjumit,

 

Trëndafilin e mëngjesit

Dhe Dielltarin e ditës

Kam me imazh të Maresit

Sikur jam në krah të dritës.

 

Nga Vlora për në Tiranë

Mbërrij sa hap e mbyll sytë,

Pak larg jemi, po sa pranë

Me nipin, që s’ka të dytë.

 

E do të zgjuar - e ke 

Të jep ujë në shoshë…, 

Të shikon edhe të njeh,

Pa të ngop me lugën bosh …

 

Kur i mungon - të kërkon,

Gugat si pëllumb dhe qesh

Mjalt’ i mjaltit të shëron,

Të bën globin që ta ngresh.

 

E ngre në sup dhe përpara

Eci sikur ngre një pëndë.

Thon’: “Nën dardhë bie dardha”

O pinjoll nga der’ e rëndë.

 

Ndodh që s’gjen dot fjalë njeriu

Për këto çaste të shtrenjta,

Si fllad i freskët veriu

Dhe si ëngjëll i vjen bleta …

 

Vlorë - Tiranë, e shtunë 3 Tetor 2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat