Mos i lexoni vargjet e mia

Kultura

Mos i lexoni vargjet e mia

Nga: Tahir Bezhani Më: 4 tetor 2021 Në ora: 11:07
Tahir Bezhani

Mos i lexoni vargjet e mia të rebeluara

Mendimet bëjnë zhurmë, trysni

Shikimet treten vrimave të universit

Presin gëzimet e vonuara stuhive

Dallgët kalojnë si të çmendura

Reagojnë instinktet e lodhura

Sa vështirë mësohet kënga përmendësh

Kur nata të zë në barkun e qiellit me shtrëngatë

E lutjet kah mund të gjejnë rrugëtimin

Rrugëtimin me alveolën, djep dëshirash

Ku përkunden shpresat e vrara nëpër mote

Sa vonohen mendimet kur ndizen gacë në qiell

Rrugëtimeve të ëndrrave përvëluese

Syprinës pafund, deteve të dallgëzuara

Mos i lexoni vargjet e mia idhnake

I ngjajnë anijes në valëvitje, e pa ankoruar

Përherë kam thënë....

Kur më shikoni flokët e shprishura, të serta

Dijeni, era i ka lënurë tërë natën pa hënë

Nëse shikon mrrola të çakërdisura në ballë

Më kuptoni drejtë ,ashtu siç u kam thënë,

Dikush shpirtin ma ka trazuar

Lotët nëse i shihni duke gjëmuar

Ashti është arratisur dhunshëm

Plaga ulërinë damarëve plot zjarrmi

E kënga ku fshehët kurrë nuk e dita

Ndoshta në flaken e qiriut po tretet

Duke dhënë pakës dritë

E unë, ofshamë përvëluese mbeta

Jam shpuzë e bardhë

Në fitil të djegur....

Ti ishe e vetmja....

Ishe e vetmja që vidhje natën

I gjeje lehtë rrugët e verbuara harresave

Prekjet e gjuhës lenin rrugën kërmillçe

Si ndryshkë kohëve në ikje dhimbshëm

Shpirti shuante etjen e tkurrur thatësirave

Në qerpikë shkrumb malli, lot fëmijësh

Ti ishe e vetmja zjarrishtë rrezitjesh

E vetmja me atë ngjyrë të syve bojëqielli

Që therëshe thellësive padiktueshëm

Katarakte të zhurmshme epsheve të shpirtit

Skalitje e netëve të vjedhura tymnajës

Përmendore e mbështjellë hinajës

Ishe e vetmja hajdute nate

Ndizëshe zjarr e ikje, bëheshe furtunë

Ishe e vetmja dhimbje që mbete statujë

Përlotshëm shikon e nuk bëzan, dënesë

Heshtja është luftë që nuk mbaron kurrë

Muratore e djegur në kohë....

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat