Letërsia për fëmijë është mission…

Kultura

Letërsia për fëmijë është mission…

Më: 6 nëntor 2021 Në ora: 14:17
Xhahid Bushati

Xhahid Bushati është një nga shkrimtarët tanë më produktiv sa I përket letërsisë për fëmijë. Me shkrime filloi të merret që kur mbushi 10 vjeç. Është autor i rreth 40 veprave dhe prezent në të gjitha revistat për fëmijë. Për punën e tij të vyer ai është nderuar me shumë shpërblime, pjesëmarrës në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, referues në sesione shkencore. Bushati shkruan prozë dhe poezi, pjesë për kukulla, merret me publicistikë e studime të letërsisë për të rritur e fëmijë etj., Por, kryesisht i është përkushtuar fushës së letrave për fëmijë.

HEJZA: Shumë krijues letrarë e pak nga ata që krijojnë për fëmijë! Krijuesit për fëmijë janë ata që e rrisin dashurinë tek fëmijët për librin, që e ngacmojnë tek fëmijët fantazinë për t’u bërë shkrimtar, i hapin dyert e botës fëmijërore ku mbruhet motivi për të shkruar, për të krijuar, për të dashur gjuhën… Cili është ai çelës që u mundëson shkrimtarëve për të depërtuar në botën fëmijërore për të ndihmuar në këtë mbrujtje?

XH. B.: Shkrimtarë të vërtetë të Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, aktualisht, kemi pak, shumë pak; ndërsa libra për fëmijë të gjinive e zhanreve të ndryshme letrare kemi shumë, e, botohen pareshtur… Librat për fëmijë, veçanërisht, ato qëi përkasin letërsisë parashkollore “shëtisin” me shumicë mes pedagogjisë, skolastikës e biznesit. Pra, përgjithësisht, nuk mund të flasim për vlerat artistike që dhuron një libër letrar. Ndërsa për letërsinë që i përgjigjet moshës shkollore, pak vlera të vërteta gje, pa dashur të bëhem nihilist. Sepse mungojnë disa çelësa, si: talenti, njohja e psikologjisë dhe botës së fëmijëve, origjinaliteti, autoktonia, guximi krijues dhe besimi në të, kulturologjia, temat aktuale dhe perspektive… etj., etj. Letërsia për fëmijë është mision. Nuk është e lehtë. Jo, dokushdo mund “të trokasë” në këtë portë të shenjtë, ndonëse trokasin çdo ditë, më shumë të patalentuar sesa të talentuar.

HEJZA: Gjyshet tona na kanë rrëfyer përralla të cilat nuk i kemi hasur askund në letërsinë për fëmijë, as në letërsinë shqiptare, por as në letërsinë botërore! Na kanë rrëfyer gjyshet tona se i kanë të dëgjuara nga gjyshet tyre, të cilat, nuk e kanë ditur as shkrim dhe as lexim! Janë autore të rrëfimeve origjinale vetë gjyshet dhe stërgjyshet tona, apo ka ekzistuar dikur shkrimtari për fëmijë, i cili ka shkruar për vëllain e vogël të mençur, për kuçedrën, dragoin, bajlozin, puset e thella, degëzimet nëntokësore të puseve, për zogun e madh që ka bartur mbi flatra një popull të mirë, për vetëtimën që ka çarë kodra, për murmurimën që ka gurëzuar luftëtarë etj., etj.

Xh.B.: Gjyshja është një figurë-emblemë, e dashur dhe e shtrenjtë për djalin dhe vajzën, nipin dhe mbesën. Është magjike si figurë, po magjike në rrëfimin e saj përrallor. Është origjinale, po aq e mençur dhe e ditur. Për t’u mos u plakur dhe humbur identitetin e saj, rrëfimin e saj përrallor e ka trashëguar te bijtë e saj; ndonëse, vërejmë aktualisht, vende-vende zbehje dhe harresë. Kësisoj, gjyshja si model, mbetet e fisnikëruar dhe e adhuruar, ndërsa kur hyn në rolin e shkrimtarit, ajo është shumëdimensionale. Duke pasur këtë pasuri të gjyshe-shkrimtares, që shpesh nuk njihet, po hedh një vështrim historik të udhëtimit të përrallës shqipe, për të parë ecurinë e saj, dhe pse e kemi “larguar” shpesh here gjyshe-shkrimtaren.

-Në vitin 1945, krijuesit e parë që formuan traditën e parë të letërsisë shqipe, sytë i kthyen nga përralla popullore, e ajo si gjini mori më hov se të tjerat. Sukseset qenë të vogla, në përshtatjen e tyre apo mbi bazë motivesh, nuk arritën të përçonin vlerat që kishin përrallat origjinale popullore.

-Pas vitit 2000, ky fenomen u përsërit. Sukseset nuk qenë aq të pritshme, ndonëse në letërsi po hynin disa shkrimtarë të talentuar. Përsëri ishin larg rrëfimit të gjyshe-përrallës, si: në magji, problematikë, personazhe, fantazi, imagjinatë… etj., etj.

-Deri në vitin 1990, përralla shqipe nuk arriti të kuptonte esencialen e rrëfimit dhe prurjet e gjyshe-shkrimtares. Nuk arriti të zgjidhte: simbolikat dhe mitin e saj, raportin e fantazisë me realitetin, karakterin popullor të përrallës, të cilën e denigroi dhe e quajti “përrallë socialiste”, etj. etj.

-Afërsisht ka një dekadë që përralla në zhvillimin e saj si gjini letrare ka një hallakatje në problematike e në rrëfim, në thurjen kompozicionale dhe në të kulturën e të shkruarit… etj. Shquhen, veçanërisht vështrime e motive anakronike, plagjiatura, ka moralizime, prurje të fantashkencës pa vend, mungon estetika përrallore, etj.

Lind pyetje: A ka modele përrallash në shumështresimet e saj që na kanë dhënë shkrimtarët? Lexoni librin “Tregimet e moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit, dhe do të kuptoni si shkruhet përralla shqipe.

HEJZA: Në ç’nivel dhe në ç’pozita e kemi sot letërsinë për fëmijë? Cili është raporti i shoqërisë sonë me krijuesit letrarë për fëmijë?

Xh. B.: Letërsia shqipe për fëmijë është letërsi e vogël e një vendi të vogël. Botohen libra të mirë, mesatarë dhe pa vlerë. Këto të fundit me shumicë. Është një letërsi që ka zhvillim, por jo njohje. Duhet përkthyer që të njihet. Mendoj se dinjitet e vlerë mund t’i japin kësaj letërsie Shtëpitë Botuese të vërteta. Shoqëria dhe shkollat pak i njohin krijuesit e letërsisë për fëmijë se pak kanë mbetur. Shpesh për të kujtuar një shkrimtar, prindërit apo të rriturit i bëjnë zë fëmijërisë së tyre. Mesatarja e shkrimtarit për fëmijë në Shqipëri varion 65-75 vjeç.

HEJZA: Sa janë të vetëdijshëm shkrimtarët për fëmijë për rolin dhe peshën e tyre në shoqërinë tonë shqiptare! Këta shkrimtarë bëjnë shumë për ata që janë ardhmëria e shoqërisë sonë, por sa këta bëjnë për vetveten? Apo, zëri i tyre është i papërfillshëm, sepse janë shumë pak! Si pak që janë, a e gëzojnë respektin e “shumicës”?

Xh. B.: Ata janë shumë të vetëdijshëm. Disa shkrimtarë, që sot nuk jetojnë, kanë lënë si testament një bibliotekë librash me krijimtarinë e tyre. Mesazhet e veprave të tyre i përkasin të sotmes edhe të ardhmes. Shumë prej tyre që unë i quaj Patriarkë dhe shpesh nuk mund të arrihen në vlera artistike, janë “shkrirë si qiriri” për brezat e Shqipërinë, që shqipja të mos humbasë. Që të respektohet shkrimtari më parë duhet të njihet ai dhe vepra e tij. Në këtë drejtim kërkohet investim.

HEJZA: Në ç’nivele e kemi kritikën letrare për letërsinë për fëmijë? Kush e vlerëson këtë letërsi? Në ç’mendime kritike objektive, apo, në ç’fakte mbështetemi kur konstatojmë se kemi (apo nuk kemi) letërsi për fëmijë!

Xh. B.: Pothuajse nuk kemi kritikë letrare për fëmijë. Kritika është në gjendje informacioni dhe recensioni. Me pakicë kemi studime, ndonëse, ata, kanë vlerë të pazëvendësueshme. Në gjykimet e mia janë interesante. Zakonisht kritikës letrare i kanë dalë për zot poetët e jo kritikët. Fondi i kritikës letrare për fëmijët është pothuajse inekzistent. Syri i njerkës është evident, përsëri, syrin e saj e shohim shpesh edhe në mbarëvajtjen e letërsisë për fëmijë. Pse themi, duhet të ketë kritikë letrare, sepse duhen evidentuar vlerat dhe problematikat që paraqet ajo gjatë procesit të saj zhvillimor.

HEJZA: Kontakti i parë i fëmijëve të diasporës sonë me gjuhën letrare janë pikërisht librat apo rrëfimet elektronike të shkrimtarëve tanë për fëmijë! Cila është njohja e drejtpërdrejtë e këtyre fëmijëve me krijuesit shqiptarë të letërsisë për fëmijë dhe, anasjelltas?

Xh. B.: Teknologjia ka zhvillimin e përhershëm të saj. Po të funksionojë ka dobi të madhe. Mendoj se kjo marrëdhënie shumë çalon e ka mosnjohje. Njohjet janë të rastësishme dhe kush është dashamir dhe prind i interesuar për fëmijët e tij, ia del disi në breg. Sot që flasim, nuk njohim librat dhe shkrimtarët që jetojnë në diasporë. Nuk njohim letërsinë për fëmijë që botohet në Kosovë. Pra, Letërsia shqipe për fëmijë nuk njeh letërsinë shqipe për fëmijë. Institucionet t’i kthejnë sytë nga kjo pasuri brezash. Të vendosen ura komunikimi. Kjo është urgjente!

HEJZA: Sa ka evoluar krijimtaria për fëmijë në kohën kur fëmijët po sfidohen me një “modernitet”, i cili jo se po kuptohet aq shumë nga të rriturit?

Xh. B.: Është një trinitet ekzistues që jeton dhe përherë bëhet agresiv: -Celulari, -Fëmija, - Libri. I ndodhur mes këtyre dy problematikave, fëmija në të shumtën e herës bëhet rob i celularit. Libri “harrohet”. Është detyrë e prindërve, mësuesve, punonjësve të bibliotekave, shkrimtarëve, institucioneve… etj., të mos çuditen, një ditë nga fjalët: “Ky nxënës nuk di të lexojë. Ky nxënës është analfabet. Ky nxënës…” Më shumë se kurrë fëmijët e Shqipërisë e Kosovës… etj. duhet ta mbështetin kokën në prehrin e diturisë dhe të përkunden gjatë viteve të rritjes me të.

HEJZA: A e shihni si problem faktin që, fëmijët tanë sot, më shumë i njohin shkrimtarët e huaj se sa shkrimtarët shqiptarë për fëmijë. Pse ndodh kjo? Si të arrihet e kundërta?

Xh. B.: Pohimi juaj është i drejtë dhe evident. Për mua është i dhimbshëm. Shpresoj të mos bëhet tragjik. Me tragjik kuptoj tkurrjen e letërsisë shqipe për fëmijë. Në të vërtetë po tkurret çdo ditë. Nga një sondazh imi, më rezulton se raporti i botimeve është i tillë: 3 libra me autorë të huaj e 1 libër me autor shqiptar. Ndoshta ky raport edhe mund të thellohet. Shtëpitë botuese e kanë një prirje të tillë drejt autorëve të huaj. Nuk ka gjë të keqe t’i sjellësh, është kulturë, e kultura duhet njohur. Universalja duhet njohur. Por, librat duhen zgjedhur. Ka përkthime shkel e shko. Ka përkthime me gabime ortografike, që jo vetëm nuk njohin gjuhën e huaj por as shqipen me strukturat sintaksore të saj. Botimet e librave me autorë të huaj, mendoj se është e lidhur me përfitime financiare. E pastaj, ca botues për t’u shfajësuar, thonë: “Nuk ka autorë shqiptarë”. Unë mendoj se ka dhe të talentuar bile, por duhet t’i kërkojnë. E kanë për detyrë për derisa mendojnë, flasin e jetojnë shqip. Të mendojnë për një çast se Shqipja është gjuhë e zemrës. E, siç thoshte poeti i talentuar Petrit Ruka: “Atdheu fillon nga zemra!”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat