Kalaja

Kultura

Kalaja

Nga: Feti Tunuzliu Më: 13 nëntor 2021 Në ora: 14:54
Feti Tunuzliu

Në valë të gjakut i hyra thellë lashtësisë iliro-dardane,

dhe sakaq në qenien time u ringjallën shtegëtimet e trishta satane,

të hienave laramane që shpërndanin pangopësi me vese

dhe rrëke gjaku t’zemrës së t’parëve nga buzëqeshjet dehëse.

Bjeshkë e gurëzuar me legjenda të gdhendura,

e kokën stolisur si shkabë e plagosur nga sulmet e dendura,

me parzma lartësuar përpjetë nga qielli kaltëror,

dhe artefakte të varrosura – trashëgim kulturor.

E nëpër birucë derdheshin klithje t’mprehta murgjish të mbërthyer

që çirrenin e lebetitnin ag e terr gjë pa kursyer

e zemrat ndrydheshin xhveshur nga mëshira për drejtësi,

që nuk shihnin diellin e jetës së tyre, por digjeshin si eshkë për pend e liri.

Dikur fole e korbave të zi dhe shesh krokëllimash të armëve,

që prore i rezistoi stuhive e sulmeve të katër anëve,

sot kolos që rëndon mbretërisht n’palc të horizontit n’shkëlqim, sikur bën orgji

dhe vezullon lakuriq drejtkëndshi me barkushën katrore strukur në gji.
 

Ndërsa, vijon misteri që katakombit ndër shekuj dedikim i bën:

nën gërmadhat plakë përbirohet damari që tretet në Sitnicën shtatzënë,

e qëndron memec dhe heshtjerëndë në barkun e nënës tokë,

që tinëz shoqëron madhështinë e veprës gjigante këmbë e kokë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat