Ëndrra... zi!

Kultura

Ëndrra... zi!

Nga: Bajram Sefaj Më: 13 nëntor 2021 Në ora: 17:26
Bajram Sefaj

Nuk e di fare, nuk dua ta di dhe, as që e rëndësishme fare, se në cilën faqe të laramanit tim roman, isha e, aq më pak se çfarë historie isha duke tjerrë e rrëfyer. Në anën tjetër por, katërçipërisht, e di, se shkrimin në proces e sipër, ma ndërpreu ndeshja e mbrëmshme futbollistik midis reprezentacionit shqiptar dhe atij të Anglisë - Mbretërisë së Bashkuar. E si mos të ndodhte kjo ndërprerje shkrimi, a çfarëdo pune tjetër, shumë herë më e rëndësishme, aq më parë e, aq më tepër, kur fjala ishte për një ndeshje historike, duel jetik... e tjera e tjera.

Shtoja kësaj edhe një reklamë, publicitete të paparë që zgjati gati një muaj, me finalen Ëndërr Kuq e Zi, kur bukuroshja e TVSH, programi sportiv, kishte sjellë në studio kallaballëk ekspertësh të sportit, trajnerë, gazetarë kështu më radhë dhe, pothuaj një orë para fillimit të ndeshjes, çanë dërrasa, folën për Shkup e Shkodër, kur edhe në sekondat e fundit dhanë parashikime e tyre, që nuk kapërcente më shumë se një gol më shumë, në favor të njërit a tjetrit reprezentacion. Sipari (perdja) u ngrit. Shfaqja e madhe filloi. Qysh në çelje të aktit të parë, ndërrimit të dy-tri shkelmimeve të topit të gjysmë lojës së parë, u pa sa është sahati, U paralajmërua se aty, në skenën Wambli, në arenën me nam të këtij stadiumi më të njohur në botë, do të zhvillohej, jo një ndeshje futbolli, por një dramë tragjike- komike, më shumë akte, për skuadrën tonë, shqiptare.

Ndeshja nisi me një prelud ogurzi, me një homazh kushtuar futbollisti (a shumë futbollistëve) anglezë, të ranë në fushëbetejat e ndeshjeve të futbollit, këtu e atje. Ndeshja nisi, me ligamente të dëmtuara, me lëndime të tjera trupore, me shur(r)a e kaka, në kartonë të verdhë e, me zëvendësime (dushk për gola!), e marifete të tjera, të shëmtuara katërçipërisht, gjithsesi. Më i shëmtuar, më i mjeri ne atë mes, në atë arenë, ishte lojtari “ynë” i dymbëdhjetë, krye-lojtari “djaloshar”, italiani 74 vjeçar “misionar”, Edi Reja. (Bash sikurse se Edvin Kristaq Rama, që me përkëdheli quhet Edi Rama, shpëtimtar i Shqipërisë me Open Ballkan, edhe italiani, Eduard Reja, Edi Reja, është, pra “shpëtimtar” i fuzbollit shqiptar. (Gabimi morfologjik, është i qëllimshëm!). Kur shporta e rrjetit, u mbush madje me pesë gola, krahas “sitës” së patundur të portës se kundërshtarit, ika e kërkova strehim, shpëtimi. U bëra azilkërkues! Nuk durova të jem dëshmitar i një debakli poshtërues. Pesë me zero, në pjesën e parë, (e, mos o zot!), pesë me zero në pjesën e dytë: po kush e duron një tmerr të tillë!

Po nuk e çoi Shqipëria atje, në atë London të shkretë, në atë Wembli, famëmadh, një skuadër skifterësh, të rinjsh sypatrembur Ilirianë, a një tufë barinjsh që kurrë top me sy nuk kanë parë. Ndërkohë, në dy kanale të ndryshme të TV, ndoqa dy emisione shkëlqyera: një Urë dhe një emision të kolegut Genc, të TVSH-së, kushtuar viktimave e pafajshme të terrorit komunist, si gjëkundi në Shqipëri, kësaj radhe në Beratin tonë të bukur, me komplotin e shpifur, gjëa se¨¨ të planit të organizuar të minimit dhe çuarjes hava, të Kombinatit të Tekstilit, objektit më madhe industrial në këtë qytet. Këtë shpifje dhe inskenim katerçiperisht absurd dhe ironik në substancën e tij qesharake, shumë viktima të pafajshme, e paguan, kush me jetë e kush më vjet të gjatë burgu të rëndë, ndjekur me tortura çnjerëzore.

Pas gjithë kësaj golgote si ta gjej e ta lidh filie saj ç’sha duke shkruar Po, e gjeta: ish duke rrëfyer mbi...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat