Sadulla Zendeli-Daja, shqiptar emblematik në shërbim të atdheut dhe të kombit

Kultura

Sadulla Zendeli-Daja, shqiptar emblematik në shërbim të atdheut dhe të kombit

Nga: Viron Kona Më: 8 nëntor 2021 Në ora: 13:53
Kopertina e librit

-Duke lexuar librin “Duart e mia mbi kokën time “ të shkruar nga Sadulla Zendeli-Daja, me banim prej më shumë 50 vjetësh në Suedi-

Sadulla Zendeli - Daja po na tregon përherë se vazhdon të jetë energjik në krijimtarinë e tij, e cila duket se nuk ka të ndalur, veçanërisht në fushën e leksikografisë, që është pasioni i tij më i madh, por edhe në krijimtarinë poetike dhe atë në prozë.

Në prozë është edhe libri që sapo ka dalë nga shtypi me një titull interesant dhe kuptimplotë: ”Duart e mia mbi kokën time”. Prej kohësh isha bërë kurioz, kur kisha parë një fotografi të S. Z. Dajës me të dy duart në kokë. E pyeta atëherë, gjatë një vizite që ai bëri në qytetin e Lezhës: Përse, Dajë ke dalë me dy duart në kokë në atë fotografi? Ai nënqeshi dhe m`u përgjigj:-Me atë fotografi, në mënyrë figurative, shpreh dhembjen time për fatet e shqiptarëve. Ja, dëgjo këto vargje, që sapo kam shkruar: ”Koka më dhemb e shpirti më digjet,/Për Kosovën e Shqipërinë time,/Për ata që e kanë lënë vendin e tyre,/Dhe kanë dalë padashur në mërgime”. Ky ishte shpjegimi, që më bëri atëherë Daja, ndërkohë kësaj here ai e ka vendosur atë edhe si titull të librit.

Njeri i veprave të mëdha

Kapitulli i parë, i titulluar “Njeriu vlerësohet nga veprat”, përmban vlerësime për figurën e S. Z. Dajës si leksikograf i njohur, si poet dhe atdhetar, i cili prej më shumë se 50 vjetësh jeton dhe punon në studion e tij në ishullin suedez Ëland të Suedisë. Lidhur me këtë veprimtari, ka shumë përcaktime për Dajën, por po zgjedh shprehjet e shkruara nga redaktori në kopertinën e këtij libri:”Sadulla Zendeli-Daja, ky njeri i urtë dhe paqësor, tërë jetën ka shpërndarë mes njerëzve ngrohtësi e dituri, ka dashur dhe ka respektuar më të mirën dhe më të dobishmen, ka treguar dhembshurinë e prindit për këdo, ka sakrifikuar përherë nga vetja, duke merituar vazhdimisht respektin dhe dashurinë e mijëra njerëzve. Shpirtbukur dhe dritëpërhapës, zemërgjerë që s`të lë asnjëherë në baltë, Sadulla Zendeli-Daja vazhdon të kontriubuojë parreshtur për kombin, vazhdon të botojë me intensitet vepra mbresëlënëse leksikografike, atdhetare, publicistike e letrare, duke i shërbyer të sotmes dhe të ardhmes. Studioja e tij në ujëdhesën Ëland të Suedisë, bën “xheloz” çdo institucion akademik, sepse, atje, një njeri i vetëm me emrin e ndritur Sadulla Zendeli-Daja, me modesti dhe pa zhurmë, si një projektor i fuqishëm emeton pandërprerë dritë, dije dhe frymëzim në shërbim të Shqipërisë, të Kosovës dhe të të gjitha trojeve shqiptare.”

Libri, krahas hyrjes, vijon me artikullin vlerësues të Fetah Bahtirit, profesor në Udevalla, Suedi, i cili e konsideron Sadulla Zendeli-Dajën “Njeri i veprave të mëdha”, duke e portretizuar fillimisht në moshën 31 vjeçare në Gostivar, kur, ai, për shkak të veprës atdhetare, ndihej i përndjekur nga regjimi sllavo-serb-maqedon. Prof. Bahtiri rrëfen se, kur Sadulla Zendeli-Daja ishte drejtor i kooperativës “Bukovik” në Gostivar, ai, me mbështetjen e sërmnovarëve, hapi punishten e parë që të punësoheshin gratë e Sërmnovës. Bleu 35 vegjë për punimin e vejtjes së qylimave, ku u punësuan 30 gra, që nisën prodhimin. Me nismën e Dajës dhe të tyre, ato vejtën në qilima shqiponjën dykrenare dhe figurën e Skënderbeut. Pikërisht ky veprim e alarmoi atëherë parinë sllavo-serbe-maqedonase, e cila, jo vetëm e mbylli sektorin e qilimave me gratë shqiptare, por e thërritën dhe e paralajmëruan rëndë drejtorin Sadulla Zendeli-Daja. Edhe në vazhdim, përballë veprimeve atdhetare të Dajës, qëndrimi sllavo–serb-maqedonas erdhi duke u ashpërsuar, derisa Daja gjeti momentin dhe mori rrugën e mërgimit për në Suedi, sepse, përndryshe, do të përfundonte në burgje ky hyje e s`dilje më. Në vijim artikullshkruesi Bahtiri përshkruan integrimin e z. Zendeli në Suedi, shkollimin e tij në universitetin Upssala për filozofi dhe në atë të Boråsit për bibliotekist. Ndërkaq, artikulli përshkruan fillimin e punës së mërgimtarit dhe, njëherazi atë të atdhetarit S.Z.Daja, duke çelur shkollat e para shqipe në qytetet suedeze Nybro, Emmaboda dhe Kalmar; shoqatën “Ilirida”, duke ngritur lokalin-restorant me emrin “Shqiponja”, i cili ka në ballë flamurin e Shqipërisë dhe të Kosovës. Pastaj, përshkruhet puna e madhe dhe vetmohuese e Dajës me fjalorët shqip-suedisht dhe suedisht- shqip, ashtu dhe vepra të tjera në poezi dhe në prozë, të cilat janë të njohura nga lexuesi.

Janë 5 fjalorë, i pari suedisht - shqip me 17.000 fjalë; i dyti suedisht - shqip me 28.500 fjalë; i treti për fëmijë, katërgjuhësh shqip-sudisht-anglisht-italisht (Me bashkautorë); fjalori i katërt shqip-suedisht me 35.000 fjalë; fjalori i pesët sudisht-shqip me 10.000 fjalë, i destinuar për nxënësit e shkollës 9-vjeçare dhe të mesme. E, në vazhdim, veprat e tij letrare dhe publicistike, që fillojnë me “Ditari i dhembjeve”, ”Ditari i kujtimeve të paharruara”, ”Moj e dashura Arbëri”, ”Gostivari në zemrën time”, ”Rizgjimi i Arbërisë”, ”Kur kam atdheun kam gjithçka”, ”Dëgjoni zemrën time!”, ”Shekulli i pajtimit”, ”Mallëngjime mërgimtare”, ””Duart e mia në kokën time”. Në artikullin e tij z. Fetah Bahtiri, përmend nderimin që iu bë Sadulla Zendeli-Dajës me rastin e 80-vjetorit të lindjes nga qyteti i Gostivarit, duke e shpallur “Qytetar nderi” të Gostivarit. Vlerësimet vijojnë me kontributet atdhetare të Dajës, veçanërisht në kohën e Luftës së Kosovës kur ai, së bashku me djemtë marshonte duke protestuar për lirinë e Kosovës në sheshet e disa shteteve të mëdha të Evropës. Por vlerësime të shumta janë bërë dhe bëhen në adresë të tij edhe për kontributet e vazhdueshme në krye të Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi dhe si bashkëthemelues i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI, Albani”, Suedi etj. Libri vijon me artikullin vlerësues të N. Selmanit, i titulluar:”Rizgjimi i Arbërisë te poezia e Sadulla Zendeli-Dajës”, i cili, mes të tjerave, duke vënë në dukje atdhetarizmin e Dajës, citon:”Entuziazmi më vjen nga ju/Nderimi më vjen nga ju/E keqja dhe e mira/Më vijnë nga ju/Forcën ma jepni ju/Më duket se jam/Më i fort se të fortët/Më i dashur/ Se të dashurit/Më i respektuar dhe më i nderuar...

Libri parashtron vlerat kapitale të fjalorëve shqip-suedisht dhe suedisht–shqip, e ku autori Zendeli, me modesti vë në dukje bashkëpunimin dhe ndihmesën për këta fjalorë edhe të albanologut, poetit dhe përkthyesit suedez Ullmar Qvick(Kvik), (Mik i madh i shqiptarëve), të profesorëve të nderuar shqiptarë: Xhevat Lloshi, Shefkije Islamaj, Rahmi Memushaj, Fetah Bahtiri, por dhe të botuesve Irena dhe Fatmir Toçi, të Lavdie Cenmuratit, Tomas Erikson, Keni Lindberg, ashtu dhe të Lindita Zendelit, Suzanna Holm, Ismet Zendelit etj. Në vijim shkruhet për ndihmesën që këta fjalorë japin, si për institucionet shqiptare e suedeze, por dhe për nxënësit e shkollave 9-vjeçare, të mesme dhe studentëve të universiteteve, ndërkohë që lexuesi mëson edhe vlerësimin që i bëjnë leksikografit Zendeli institucionet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në Suedi, ku autori Daja është i vlerësuar, sidomos nga bashkëkombësit e tij shqiptarë. Vlerësimet për kontributet e shquara në fushën e leksikografisë të z. Zendeli-Daja, shfaqen në libër edhe gjatë përurimeve të këtyre veprave të Dajës në Tiranë, por dhe në disa qytete suedeze (Malmo, Nybro), qytete të Maqedonsië së Veriut, (në Gostivar dhe në universitetin e Tetovës); në Shqipëri (Panairet e librit - Tiranë, në Muzeun Historik Kombëtar - Tiranë, në biblioteka, shkolla dhe universitete: në Durrës, në Elbasan, në bibliotekat Vlorë, Lezhë e Kukës). Tërheqin vëmendjen veçanërisht artikujt “Parimet themelore ku është mbështetur puna për hartimin e fjalorëve shqip-suedisht dhe suedisht shqip”, artikulli:”Aspekti gjuhësor, historik e problemor” i fjalorëve, gjuhësor”, ndërkohë që autori ndalet te figura të shquara të shqipes...

U sakrifikuan për gjuhën shqipe

Në pjesën e dytë të librit, të titulluar “Shenjtëria e gjuhës shqipe” autori Sadulla–Zendeli-Daja evidenton dhe vlerëson emra dijetarësh dhe studiuesish të shqipes, që nga fillimet e shkrimit dhe të gjuhësisë shqiptare e deri sot në kohët moderne. Ai ndalet te figura e Petro Ninit Luarasit, duke na kujtuar thënien e tij lapidare:”Bjermëni, vritmëni, po ma merrni gjakun, se do t`u duhet nipërve tuaj të shkruajnë gjuhën shqipe”. Autori nderon edhe emra të tjerë kombëtarë, që u sakrifikuan për gjuhën shqipe, flet për rezistencëne tyre ndaj pushtuesve barbarë, që pengonin popullin të shkruante dhe të mësonte në shkolla gjuhën e tij të shenjtë, ndërsa ndalet në historinë e lashtë shqiptare, duke përmendur figura të shquara mbretërore ilire, luftën e tyre kundër pushtuesve, ndalet te figura madhështore e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, te shkolla e parë shqipe, te Kongresi i Manastirit, te shpallja e pavarësisë në Vlorë më 1912. Po kaq interesante janë shkrimet mbi “Gjeografinë e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Ballkan”, portretizimi i disa figurave të mëdha të historisë kombëtare, që u sakrifikuan për liri, atdhe dhe gjuhën e bukur shqipe etj.

Dashuria për vendlindjen ka krahë shqiponje

Pjesa e tretë e librit, e titulluar “Feja e shqyptarit asht shqyptaria”, çelet me vargjet emmbelamtike të Pashko Vasës: “Çoniu, shqiptarë, prej gjumit çoniu,/Të gjithë si vllazën n'nji besë shtërngoniu,/E mos shikoni kisha e xhamia,/Feja e shqyptarit asht shqyptaria!” Vijon ky kapitull me artikullin e z. N. Selmani, i cili, krahas të tjerash, përmend poezinë “Mall për vendlindjen” të Sadulla Zendeli-Dajës: “Dua të kthehem në vendin tim,/Aty tek ajo kolibja e vogël,/Aty ka mbjellë lule nëna ime,/Aty në fushë e në mal lulëzojnë,/Aty ku flet gjuha jonë,/Dhe shqip flasin e këndojnë”. Bie në sy në vazhdim, artikulli i botuar për shpalljen e Sadulla Zendeli-Dajës “Qytetar nderi” i Gostivarit, teksa është si një himn për vendlindjen, për fshatin e tij Sërmnovë, artikulli ”Sërmnova vend i argjendtë, vetë natyra dhe Zoti e kanë pagëzuar si të tillë” e ku do të veçoja vargjet e Sadulla Zendeli-Dajës:”Të dua shumë moj shpresë,/Më linde djem e vajza me besë,/Për atdhe, Kosovë e Shqipëri,/Për të shtrenjtën Arbëri”. Vlerësohen në artikujt z.Daja mësuesit e parë në shkollat shqipe në Gostivar dhe në fshatin Sërmnovë, madje edhe artistikisht. Në këtë kuadër, lexuesi do të gjejë ese për librin “Gostivari në zemrën time”, ku dashuria për vendlindjen, me mall dhe krahë shqiponje, merr fluturimin nga Suedia në vendlindjen e S.Z. Dajës, në Sërmnovën e tij të shtrenjtë...

Mbeten të skalitur në historinë e kombit ata që kontribuojnë për dijen

Pjesa e katërt e librit, e titulluar:”Që të bësh miq të mirë, duhet të jesh edhe vet mik i mirë”, nis me një vlerësim të albanologut suedez Ullmar Qvick(Kvik), i cili ndër të tjera shkruan:”Vepra e Dajës do të rrojë në dobi të shqiptarëve, kudo ku ndodhen. Nderi i tij dhe nami i mirë do të ruhen në historinë e kulturës shqipe”. Çelet ky kapitull me artikullin:”Për të huajt në Suedi e Skandinavi”, vijon me kujtimet e një vizite disaditore të Adem Demaçit në shtëpinë e Sadulla Zendeli-Dajës e, ku, autori gjen rastin të portretizojë me dashuri figurën e papërsëritshme të Adem Demaçit, Hero i Kosovës, i cili u cilësua “Nelson Mandela” i Evropës. Ndalet autori në një artikull ngushëllimi për ndarjen nga jeta të studiuesit dhe publicistit prof.Murat Gecajt nga Shqipëria, e ku Sadulla Zendeli-Daja vlerëson ndihmesëne tij në fushën e publicistikës dhe të gjuhës shqipe. Vijon një artikull “peng” i prof. Murat Gecajt, kushtuar poetes së njohur shqiptare Manushaqe Toromani, pastaj shpaloset bukur artikulli “Dy fjalë zemre”, të shkruar nga poetesha M. Toromani.

Duke jetuar për mbi 50 vjet në Suedi, autori S.Z. Daja krijon një rubrikë - përvojë me këshilla për të huajt që shkojnë në Suedi, e që zgjon interes te lexuesi për të njohur Suedinë, standardin e saj kulturor, ligjor dhe atë të jetesës, si dhe humanizmin e shtetit dhe të popullit shpirtbukur suedez.

Vargje malli dhe shprese

Pjesa e pestë e librit çelet me titullin ”Shqipja s`e ndal fluturimin”, ku do të veçonim poezitë kushtuar Sadulla Zendeli- Dajës nga poeteshat Zyrafete Manaj-Kryeziu dhe Vera Istrefaj. Kanë një tingëllimë realiste, frymëzuese dhe atdhedashurie poezitë që vijnë në vijim të shkruara nga poeti Sadulla Zendeli Daja e, mes të cilave përmendim:”Dhimbjet dua t`i tregojë, Asnjëri të mos më trazojë.” “Këto zakone të vjetra, shpirtin ma përvëlojnë.”, ”Do të shkoj ta takoj,” ”Duke vrapuar shtigjeve të malit”, ”Shëtitje në fshatrat e malësisë”, ”Dëshmorëve të Sërmnovës në luftën nacionalçlirimtare”, ”Kumanova në zjarr e flakë”, ”Oh, na dogji vrasja e shqiptarëve të Kumanovës!”, ”Dëgjoni këngën time!”, ”Tradhtia”, ”Shqiponja e Arbërisë’, ”Në shtëpi heshtja sundonte”, ”Vargjet e mia”, ”Deti Baltik”, ”Pa ty ndjej dhembje e vetmi”, ”Kënga e lirisë”, ”Lufta, njeriu dhe tradhtia”, ”Populli kërkon dëshmi”, ”Partia ime”, ”Lumi”, ”I mërguari pa atdhe”, ”Dashuria ndaj lirisë”, ”Ende jam gjallë”, ”Hijenat e Ballkanit”, ”Vajzat e mitura me kandila në dorë”, ”Kthehu ime bijë dhe im bir!”, ”Luftëtari i dijes”, ”Dëshira dhe e vërteta” etj. Në këto poezi, lexuesi do të ndjej rrahjet e zemrës së atdhetarit të madh, mallin dhe merakun e tij për Shqipërinë, Kosovën e trojet e tjera shqiptare të ndara padrejtësisht. Ndalet pastaj autori në mendimet dhe shprehjet e studiuesit në Gjenevë të Zvicerës, Aleksandre Lamberti, i cili bënë vlerësime të larta e të veçanta për shqiptarët...

Ardhmëria jonë është në Evropë

Pjesa e gjatshtë e librit çelet me titullin ”Krenohemi me flamurin tonë kombëtar”, vijon një artikull për ngjarjet e 27 prillit 2017 në Parlamentin e Maqedonisë, ku autori veçon figurën patriotike të Ziadin Selës. Vijojnë edhe në këtë kapitull poezi të mbrujtura me dashuri mëmëdhetare dhe shprehet dhembja e autorit për kombin tonë të copëtuar gjeografikisht. Shfaqen ide, mesazhe dhe ndjenja atdhetare te poezitë: ”Vedlindja jonë”, “Shqipëria, Kosova dhe trojet tona të ndara”, ”Fajtor jemi unë e ti”, ”Të të dëgjoj apo të hesht?”, ”Lexo dhe mos trego!”, ”Gjarprinjtë e gjakut”. Është shumë interesant artikulli i titulluar “Këshillat e mia”, ku autori shpalos përpara lexuesit këshilla dhe mendime të tij nga përvoja, shprehet për jetën, atdheun, lirinë, paqen, dashurinë dhe lartëson mendimin se “Ardhmëria jonë është në Evropë.”

Emrin e kam tetëdhjetepesë

Po kaq interesante është pjesa e shtatë e librit, e cila çelet me vargje të Gjergj Fishtës për gjuhën shqipe, dhe në vazhdim parashtrohet përpara lexuesit një veprimtari e organizuar nga Ambasada Shqiptare në Suedi kushtuar veprës leksikografike e konkretisht fjalorit 28.500 fjalësh suedisht-shqip” të Sadulla Zendeli-Dajës. Në atë veprimtari shprehen shumë emra të njohur shqiptarë e suedezë, të cilët, me fjalë zemre dhe me analiza shkencore, vlerësojnë dhe përshëndetin leksikografin e shquar Sadulla Zendeli-Daja dhe veprën e tij shumëvëllimshe. Flasin aty: Ambasadori i atëhershëm z. Shaban Murati, prof. Fetah Bahtiri, prof. Rexhep Jashari, z. Haxhi Birinxhiku, z. Dionis Kumbaro, z. Shuquri Sejdijaj e, ndërsa përshëndesin Premton Gërvalla, Hajdin Abazi (Lum Haxhiu), Ilir Anders Wessman, Ullmar Qvick, Hazbi Lalinca dhe Çajup Lalinca, Shqiptar Oseku etj. Në vazhdim, ky kapitull vijon me një leksion origjinal dhe tërheqës të hartuar nga Sadulla Zendeli-Daja për prejardhjen e gjuhës shqipe, për dialektet, për stilet e gjuhës letrare shqipe, për lëndën fonetikë (klasa V-IX), gramatikë (Klasa VII); vijon një gramatikë e shkurtër për klasën VIII, etj.

Ka origjinalitet në vazhdim fjala e akademikut, profesorit të njohur Gjovalin Shkurtaj, i cili shprehë konsiderata të larta për personalitetin dhe veprën e S.Z.Dajës, në artikullin e tij të titulluar: “Sadulla Zendeli-Daja gjithmonë i mirëseardhur mes nesh.”

Libri ”Duart e mia mbi kokën time” mbyllet me poezinë unike “Emrin e kam tetëdhjetë e pesë” e ku jehojnë si tingujt e një këmbane drithëruese, vargjet:”Eci, këndoj, qaj e vajtoj,/Askujt dhimbjet s’ia tregoj,/Zanat e atdheut më mungojnë,/Vitet shpirtin ma mundojnë,/Mos vallë fati na ndëshkoi,/Të mbetemi përjetë në mërgim,/Mos vallë Zoti na ka gjykuar,/Apo armiku na ka mallkuar,/Që në vend të huaj të jetojmë!” E, në vazhdim, ai shpreh merakun dhe dëshirën e tij më të madhe, një dëshirë e ëndërruar nga brezat në shekuj, nga gjyshi, babai dhe biri: “Meditoj e n‘kalendar ditët i numëroj,/Me gishta shumën e dhunës e pjesëtoj,/Në dritë dua të dalë ëndrra ime,/Për ta parë të bashkuar,/Atdheun tënd e Shqipërinë time”. Dhe, me një lajmotiv të papërsëritshëm, shqiptari i gjithëvlerësuar Sadulla Zendeli–Daja, mbyll poezinë dhe librin e tij: “Unë të kthehem n’vendin tim,/Pa drojë të eci në Arbëri,/Kur vendi im të jetë i lirë,/Me ëndrrat e mia i gjallë të mbesë,/Emrin e kam tetëdhjetë e pesë”.

E falënderojmë leksikografin, poetin dhe atdhetarin e shquar Sadulla Zendeli-Daja për mesazhet që përcjellë me këtë libër mbresëlënës dhe i urojmë atij libra të tjerë, që plotësojnë më tej veprën dhe gjerdanin e tij të artë shkrimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat